Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 23 Korrik 2025 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 23 Korrik 2025

V E N D I M
PËR 
FINANCIMIN E FEDERATËS SHQIPTARE TË SKIVE  PËR MBËSHTETJE DHE PËRGATITJE PËR PJESËMARRJE NË LOJËRAT OLIMPIKE DIMËRORE MILANO CORTINA 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 13, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Financimin, në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, për Federatën Shqiptare të Skive (FSHS) për mbështetje dhe përgatitje për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026.
2. Fondi i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e Federatës Shqiptare të Skive, në një bankë të nivelit të dytë, dhe përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2025 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, në programin buxhetor 08140 “Zhvillimi i sportit”.
3. Federata Shqiptare e Skive, brenda muajit gusht 2025, të paraqesë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit planin e detajuar dhe të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Skive të veprimtarisë, për të cilën do të përdoret ky fond.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Federata Shqiptare e Skive për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M      
PËR
NGARKIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT, SI AUTORITET KONTRAKTOR, PËR KRYERJEN E PROCEDURËS   SË PROKURIMIT PUBLIK PËR KRIJIMIN E HAPËSIRAVE TË REJA PËR ARKIVIN E KRYEMINISTRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të  ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngarkimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor dhe njësi zbatuese, për kryerjen e procedurës së prokurimit publik për krijimin e hapësirave të reja për arkivin e Kryeministrisë.
2. Në funksion të zbatimit të projektit të përcaktuar në pikën 1, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ngarkohet të kryejë:
a) të gjitha procedurat, sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, duke lidhur edhe kontratën përkatëse, si dhe të ndjekë zbatimin e saj e të projektit përkatës;
b) paraqitjen, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, të kërkesave për miratimin e lejeve përkatëse, në funksion të zbatimit të punimeve.
3. Kryeministria i vendos në dispozicion Fondit Shqiptar të Zhvillimit të dhënat për specifikimet teknike të projektit.
4. Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë, për vitin 2025.
5. Ngarkohet Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MBRETËRISË SË DANIMARKËS, PËR ELIMINIMIN E TATIMIT TË DYFISHTË NË LIDHJE   ME TATIMET MBI TË ARDHURAT DHE PARANDALIMIN  DHE SHMANGIEN E EVAZIONIT TATIMOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Danimarkës, për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V EN D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI   I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, NË LIDHJE ME PLANIN VJETOR TË VEPRIMIT   NË FAVOR TË SHQIPËRISË PËR VITIN 2024, NË KUADËR   TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARAANËTARËSIMIT     (IPA III)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, në lidhje me planin vjetor të veprimit në favor të Shqipërisë për                  vitin 2024, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE    TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS    SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (HUAMARRËSI), FONDIT SHQIPTAR   TË ZHVILLIMIT (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT)    DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT “FURNIZIMI ME UJË I ZONAVE RURALE IV”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.49/2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 11, pika 2, e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (huamarrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit (Agjencia e zbatimit të projektit) dhe KFW, Frankfurt am Main (KfW), për financimin e programit “Furnizimi me ujë i zonave rurale IV”, ratifikuar me                           ligjin nr.49/2019, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.579, datë 18.09.2024, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (huamarrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit (Agjencia e zbatimit të projektit) dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), për financimin e programit “Furnizimi me ujë i zonave rurale IV”, ratifikuar me                    ligjin nr.49/2019”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.110, DATË 19.2.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT NË KATEGORINË E ULËT DHE TË MESME DREJTUESE EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2025”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të  ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në kreun I, të lidhjes 1, të vendimit nr.110, datë 19.2.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për hapjen e procedurës së pranimit në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese edhe për kandidatë të tjerë jashtë shërbimit civil, për               vitin 2025”, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Koordinator në sektorin (zyrën) e menaxhimit pranë Zëvendëssekretarit të Përgjithshëm, në Kryeministri, gjithsej,                         4 pozicione.”.
b) Pikat 10, 16 dhe 23 shfuqizohen.
