Dokumenti i Politikave të Arsimit të Lartë 2030 u prezantua sot në një event të dedikuar, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministres sëArsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, si dhe drejtuesve e përfaqësuesve të universiteteve publike dhe jopublike, përfaqësuesve të Bordit të Akreditimit, përfaqësuesve të Bankës Botërore, si dhe agjencive dhe institucioneve të lidhura me arsimin.
Dokumenti i Politikave, – një paketë masash disavjeçare në rrugën drejt transformimit të arsimit të lartë në Shqipëri, – synon të sigurojë që arsimi i lartë të jetë në harmoni me standardet ndërkombëtare, mbështetës i procesit të integrimit evropian dhe faktor kyç për zhvillimin e vendit.
Ky Dokument shpreh përkushtimin drejt rritjes së cilësisë dhepërafrimin e standardeve të arsimit të lartë shqiptar me atë të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) e Kërkimit Shkencor (ERA). Dokumenti synon të nxisë shndërrimin e universiteteve të vendit në motorë të zhvillimit ekonomik dhe social, të fuqizojë më tej përmirësimin e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor dhe të inkurajojë e mbështesë ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë shqiptar.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Duke qenë se dokumenti parasheh edhe një rishikim të ligjit të arsimit të lartë, do të kërkoja mirëkuptimin edhe ndihmën e kujtdo që mund të më ndihmojë, se unë nisem nga një moment kur rektori tha: “Universiteti i Durrësit, Universiteti i Tiranës dhe një universitet jo publik”, këtij nuk ia përmendi emrin, e trajtoi si diversant, kështu që do kërkoja ndihmën e kujtdo që mund të më ndihmojë që kjo ndarja të bëhet pak më e lehtë se duket sikur universitetet publike janë të nënës, kurse ato që janë universitete jopublike dhe unë s’e kuptoj pse janë jo publike, se në fakt janë publike me investim privat përderisa nuk janë institucione ose organizata fitimprurëse por janë organizata jo fitimprurëse përderisa të gjitha fondet që gjenerojnë i ri investojnë në arsim.
Nëse gjendet një rrugë për t’i rehabilituar këta të dytët, do ishte dhe nga pikëpamja e zhvillimeve demokratike diçka pozitive, kështu që rektor, them që ..
– Universiteti Polis, zoti Kryeministër.
Kryeministri Edi Rama: I tregove shokët! Ok, tani përtej kësaj unë e para njëherë, sinqerisht besoj që ky dokument ka një rëndësi shumë të madhe për faktin që është një produkt i brendshëm, nuk është një dokument qe vjen nga jashtë, nuk imponohet nga qeveria, nuk është një përkthim apo një recetë e marrë nga ata që zakonisht i quajmë partnerët tanë strategjikë, por është një prodhim i brendshëm i përbashkët i gjithë universiteteve, qofshin ato publike, qofshin ato publike me financim privat dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, bordi i akreditimit dhe personalisht Shqiponja ka luajtur një rol të posaçëm në këtë unë, plus edhe ekspertiza e mirëpritur e Bankës Botërore. Kështu që duke qenë se ky dokument është si të thuash, një bashkautorësi e të gjithë atyre që pre supozohet se duhet ta çojnë përpara arsimin e lartë, unë besoj që kjo është një bazë shumë e mirë për të besuar që edhe plani veprimit, edhe zbatimi i planit të veprimit, kanë shumë shanse që të jenë procese të suksesshme.
Dua të falënderoj përveç rektorit që ka qenë instrumental në këtë punë, edhe disa të tjerë; Besnikun Aliajn, Leka Xhuvanin, i ka mbledhur emrat që mos harroj njeri; patjetër të paoksidueshmin profesor Et’hem Rukën, Entela Halocin dhe po ashtu edhe Selami Xhepën për një kontribut të posaçëm me dokumentin lidhur me zgjerimin e aksesit për studentët e huaj që ka zënë një pjesë në këtë dokument.
