Tirana Walk 2021, projekti më i ri që rikoncepton zonën e ish-Bllokut në një hapësirë urbane që favorizon këmbësorët dhe inkurajon ecjen - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Tirana Walk 2021, projekti më i ri që rikoncepton zonën e ish-Bllokut në një hapësirë urbane që favorizon këmbësorët dhe inkurajon ecjen

  • Tirana Walk 2021 është projekti më i ri për kryeqytetin e së nesërmes, që parashikon kthimin e ish-Bllokut, në zonëkëmbësore, duke krijuar një tjetër hapësirë të ridizajnuar urbane, që bën protagonistë qytetarët dhe jo automjetet.

Projekti i prezantuar sot, në mjediset e vilës 31, në praninë e Kryeministrit Rama, është bashkëpunim i Bashkisë së Tiranës me rrjetin botëror “WALK 21”, i cili promovon aktivitetin e ecjes dhe mbështet të drejtën e qytetarëve për të ecur në një mjedis të sigurt dhe mikpritës, duke inkurajuar një mënyrë jetese më të pastër, më të sigurt dhe më të shëndetshme.

Projekti i referohet tre rrugëve kryesore të bllokut, Rrugës Ismail Qemali, rrugës Pjetër Bogdani dhe rrugës “Brigada 8. Ai gjithashtu është i aplikuar në kryqëzimet e këtyre rrugëve dhe rrugës “Sami Frashëri”, si dhe përfshin disa rifinitura të rrugës “Vaso Pasha”.

Më konkretisht, rrugët Brigada VIII dhe Pjeter Bogdani do të çlirohen nga rreshti i parkimit, i cili do t’i shtohet hapësirës së trotuarit, duke krijuar një mjedis më të sigurt dhe më të rehatshëm për këmbësorët. Zgjerimi i trotuareve do të lehtësojë qarkullimin, do të përmirësojë aksesin për të gjithë dhe do të krijojë mundësi për më shumë hapësira publike.

Ndërsa Rruga Ismail Qemali, duke qenë një rrugë kryesore, do të ketë një korsi biçikletash dhe vetëm një rresht parkimi. Për shkak të rëndësisë së saj është parashikuar parkim vetëm nga njëra anë, duke ruajtur një balancë mes aksesit të mjeteve dhe përparësisë për këmbësorët dhe çiklistët.

Po ashtu, përpara institucioneve arsimore do të realizohen sheshe të sigurta, të cilat do të mundësojnë akses më të lehtë dhe më të sigurt për fëmijët, duke reduktuar rreziqet nga trafiku dhe duke krijuar një ambient më të përshtatshëm për prindërit dhe nxënësit.

* * *

Kryeministri Edi RamaMirë, vetëm pak fjalë për këtëprojekt. Besoj që kjo është rruga e duhur.

Për hir të së vërtetës, në rrugën pas shpinës sime, kur unë isha në bashki shumë vite më parë kemi bërë tentativën e këmbësorizimit të rrugës dhe kjo është dhe arsyeja pse rruga ndryshe nga të tjerat është e shtruar me pllaka edhe në trupin e saj. E vërteta është që projekti funksionoi për një kohë jo të gjatë, sepse forca të caktuara me akses në qeverinë e asaj kohe, e përmbysën, por nga pikëpamja teknike projekti funksionoi dhe nga pikëpamja e trafikut nuk krijoi asnjë lloj problematike të posaçme.

Thënë kjo, unë besoj që nëse i kthehemi për një moment kohës kur për shkak të pandemisë, u detyruam të këmbësorizohemitotalisht, pavarësisht se nuk mund të predikohet që ajo mënyrë jetese të përsëritet në kushte normaliteti, por e vërteta është që edhe pse ishte një këmbësorizim total, nuk ndodhi ndonjë hata në jetën e përditshme të njerëzve duke marrë parasysh që në të gjitha rastet, Tirana edhe pse është një qytet i madh, prapë nuk është një qytet i madh kur vjen puna tek distancat që përshkohen të paktën në një perimetër të caktuar që lidhet me qendrën e vet.

Kjo do të thotë që mund të jemi shumë më kurajozë  në këmbësorizimin e hapësirave dhe nga ana tjetër duhet t’i shmangemi idesë fikse që për të ulur fluksin e trafikut, duhet të zgjerosh rrugët, kjo është tërësisht e pavërtetë madje e kundërta është e vërtetë dhe këtu kam parasysh jo arteriet kryesore, ato qendroret që janë arteriet kombëtare qe lidhin qytetet me njëra-tjetrën, po kam parasysh rrugët e brendshme të qytetit.