2. Ngarkohen Kryeministria dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.408,    DATË 13.5.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË ZHVILLIMIT TË TERRITORIT”,   TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të               nenit 6, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin e rregullores së zhvillimit të territorit, që i bashkëlidhet                               vendimit nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Pika 10/7, e nenit 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10/7. “Projekt TIP” janë projektet e hartuara dhe të miratuara nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit për qëllime strehimi dhe banimi në zonat rurale, në përputhje me legjislacionin dhe dokumentet e planifikimit në fuqi.”.
Neni 2
Pas pikës 9, të nenit 10/2, shtohet pika 10, me këtë përmbajtje:
“10. Sekretariati lëshon dokumentin e refuzimit të lejes së zhvillimit, në rast se subjekti kërkues nuk kryen pagesën e tarifës për leje zhvillimi, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit për lëshimin e faturës nga sekretariati.”.
Neni 3
Në shkronjën “d”, të nenit 11, fjalët “… të miratuara nga autoriteti vendor …” hiqen.
Neni 4
Në nenin 11/3 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a)  Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Autoriteti vendor i zhvillimit të territorit miraton lejet e ndërtimit për projektet TIP për objekte njëfamiljare.”.
b) Shkronja “b”, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Projektin TIP të zbatimit, të miratuar nga AZHT-ja dhe AKPT-ja;”.
Neni 5
Pika 2, e nenit 13, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Leja e ndërtimit është e transferueshme me ndryshimin e subjektit përfitues të lejes së ndërtimit dhe kryhet nga autoriteti që ka miratuar lejen, me kërkesën e subjektit zhvillues ose të subjektit përfitues.”.
Neni 6
Pas nenit 13 shtohet neni 13/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 13/1
Ndryshimi i subjektit zhvillues
1. Subjekti zhvillues, si dhe subjekti përfitues mund të kërkojnë pranë autoritetit, që ka miratuar lejen e ndërtimit, në sistemin e-Leje, ndryshimin e subjektit zhvillues të lejes së ndërtimit.
 2. Dokumentacioni, që duhet të dorëzojë kërkuesi për ndryshimin e subjektit zhvillues, është, si më poshtë vijon:
a) Prokura ose autorizimi, në emër të personit fizik apo juridik, në rast se kërkesa paraqitet nga një përfaqësues i zhvilluesit;
b) Marrëveshja për kalimin e të drejtave të zhvillimit, sipas lejes së miratuar, midis subjektit zhvillues dhe subjektit përfitues;
c) Dokumenti, që vërteton dakordësinë të pronarit/ëve të pronës/ave, që marrin pjesë në zhvillim për kalimin e të drejtave të zhvillimit, nga subjekti zhvillues te subjekti përfitues;
ç)  Tarifa e aplikimit, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Për rastet në kompetencë të KKTU-së, sekretariati lëshon refuzimin e ndryshimit të subjektit zhvillues, në rast se kërkuesi nuk kryen pagesën e tarifës përkatëse, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit për lëshimin e faturës nga sekretariati.”.
Neni 7
Pas pikës 4, të nenit 14, shtohen pikat 5 dhe 6, me këtë përmbajtje:
“5. Ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit nga autoritetet e zhvillimit për pasuritë private, të cilat kanë qenë pjesë e kufirit të zhvillimit dhe të destinuara për hapësira publike, si sheshe, parqe etj.
 6. Ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit dhe e deklaratave paraprake për kryerje punimesh, si dhe kryerja e çdo lloj punimi për vendosjen e rrethimeve, trarëve ose çdo mjeti kufizues të hyrjes në ato prona private apo pjesë të sipërfaqes së tyre, të cilat janë të ngarkuara me servitut publik, në kuptim të nenit 34, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar. Pavarësisht, nëse nuk është regjistruar servituti në regjistrin e pasurive të paluajtshme, të njëjtat leje dhe punime nuk lejohen as në ato prona private apo pjesë të sipërfaqes së tyre në zonat urbane, të cilat plotësojnë kushtet ligjore për të qenë të ngarkuara me servitut publik, të tilla, si prona që përbëjnë rrugën e daljes nga objektet drejt hapësirave publike, rrugët e kalimit ndërmjet objekteve apo nga objektet drejt rrugëve dhe shesheve publike etj.”.
