Vet Hospital, një destinacion humanizmi dhe kujdesi shëndetësor - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vet Hospital, një destinacion humanizmi dhe kujdesi shëndetësor

Për herë të parë ngrihet në Shqipëri dhe vihet në funksion të plotë “Vet Hospital”, spitali veterinar, njëkohësisht një ndër më të mëdhenjtë dhe më të mirët në Europë për kujdesin ndaj kafshëve, i pajisur me protokollet dhe aparaturat më bashkëkohore, duke përfshirë radiografi digjitale, sallë operacioni, shërbim urgjence 24/7, stomatologji, reanimacion, dhe të gjitha shërbimet e nevojshme për të garantuar trajtimin më të mirë për shëndetin e kafshëve.

Ky projekt, një destinacion sipërmarrje dhe humanizmi është ngritur nga katër mjekë të rinj veterinerë: Emre Aslan, Erko Prifti, Martin Llazani dhe Marvin Brahja, duke shënuar një arritje në sektorin veterinar shqiptar.

Kryeministri Edi Rama vizitoi spitalin e ri dhe u takua me stafin e mjekëve, të cilët shërbejnë me përkushtim duke pritur minimumi 100 vizita në ditë dhe ofruar zgjidhje edhe për diagnozat më të ndërlikuara të shëndetit të kafshëve.

“Këto janë dhomat e ekzaminimit. Eko për zemrën, kardio, abdominale, salla e trajtimit, zona me kujdes intensiv, kafaze të oksigjenuar, me temperaturë të kontrolluar, tavolinat e trajtimit, një dhomë operimi. Kjo është pjesë e laboratorit. Kujdesi intensiv për të sëmurët më rëndë. Këtu është vetëm për macet. Kemi 2 dhoma për macet jo infektive, pra të sëmura, por që nuk kanë sëmundje infektive që mos bëhet cross kontaminimi.” – shpjegoi një nga mjekët e stafit, ndërsa shtoi se “Ka rreth 100 klientë në ditë, ndërsa të shtruar rreth 40-50 pacientë.

Kryeministri vizitoi mjediset e dedikuara për trajtime dhe faza të ndryshme mjekimi, ku çdo gjë është e parashikuar deri në detaje, për një shërbim sa më cilësor.

“Kjo është zona e sëmundjeve infektive, nuk futemi dot atje. Janë të pavarura komplet. Aty është dentistria, kemi edhe grafitë dentare. Këtu është dhoma e grafisë, fotografia është digjitale. Këtej është gjithë trajtimi i qenve. Çdo pacient ka dosjen e vet. Ka një kod që është unik për çdo pacient, klikon në sistem, del emri, mbiemri, raca, e të tjera me radhë dhe gjithë trajtimi, me orare është 24 orë. Këtej janë pjesa që krenohemi më shumë, janë dhomat e operacioneve. Salla poshtë quhet dirty surgery, pra plagë të infektuara, kur kafsha vjen i infektuar. Këtu bëhet përgatitja e pacientit, qethet, pastrohet, dezinfektohet. Këtu janë dy sallat e operimit, salla është standardi më i lartë, këtu mund të bësh operacione pa përdorur antibiotik fare. Edhe veshja e murit, filtrat, totalisht çdo gjë është sterile.” – tregoi një nga pjesëtarët e stafit, teksa theksoi se në spital ushtrojnë profesionin e tyre 54 mjekë.

Por spitali nuk kufizohet vetëm me mjekimin, duke vënë në dispozicion edhe mjedise për blerjen e ushqimeve, të veshjeve, trajtimit estetik, etj, si dhe mjedise të dedikuara për shoqërimin e kafshëve nga të zotët e tyre.

“Kjo është zona e pet shop, për të blerë ushqime, aksesorë, rroba, manikyr, pedikyr, parfum. Estetika. Për njerëzit kemi dhe turizëm veterinar, që pasi i operojnë rrinë gjithë natën këtu. Merr mjekimet qeni dhe mund të rrijë dhe i zoti me qenin.” – u shpreh një nga punonjësit e personelit.

Pas vizitës në ambientet e spitalit, Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë nga mjekët dhe jo vetëm, duke përfshirë këtu edhe talentin e arkitektit, i cili ideoi një projekt tejet modern e bashkëkohor, ndërsa e cilësoi infrastrukturën, si një destinacion shumë prekës dhe frymëzues.

“Është një destinacion humanizmi dhe kujdesi shëndetësor. Është një destinacion pa diskutim arkitekture dhe në fund fare po jo nga rëndësia, është një destinacion sipërmarrjeje dhe optimizmi për jetën dhe për të ardhmen. Mund të bëhet një film i tërë për këtë sipërmarrje, për këta 4 djem që pata privilegjin t’i njoh vetëm pak më parë, por të cilëve u kam admiruar punën, ambicien edhe shijen që sigurisht është meritë e arkitektit, Davides, por patjetër arkitektët janë të mirë aq sa klientët e tyre dhe nëse klientët nuk janë të mirë, arkitektët sado të mirë të jenë e kanë të vështirë që të bëjnë gjëra të bukura dhe është shumë prekëse, është shumë emocionuese të shikosh të gjithë rrugëtimin e brendshëm dhe gjithë itinerarin e përkujdesjes për këto kafshë dhe patjetër është dhe krenari e madhe të mendosh që ky spital veterinar gjendet në Shqipëri. Jam i bindur që kush e sheh në fotografi e ka të vështirë ta besojë qe gjendet në Shqipëri, por nga ana tjetër, jam po kaq i bindur që nuk është rastësisht në Shqipëri dhe rastësisht në Tiranë ky spital veterinar që çunat më thanë është më i madhi në Ballkan, po unë besoj që duhet të jetë ndër më të bukurit në botë për këtë shërbim. Nuk më mbetet asgjë tjetër veçse t’i përgëzoj, t’ju përgëzoj të gjithëve dhe të gjithave ju; t’ju falënderoj për shembullin frymëzues për të gjithë ata që nëse duan arsye për të besuar tek Shqipëria, nëse duan arsye për të besuar tek vetja, nëse duan arsye për të besuar tek e nesërmja, këtu mund të gjejnë të gjitha arsyet dhe në fund duhet të shpreh mirënjohjen edhe për kontributin që shkon shumë përtej kafshëve, qenve, maceve dhe të familjarëve të tyre i quani ju më duket, që është një kontribut për shoqërinë, është një kontribut për qytetin, kryeqytetin, është një kontribut për brezat që vijnë pa diskutim. Shumë faleminderit!” – u shpreh Kryeministri.

Previous Aktiviteti përmbyllës i projektit pilot “Fibsat”, Muzhaqi: “Projekte inovative në edukimin financiar për fuqizimin e të rinjve”