Qendra Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi”-Kavajë, e cila ofron shërbime shëndetësore për mbi 100,000 banorë të Kavajës, Rrogozhinës dhe zonave përreth, i është nënshtruar rehabilitimit për përmirësimin e infrastrukturës duke e transformuar në një qendër ekselence kujdesi dhe shërbimesh shëndetësore. Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe të deleguaren politike të PS në Qarkun Tiranë, Elisa Spiropali vizituan ambientet e kësaj Qendre, model i parë i aplikuar në spitalet tona e cila mundëson shërbime më të shpejta dhe më cilësore pranë vendbanimit jo vetëm për banorët e Kavajës, por edhe për turistët e shumtë që zgjedhin të pushojnë në plazhin e Golemit, Mali i Robit, Qerret dhe Spille. strukture të rëndësishme spitalore Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se binjakëzimi i Spitalit Bashkiak Kavajë me Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” ka përmirësuar dhe zgjeruar shërbimet shëndetësore të specializuara pranë vendbanimit për qytetarët. “Është spitali bashkiak i Kavajës i cili është bashkuar me Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në një ombrellë administrimi, pikërisht për të sjellë ekselencën e shërbimeve shëndetësor sa më pranë banorëve. Aktualisht jemi duke bërë një rikonstruksion të kësaj godinë për të përmirësuar kushtet dhe ambientet e kësaj Qendre spitalore”, tha Koçiu. Ministrja nënvizoi se “veçanti e kësaj strukture spitalore është se kemi edhe mjekë dhe infermierë që shërbejnë në të dy spitalet, te “Shefqet Ndroqi” në Tiranë dhe në njësinë e Kavajës. Kemi shërbime të tille si kirurgjia, ortopedia, fizioterapia. Mjekë që vijnë nga “Shefqet Ndroqi” këtu në Kavajë sipas planifikimit të shërbimeve, duke ofruar kështu edhe mundësinë e për të shkëmbyer dije dhe njohuri me mjekët që punojnë këtu, por edhe duke përmirësuar akoma më shumë shërbimet që ofrohen në këtë spital”. Ministrja e Shëndetësisë veçoi shërbimin e Kirurgjisë ku falë administrimit të përbashkët kanë filluar të funksionojë dhe në këtë strukturë spitalore pasi deri 6 vite më parë nuk ofrohej si dhe krijimin për herë të parë të Njësisë së rehabilitimit për pacientët me sëmundje kronike pulmonare. “Këtu kryhet fizioterapi për gjithë rrethin e Kavajës. I kemi gjitha parametrat e duhura si në spitalet evropiane për rehabilitimin, si palestra ashtu edhe aparatura. Kemi rreth 20 pacientë në ditë”, u shpreh një nga mjekët. Ministrja Koçiu tha se për të rritur aksesin në shërbime shëndetësore pranë vendbanimit, gjithashtu është krijuar edhe Qendra Spitalore Rajonale Berat-Kuçovë. Qendra Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi”-Kavajë, është i pajisur me aparatura ekzaminuese imazherike dhe ofron shërbime në sëmundje të brendshme, kirurgji të përgjithshme, maternitet, pediatri dhe për herë të parë krijimi i Njësisë së Rehabilitimit Pulmonar. Rehabilitimi edhe i shërbimit të urgjencës ka mundësuar përballimin e të gjitha urgjencave për Kavajën dhe zonën e plazhit nga Golemi deri në Spille, veçanërisht gjatë sezonit veror ku dhe fluksi pritës është i lartë nga pushuesit vendas dhe turistët e huaj. Që pas binjakëzimit të dy spitaleve, në shërbimin e urgjencës vetëm gjatë vitit 2024 janë pritur rreth 18.720 raste. Investimi për përmirësimin e infrastrukturës së spitalit përfshin hidroizolimin me tre shtresa të sipërfaqes së tarracës së spitalit për shkak të lagështirës së madhe të krijuar, rikonstruksionin e fasadës prej 10 mijë m2 me tullë terrakotë dhe grafiato dhe rehabilitimin e të gjitha shtresave të pllakave të korridorit të Maternitetit dhe të Pediatrisë .