Neni 8
Pas pikës 3, të nenit 17, shtohen pikat 4 dhe 5, me këtë përmbajtje:
“4. Për rastet në kompetencë të KKTU-së, në rast se subjekti kërkues nuk kryen pagesën e tarifës përkatëse për ndryshim projekti, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit, sekretariati lëshon refuzimin e ndryshimit të projektit gjatë ndërtimit.
5. Në çdo rast të ndryshimit të projektit gjatë ndërtimit, kërkuesi duhet të ngarkojë në sistemin e-Leje një deklaratë të përbashkët ndërmjet zhvilluesit dhe projektuesit arkitekt, në të cilën këto palë pranojnë dhe konfirmojnë ndryshimet në projekt.”.
Neni 9
Pas paragrafit të parë, të nenit 17/1, shtohet paragrafi 2, me këtë përmbajtje:
“Për rastet në kompetencë të KKTU-së, sekretariati lëshon refuzimin e rishikimit të kushteve të lejes së ndërtimit, në rast se subjekti kërkues nuk kryen pagesën e tarifës përkatëse, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit për lëshimin e faturës nga sekretariati.”.
Neni 10
Pas pikës 3, të nenit 18, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Për rastet në kompetencë të KKTU-së, sekretariati lëshon refuzimin e shtyrjes së afatit të lejes së ndërtimit, në rast se subjekti kërkues nuk kryen pagesën e tarifës përkatëse, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit për lëshimin e faturës nga sekretariati.”.
Neni 11
Shkronja “ç”, e pikës 3, të nenit 19, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 “ç) Veprat e infrastrukturës apo/dhe objektet ndërtimore, pavarësisht kushteve dhe kritereve të zhvillimit, kur shtrihen brenda zonës së brezit bregdetar, si dhe çdo objekt mbi 6 kate, kur shtrihen jashtë kësaj zone.”.
Neni 12
Në nenin 25 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a)  Pas pikës 10 shtohet pika 10/1, me këtë përmbajtje:
“10/1. Pas konfirmimit të vendimit të KKTU-së njoftohet kërkuesi nga sekretariati i KKTU-së për të kryer pagesën e tarifës për shqyrtimin e kërkesës për leje ndërtimi, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga lëshimi i faturës së arkëtimit nga sekretariati.”.
b)  Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. Pasi paguhet tarifa për shqyrtimin e kërkesës për leje ndërtimi, nëpërmjet sistemit elektronik të lejes, kërkuesi duhet të ngarkojë dokumentin që provon pagimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, si dhe plotësimin e kushteve të përcaktuara në vendim, në rastin e vendimit të miratimit me kusht, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit për pagesën e taksës dhe plotësimit të kushteve në sistemin e-Leje.”.
Neni 13
Në nenin 27 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Përmbajtja e fjalisë së parë të pikës 1 zëvendësohet me “Në përfundim të procesit të zhvillimit, kërkuesi paraqet kërkesën për t’u pajisur me certifikatë përdorimi, së bashku me procesverbalin e kolaudimit dhe dokumentacionin shoqërues, përfshirë deklaratën teknike se objekti është ndërtuar në përputhje me projektin dhe kushtet teknike në fuqi, pranë autoritetit të zhvillimit që ka miratuar lejen e ndërtimit.”.
b)  Pas pikës 9 shtohet pika 10, me këtë përmbajtje:
“10. Për certifikatat e përdorimit që lëshohen nga KKTU-ja, sekretariati lëshon refuzimin e certifikatës së përdorimit, në rast se subjekti kërkues nuk kryen pagesën e tarifës përkatëse, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit për lëshimin e faturës nga sekretariati.”.
Neni 14
Në pikën 6, të nenit 34, shtohen paragrafët, me këtë përmbajtje:
“Në situatat ekzistuese, në rast se objekti ekzistues ka faqe kallkan, mund të vijohet me ndërtimin nga kufitari me faqe kallkan deri në kufi të pronës, pa pasur nevojë për marrëveshje mes palëve.
Për objektet në kompetencë të KKTU-së, vetëm në rastet e mbushjes urbane, objekti ndërtohet me faqe kallkan deri në lartësinë e objekteve që kanë faqe kallkan, të cilave u bashkëngjitet, si dhe duke respektuar lartësinë e parashikuar në planin e përgjithshëm vendor në fuqi.”.