Janë gjëra shumë pozitive që kanë një potencial domethënës dhe që tani kërkojnë fokus dhe kërkojnë që secili të luajë si duhet rolin e vet. Për sa i takon qeverisë, me siguri që ne ndihemi shumë komod në këto kushte, kur ky produkt, është një produkt i bashkautorësisë së të gjithëve dhe gjasat që të ndeshë në kundërshti, normalisht janë minimale dhe ndërkohë patjetër, që do të duhet një punë e përbashkët po kaq intensive dhe po kaq e fokusuar për të bërë adresimet e duhura në ligjin për arsimin e lartë, sepse ka kaluar e gjithë koha e nevojshme për të rishikuar kuadrin ligjor në ato që kemi mësuar nga eksperienca por nga çfarë na kanë mësuar zhvillimet e reja rreth e rrotull, apo edhe aleancat e ndërtuara tanimë nga universitetet, falë një hapi shumë të rëndësishëm që kemi bërë dhe për këtë jam shumë krenar si qeveri, duke thyer atë murin ndarës midis BE dhe vendeve jashtë BE, pasi Shqipëria ka qenë në pararojë të kësaj beteje dhe faktikisht në samitin e bërë këtu në Tiranë të Bashkimit Europian, u vendos që edhe për universitet europianëqë nuk janë në BE, pra edhe për vendin tonë, të hapet mundësia e futjes në aleancën europiane të universiteteve.
Siç tregon eksperienca e Universitetit të Tiranës, e Universitetit të Durrësit apo Polisit, kjo është një rrugë që uroj, shpresoj, besoj, inkurajoj ta ndjekin të gjithë universitetet sepse ka benefite të jashtëzakonshme në të gjitha planet; në planin e shkëmbimeve dhe të pasurimit të burimeve njerëzore, në planin e rritjes së kapacitetit për thithjen e financave jashtë buxhetit duke aksesuar fondet europiane, në planin e shkëmbimit të ekspertizës edhe të cilësisë së kërkimit shkencor.
E dyta, besoj shumë që në ato tre pika që u përqendrua edhe Shqiponja, qëndron edhe sfida në fakt që nuk është e shkruar këtu në dokument, por që është arsyeja edhe e vetë dokumentit në një farë mënyre, sepse ndërkohë që me të drejtë kemi folur për shumë vite dhe kemi ndërvepruar për shumë vite lidhur me nevojën e zgjerimit të bazës financiare, kemi zgjeruar bazën dyfish për arsimin e lartë, ndërkohë që kemi pesëfishuar bazën financiare për kërkimin shkencor, flas për buxhetin, përtej atyre që kanë mundur të përfitojnë universitetet. E vërteta është që nga sa mund të vërejmë edhe ne së jashtmi, nuk bëhet një sforco e mjaftueshme për rritjen e cilësisë së stafit akademik. Pra, patjetër që ne të gjithë, ju në radhë të parë, ne në mbështetjen tuaj jemi në funksion të rritjes së cilësisë së studentëve, por rritja e cilësisë së studentëve kalon medoemos përmes rritjes së cilësisë së stafit akademik.
E dyta, bëmë një stop për një periudhë kohe të doktoraturave. Vinim nga një fazë barbarie në arsimin e lartë. Duket sikur ka qenë 100 vjet më përpara, por në fakt nuk ka qenë 100 vjet më parë, ka qenë 10 vite më parë, ku situata e arsimit të lartë ka qenë një katastrofë e vërtetë me 18 universitete që ishin biznese. Më kujtohet, thjesht për ta thyer pak këtë, shkarkimi nga puna i një dekaneje, shefe a nuk e di sesi quheshin në ato kohë në ato universitete të Fakultetit të Mjekësisë Dentare në një universitet nga këto që e thirri ai pronari dhe i tha, – është histori e vërtetë ka emra të vërtetë, por nuk kanë rëndësi emrat dhe i tha – “Shiko se po mi shqetëson shumë studentët duke mos i dhënë provimet”. I thotë shefja, dekania “Më vjen keq, por nuk mund t’i jap provime studentëve që nuk vijnë fare sepse me atë diplomë do të bëhen dentistë dhe studentët duhet të mësojnë”. Ai i thotë: “Shiko ka një keqkuptim mes nesh sepse ty ata të duken si studentë kurse për mua ata janë klientë dhe unë nuk mund t’i mërzis klientët. Pastaj, ekonomi tregu është kjo, do thyhen dhe disa nofulla, por gjërat do të zënë vendin e tyre”.