Mund t’i zgjerosh rrugët në këtë zonë këtu edhe me një korsitjetër duke prerë pemët, por nuk do të ndryshojë, përkundrazi. Ka shumë gjasë që fluksi i trafikut dhe intensiteti i trafikut të rritet, ndërkohë që e kundërta edhe pse është kundër-intuitive në një farë mënyre, por përgjithësisht rezulton e vërtetë, dekurajimii trafikut është përgjigja dhe besoj që në ketë zonë, do t’ia vlejë shumë që të ecet me këtë projekt sepse është një zonë qendrore, është një zonë e aksesueshme lehtësisht, është një zonë nga ku përgjithësisht banorët distancat që duhet të përshkuajnë, nuk i kanë të gjata dhe patjetër është një zonë që duke stimuluar ecjen dhe duke stimuluar qarkullimin e njerëzve, do të jetë dhe shumë efikase edhe për bizneset qe janë në zonë të cilat janë ato që ankohen të parat për ndërprerjen e aksesit të drejtpërdrejtë me makinë deri tek dera por që pastaj janë përfituesit kryesore gjithmonë nga kjo.

Duke e mbyllur do ju sjell rastin e Vlorës ku u bë një debat i jashtëzakonshëm për rrugën e Lungomares sepse projektuesit belgë, sollën një rrugë të ngushte dhe oponenca dhe kriticizmidhe histeria ndaj projektit ishte shumë e madhe sepse ndërkohë ata që e kundërshtonin donin një rrugë shumë më të gjerë nga ajo që ishte ekzistuesja dhe faktikisht rruga në Lungomarefunksion më së miri. Po ashtu për bizneset qe janë aty funksionon më së miri. Fakti që shkohet më shumë përgjithësisht në këmbë sesa me makinë, fluksi i njerëzve është shumë më i madh sesa do të ishte sikur aty do të kishte një lëvizje shumë më intensive te makinave dhe natyrisht që ajo çka u tha këtu, është qasja e duhur që duhet një kohë informimi dhe shkëmbimi të projektit dhe të idesë që qëndron pas projektit, me komunitetin  në mënyrë që njerëzit që janë banorët këtu, të jenë të parët që ta përkrahin dhe ta përqafojnë projektin dhe pastaj sigurisht të tjerët do të adaptohen.

Ndërkohë që me siguri ne do të duhet të mendojmë për më shumë akoma hapësira parkimi nëntokësor dhe ka ende mundësi Tirana për të vazhduar në atë rrugë që është nisur me parkimet nëntokësore që kanë sjellë një lehtësim të arsyeshëm, por jo të mjaftueshëm për shkak se nevoja është ende më e madhe dhe hapi tjetër që do të duhet të bëjmë, është goditja e parkimit të dyfishtë që është problemi kryesor. Kjo do të bëjë që shumëkush në distanca të arsyeshme, të fillojë të mendojë se mund të lërë makinën dhe mund të përdorë më shumë këmbët duke ulur kështu edhe vulnerabilitetin e rritur ndaj sëmundjeve kardiake dhe ndaj shumë pasojave të tjera sepse për hir të vërtetës, demokracia ka ardhur me shumë kolesterol në Shqipëri dhe pesha mesatare e popullatës është shumë më e rritur, falë patjetër mirëqenies, por falë edhe shumë helmeve dhe shumë ushqimeve që mirë është që të evitohen. Po këtu unë po ndalem sepse nuk dua t’i marr kompetencat e fushës Nard Ndokës.

Dua vetëm të falënderoj projektuesit, të inkurajoj bashkinë që ta çojë përpara këtë projekt dhe me siguri më herët sesa vonë me Ministrinë e Brendshme dhe me Policinë e Shtetit ne do ndërhyjmë për të frenuar në mënyrë dramatike dhe të domosdoshme parkimin e dyfishtë, që do lehtësojë shumë procese të tjera pastaj dhe do bëjë që edhe projekti të funksional, se prapëseprapë ka një shteg aty për të kaluar dhe në rast se ai shteg përdoret pastaj për ta lënë makinën “hajde se po paguaj gjobën”, ajo kthehet pastaj në një dramë tjetër më vete, por këto janë gjera që mund të adresohen. Rëndësi ka që ne te ecim përpara me projektin dhe të zgjerojmë më shumë hapësirat ku i jepet prioritet këmbësorëve, i jepet prioritet fëmijëve, i jepet prioritet më të moshuarve dhe në tërësi i jepet prioritet atyre që nuk janë ndotës duke ulur dhe duke zvogëluar hapësirat dhe mundësitë për ndotësit. Faleminderit! 

Previous Kryeministri Rama mikpret Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe Mohamed bin Zayed Al Nahyan dhe shkëmbejnë marrëveshje bashkëpunimi