Neni 15
Pas pikës 2, të nenit 35, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Objektet në kompetencë të KKTU-së, të cilat miratohen me rregullore të veçantë, përjashtohen nga parashikimi i pikës 1, të këtij neni, në rastet kur kufitar është pronari shtet.”.
Neni 16
Pika 3, e nenit 45, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pavarësisht parashikimeve të nenit 18, të kësaj rregulloreje, për lejet e ndërtimit të lëshuara nga autoritetet e zhvillimit të territorit, të cilave u ka përfunduar afati i vlefshmërisë dhe afati i kërkesës, por pa tejkaluar afatin e përcaktuar në pikën 6, të nenit 40, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, subjektet zhvilluese mund të aplikojnë për shtyrjen e afatit të lejes së ndërtimit dhe autoritetet e zhvillimit mund të shqyrtojnë kërkesat në sistemin elektronik të lejeve të ndërtimit, brenda muajit janar 2026.”.
Neni 17
Dispozitë kalimtare
1. Ngarkohen autoritetet e zhvillimit të territorit për të rishikuar njoftimet sipas        nenit 6, të rregullores së zhvillimit të territorit, deklaratat paraprake dhe lejet e ndërtimit për rrethime apo çdo lloj pengese hyrjeje në pronat private, të cilat cenojnë servitutin publik, në kuptim të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, ose që edhe nëse nuk kanë servitut të regjistruar, përmbushin të gjitha kushtet ligjore për të qenë të ngarkuara me servitut publik, të tilla, si prona që përbëjnë rrugën e daljes nga objektet drejt hapësirave publike, rrugët e kalimit ndërmjet objekteve apo nga objektet drejt rrugëve dhe shesheve publike etj.
Në rast se kushtet ligjore të servitutit publik dhe pengimi i aksesit në hapësirat publike kanë qenë të pranishme që në kohën e dhënies së njoftimit, deklaratës paraprake ose lejes së ndërtimit për rrethim apo për çdo lloj punimi tjetër që pengon aksesin, atëherë njoftimet, deklaratat paraprake apo lejet i nënshtrohen anulimit, të plotë ose të pjesshëm, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.
Në rast se kushtet ligjore të servitutit publik dhe pengimi i aksesit në hapësirat publike kanë lindur pas dhënies së njoftimit, deklaratës paraprake apo lejes së ndërtimit për rrethim apo për çdo lloj punimi tjetër që pengon aksesin, atëherë njoftimet, deklaratat paraprake apo lejet i nënshtrohen shfuqizimit, të plotë ose të pjesshëm, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.
Procedura e anulimit ose e shfuqizimit nis ose kryesisht nga bashkitë, në bazë të inspektimeve të kryera nga strukturat e kontrollit të zhvillimeve në territor, ose me ankesë të palëve të interesuara.
2. Ndalohet dhënia e deklaratave paraprake për vendosjen e rrethimeve, trarëve ose çdo mjeti kufizues të hyrjes në ato prona private apo pjesë të sipërfaqes së tyre, për të cilat ka aplikim për vendimmarrje për leje zhvillimi apo leje ndërtimi pranë KKTU-së.
3. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit që, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje, të miratojnë projektet TIP, sipas parashikimeve të kësaj rregulloreje.
4. Për të gjitha lejet e ndërtimit, për të cilat është paguar tarifa e aplikimit para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, procedura do të vijohet nga autoritetet vendore të zhvillimit të territorit, me kushtin e marrjes së konformitetit nga sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit.