Kjo ishte situata e arsimit, jo publik siç e quan rektori, në atë kohë plus edhe situata brenda universiteteve, ju e dini më mirë nuk ka nevojë që të flas unë për se sa shumë probleme kishte edhe pse sot prapë nuk mund të them që nuk ka probleme, por sidoqoftë, sot kemi shumë gjëra që janë adresuar dhe janë vënë në vend dhe është shumë e rëndësishme tani të jemi shumë realistë me njëri-tjetrin që ne vërtetë i kemi rihapur doktoraturat, por duhet të synojmë doktoratura të niveleve europiane dhe jo thjesht doktoratura për doktoratura.
Ajo që besoj është pika më e rëndësishme është që ndryshimi që ka filluar për të vënë kërkimin shkencor në funksion të zhvillimit të vendit të thellohet sepse kërkim shkencor thjesht për kërkim shkencor sepse quhet i tillë dhe pastaj nga rezultati i atij kërkimi është një botim që nuk ka asnjë lloj vlere tjetër përveç ç’mund t’u vlejë disave që e lexojnë, unë besoj që ne nuk kemi as luksin dhe as kohën për ta quajtur kërkim shkencor. Duhet t’i japim shumë më tepër fokus kërkimit shkencor në funksion të zhvillimit të vendit e sektorëve.
Ky dokument politikash nuk është kërkim shkencor por në fakt është ekzaktësisht gjëja që ne duhet të presim dhe nga kërkimi shkencor, kontributi i brendshëm në funksion të një transformimi të mëtejshëm të një sektori strategjik siç është arsimi.
Atëherë, çfarë na pengon dhe çfarë e pengon universitetin që të njëjtën gjë të ndihmojë edhe për sektorë të tjerë, qoftë në makro e qoftë dhe në mikro për gjëra të veçanta?
Besoj që është plotësisht e mundur dhe besoj që kjo do ta gjallëronte shumë edhe trupën universitare, do ta motivonte shumë sepse patjetër që do të vinte me një shpërblim ekstra financiar për punën, do të afronte shumë universitetin me realitetin dhe universiteti me realitetin, institucionet e tjera dhe patjetër do të krijonte perspektiva të tjera për studentët. Besoj që në këtë pikë duhet të gjithë së bashku të bëjmë më shumë.
Kemi parë disa zhvillime shumë pozitive në këtë drejtim, por duhet të vrapojmë për të rritur volumin dhe për ta kthyer këtë në një marrëdhënie konsistente, të vazhdueshme, të pandërprerë mes qeverisë, universitetit dhe tregut. Në qoftë se kjo nuk merr një formë definitive dhe në qoftë se tregu, nevojat e tregut dhe kur them tregu, flas jo thjesht për tregun privat në sensin e tregut jashtë jetës institucionale, por flas dhe për aktorët institucionalë si pjesë e një tregu të cilin universiteti duhet ta shohë si tregun e vet, në këtë kuptim, është e domosdoshme.
Një nga zhvillimet më të bukura që ne po përjetojmë është zhvillimi në Universitetin Bujqësor. Universiteti Bujqësor dukej si një realitet i destinuar të mbetej realiteti i provincës së botës universitare shqiptare, si një realitet i destinuar që të mbetej si një lloj kampi refugjatësh që nuk arrinin dot të aksesonin botën universitare për shkak të nivelit shumë të ulët dhe mblidheshin tek Universiteti Bujqësor me 5. Falë kurajës dhe falë angazhimit të rektorit dhe ekipit atje, ne arritëm, së bashku, që ta fusim Universitetin Bujqësor në një trajektore komplet tjetër duke praktikisht, e bërë vendin ku po ndërtohet një realitet i ri akademik përmes partneritetit me Universitetin Boku të Vjenësdhe me ambicien që deri në 2030, diplomat e Universitetit Bujqësor në Tiranë të jenë diplomat e Boku-t në Vjenë dhe anasjelltas. Pra, me ambicien që në Universitetin Bujqësor të Tiranës, studentë nga Shqipëria, rajoni dhe nga Europa të vijnë për të marrë diplomën e Boku-t të Vjenës dhe është plotësisht e realizueshme, është plotësisht në rrugën e ndërtimit dhe këtë nuk e them unë, e thonë partnerët austriakë.
