Në përfundim të sesioneve plenare dhe tryezave të diskutimeve, në kuadër të Samitit të 6-të Komunitetit Politik Europian, si dhe të një sërë takimeve mes liderëve të vendeve pjesëmarrëse, Kryeministri Edi Rama dhe Mette Frederiksen, Kryeministrja e Danimarkës, vendi ku do të organizohet Samiti i radhës, – mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp:
* * *
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë! Jemi këtu për të ndarë disa konkluzione në këtë ditë të veçantë dhe unë kam nderin që jam këtu përpara jush me Kryeministren e Danimarkës, si edhe një mikeshë shumë të mirë timen, Mette Frederiksen, e cila po merr stafetën nga Tirana dhe do ta çojë atë në Kopenhagen, pasi ai është qyteti i radhës, ku do të organizohet Samiti i radhës i Komunitetit Politik Evropian.
U mblodhëm bashkë 54 udhëheqës, njësoj, anëtarë të BE e jo anëtarë, për të zhvilluar një diskutim të rëndësishëm, intensiv dhe do të thoja mjaft të hapur për një Evropë të re, në një botë të re, që ishte edhe titulli kryesor i këtij Samiti. Kam vërtetë kënaqësi, që të them që, qysh prej fillimit, sot në Tiranë kemi një përkushtim të ripërtëritur ndaj kontinentit tonë e qytetarëve tanë për t’i mbajtur fort, bashkë vlerat e parimet që udhëheqin shoqëritë tona, për të bërë gjithçka kemi të mundur për të mbrotjur vlerat dhe parimet tona të mishëruara në shoqëritë tona, duke mbrojtur vendet tona, duke mbrojtur qytetarët tanë dhe duke mbrojtur të ardhmen e Evropës, ndërkohë diskutuam edhe si do të ecim më tej, e diskutuam për të investuar më shumë në novacion, për të investuar më shumë në ato fusha të Evropës, që i përkasin këtij komuniteti politik dhe në ato vende, të cilat nuk i përkasin ende BE dhe që nuk do t’i përkasin ndonjëherë.
Mendoj që dita ka qenë e frytshme, patëm një sërë tryezash të rrumbullakta me një sërë temash diskutimi dhe në fund pati përfundime shumë interesante, të cilat do të çohen më tej nga danezët dhe ndërkohë vendosëm që do të kemi një skuadër bashkërenduese të KPE-së në kujdesin e zyrës së Presidentit të Këshillit Evropian.
Pak a shumë, kjo është një sintezë shumë e përgjithshme e asaj që bëmë sot, duke u përballur me vetë faktin që së bashku përfaqësojmë një treg 600 milionësh, një treg i jashtëzakonshëm me një potencial masiv e për të cilin na takon të bëjmë atë, që duhet për ta shndërruar këtë potencial në rezultate pozitive për njerëzit tanë, për vendet tona, për bashkësinë tonë të vendeve që kanë mendësi të njëjtë.
Dua t’ia kaloj fjalën tashmë Mettes dhe edhe njëherë nuk do të ndihesha më mirë se kaq, duke e ditur se stafeta është në duart e duhuara e pres me padurim që të takohemi së bashku në Kopenhagë duke marrë prej këtej.
Faleminderit, Mette.