Neni 18
Ngarkohen Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe autoritetet vendore të zhvillimit të territorit për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 19
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.893, DATË 27.12.2022,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “EKIPET SPORTIVE NË SHKOLLA”, NË KUADËR TË LËVIZJES OLIMPIKE SHQIPTARE, DHE PËR AKTIVITETE NË KUADËR   TË NDËRKOMBËTARIZIMIT TË SPORTEVE TË KOMITETIT OLIMPIK KOMBËTAR SHQIPTAR (KOKSH)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të neneve 13 e 15, të                    ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.893, datë 27.12.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e projektit “Ekipet sportive në shkolla”, në kuadër të lëvizjes olimpike shqiptare, dhe për aktivitete në kuadër të ndërkombëtarizimit të sporteve të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH)”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a)  Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Financimin, në masën 1 058 000 000 (një miliard e pesëdhjetë e tetë milionë) lekë, të projektit “Ekipet sportive në shkolla”, në kuadër të lëvizjes olimpike shqiptare të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), dhe financimin, në masën                              200 000 000 (dyqind milionë) lekë, të projektit “Ekipet sportive në shkolla”, në kuadër të lëvizjes olimpike shqiptare të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), dhe për aktivitete në kuadër të ndërkombëtarizimit të sporteve, të ndara, si më poshtë vijon:
a) 250 000 000 (dyqind e pesëdhjetë milionë) lekë nga fondet buxhetore të vitit 2022;
b) 350 000 000 (treqind e pesëdhjetë milionë) lekë nga fondet buxhetore të vitit 2023;
c) 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekë nga fondet buxhetore të vitit 2024;
ç)  200 000 000 (dyqind milionë) lekë nga fondet buxhetore të vitit 2024, për projektin “Ekipet sportive në shkolla”, dhe për aktivitete në kuadër të ndërkombëtarizimit të sporteve;
d) 308 000 000 (treqind e tetë milionë) lekë nga fondet buxhetore të vitit 2025, për projektin “Ekipet sportive në shkolla”, nga të cilat  298 000 000 (dyqind e nëntëdhjetë e tetë milionë) lekë për projektin “Ekipet sportive në shkolla”, dhe 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë për shahun, pjesë e të njëjtit projekt.”.
b) Në pikën 2, fjalët “… si dhe buxheti i miratuar për vitin 2024 …” zëvendësohen me “… buxheti i miratuar për vitin 2024, si dhe buxheti i miratuar për vitin 2025 …”.
c) Në pikën 3, fjalët “… si dhe brenda muajit shkurt 2025, përkatësisht për financimet sipas shkronjave “a”, “b” dhe “c”…” zëvendësohen me                      “… dhe brenda muajit shkurt 2025, si edhe brenda muajit gusht 2025, përkatësisht për financimet sipas shkronjave “a”, “b”, “c”, “ç” dhe “d”…”.
ç) Në fjalinë e dytë, të pikës 4, togfjalëshi “… muajit shkurt 2025 …” zëvendësohet me “… muajit gusht 2025 …”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI PROJEKTIT “NDËRTIMI I LINJËS 110 KV GJIRI  I LALËZIT-FUSHË-KUQE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të                                    ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i linjës 110 kV gjiri i Lalëzit-Fushë-Kuqe”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “ullishte”, me një vlerë të përgjithshme prej 630 224.70 (gjashtëqind e tridhjetë mijë e dyqind e njëzet e katër pikë shtatëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 630 224.70 (gjashtëqind e tridhjetë mijë e dyqind e njëzet e katër pikë shtatëdhjetë) lekësh, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
8. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës-Kavajë-Krujë dhe Zyra Vendore Kurbin, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për Operatorin e  Sistemit të Transmetimit, sh.a.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë të pasurive që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për Operatorin e  Sistemit të Transmetimit, sh.a.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës-Kavajë-Krujë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Kurbin, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT    TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “QENDRA MULTIFUNKSIONALE NË LUGINËN E VJOSËS, STACIONI I INFORMIMIT VLORË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të                                      ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Qendra multifunksionale në luginën e Vjosës, stacioni i informimit Vlorë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “pyll”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 079 595 (një milion e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e pesë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 079 595 (një milion e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e pesë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronari i pasurisë të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, brenda                                30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë, në favor të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.725, DATË 2.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË SË ZHVILLIMIT  TË TERRITORIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 7/1, të   ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në kreun III, të vendimit nr.725, datë 2.9.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1.  Agjencia kryen gjithashtu detyrat e mëposhtme:
a) Kryen monitorimin e lejeve të ndërtimit, në kompetencë të KKTU-së, nëpërmjet kontrolleve në terren dhe kontrolleve të sistemeve të kamerave, në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe përgatit raportin përkatës për të informuar Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit e autoritetet e tjera, që kanë përgjegjësi në fushën e zhvillimit të territorit mbi kontrollet përkatëse;
b) Organizon aktivitete, ekspozita, panaire, expo, si dhe veprimtari të tjera promocionale, kombëtare e ndërkombëtare, me qëllim promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm të territorit dhe përfshirjes së arkitekturës moderne në zhvillimin urban;
c) Financon/bashkëfinancon projektet që lidhen me zhvillimin e territorit dhe promovimin e arkitekturës moderne dhe inovative.”.