Në këtë drejtim duhet të ecë dhe Universiteti i Shkodrës. Unë kam shumë shpresë që një lojtar i blerë nga universitet publike, i cili tani luan me fanellën e Universitetit publik të Shkodrës, Tonin Gjuraj, një produkt i Partisë Demokratike dhe Universitetit Europian të Tiranës, se shkojnë të dyja bashkë këto. Universiteti Europian i Tiranës është vendi ku shpëtohen ata që prodhohen nga Partia Demokratike dhe kthehen në asetekombëtare. Shpresoj që do të ndodhë e njëjta gjë në Universitetin e Shkodrës dhe në fund, për ta mbyllur dhe për të mos u zgjatur se di që keni dhe panele të tjera dhe panelet e tjera e pashë me kënaqësi që ishin mikse, pra ishin edhe nga universitetet publike dhe nga ato, siç i quani ju, jo publike, dua ta mbyll duke thënë që një fokus i veçantë i duhet dhënë në të gjitha universitetet Inteligjencës Artificiale. Është një domosdoshmëri, por është dhe një oportunitet i jashtëzakonshëm për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse nuk ka fare rëndësi, zero, se ku je, në cilën pikë të globit je, mjafton që të përputhen kushtet minimale që ti krijon, të dhënat që ti vë në dispozicion dhe një talent që mund të gjendet ndër aty në 10, 15, 20, 30 të rinj, që ti i vë në punë që të ndodhi diçka e jashtëzakonshme që pastaj mund të përdoret, jo vetëm nga ty, por nga e gjithë bota. Po përtej botës, besoj që çdo universitet duhet ta krijoje menjëherë atë laboratorin e vet modest, nuk ka rendësi, nuk duhet asgjë e jashtëzakonshme në fazën e parë dhe çdo pedagog duhet të ketë mundësi të trokasë në derën e atij laboratori ku do të jenë të ulur 5-6 të rinj që janë të përkushtuar ndaj kësaj fushe për të ndarë me ta çfarëdo lloj ideje se si mund të vihet në shfrytëzim inteligjenca artificiale për atë fushë, për atë temë apo për atë subjekt që pedagogu ka.
Dhe shumë gjëra të jashtëzakonshme mund të lindin nga kjo. Ne do të bëjmë çmos që këtë ta mbështesim dhe me fondet tona. Pra, çdo lloj universiteti që do të ketë një plan në këtë drejtim, e përsëris, nuk ka nevojë për financime të jashtëzakonshme dhe për plane te jashtëzakonshme në fillim. Ka nevojë vetëm për të kuptuar dhe për të vënë në lëvizje të dhënat. Sa më shumë të dhëna, aq më mirë dhe pastaj zhvillimet e mëtejshme tregojnë se çfarë do të sjellë përpunimi i atyre të dhënave.
Faleminderit për durimin. Dhe një herë, faleminderit për kontributet. Dhe me shumë respekt për të gjithë. Kam shumë besim që me këtë dokument, me planin e veprimit, me bashkëpunimin që kemi vendosur si qeveri me konferencën e rektorëve, do arrijmë të realizojmë gjera shumë ambicioze. Dhe besoj që tani pas këtij pas atij dokumenti duhet dhe të riformatojmë pak dhe atë konferencën e rektorëve. Jo vetëm një përfaqësues nga universitetet jo publike si përfaqësues i shoqatës së të burgosurve politikë, por një përzierja pak më të arsyeshme.
Shumë faleminderit!