2. Ngarkohet Agjencia e Zhvillimit të Territorit për ndjekjen dhe zbatimin e  këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË KORPORATËS   SË INVESTIMEVE SHQIPTARE TË PASURISË SHTETËRORE  NR.867/7, NË ZONËN KADASTRALE 1604, PËR REALIZIMIN  E PROJEKTIT TË INVESTIMIT “EXPO ALBANIA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe në zbatim të shkronjës “a”, të pikës 1, të kreut II, të   vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, me NIPT: M01917011D, të pasurisë shtetërore nr.867/7, në zonën kadastrale 1604, për realizimin e projektit të investimit “Expo Albania”.
2. Autorizimin e shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj, për të vepruar si zhvillues i pasurisë nr.867/7, në zonën kadastrale 1604, sipas këtij vendimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i cili ka si qëllim, ndër të tjera, përmbushjen e interesit publik.
3. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për hapjen e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, sipas rregullave të përcaktuara në vendimin nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, për zhvillimin e pronës nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes, në përputhje me konceptidenë arkitekturore që ka dalë fituese nga konkursi ndërkombëtar.
4. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për negociimin me subjekte private me qëllim lidhjen e kontratës përkatëse për zhvillimin e pronës së transferuar në pronësi, në funksion të realizimit të projekteve të saj të investimit.
5. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, vetë apo nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, të kryejë veprimet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet publike kompetente për planifikimin e zhvillimin e territorit apo me institucione të tjera, në kuadër të realizimit të projektit të investimit, si dhe të sigurojë regjistrimin në emër të Republikës së Shqipërisë/ /Korporatës të pronës së re shtetërore që do të krijohet në kuadër të projektit të investimit.
6. Në funksion të realizimit të projektit të investimit “Expo Albania” dhe në zbatim të pikës 5, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, ngarkohet Korporata e Investimeve Shqiptare të kryejë procesin e konsolidimit të pasurisë nr.867/7, në zonën kadastrale 1604, në rast se konstatohet mospërputhje midis gjendjes faktike dhe ligjore të pronës.
7. Në funksion të zhvillimit të pronës së përcaktuar në këtë vendim, në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar me prishjen e objektit, pjesë e pasurisë nr.867/7, në zonën kadastrale 1604.
8. Në listat e pronave, që i bashkëlidhen vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, hiqet pasuria shtetërore nr.867/7, në zonën kadastrale 1604.
9. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË SHKODËR  TË PRONËS, ME EMËRTIMIN “GODINA TATIM TAKSA SHKODËR”, ME NUMËR RENDOR 861, DHE PËR NJË SHTESË   NË VENDIMIN NR.421, DATË 2.6.2010, TË KËSHILLIT   TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE (TË PJESSHME) TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI   OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË SHKODËR, TË QARKUT                          TË SHKODRËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të                                  ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Shkodër të pronës, me emërtimin “Godina Tatim Taksa Shkodër”, me numër rendor 861, sipas formularit, planit të rilevimit dhe planimetrive, që i bashkëlidhen këtij vendimi, për t’u përdorur në fushën e shërbimeve social-kulturore e sportive.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.421, datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare (të pjesshme) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Shkodër, të Qarkut të Shkodrës”, të ndryshuar.
3. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i hiqet listës së inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.622, datë 15.9.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Financave”, të ndryshuar, dhe vendimit nr.818, datë 6.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, të ndryshuar.
4. Bashkisë Shkodër i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
5. Dorëzimi i pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, bëhet sipas marrëveshjes së lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave dhe/ose Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Bashkisë Shkodër, ku të përcaktohet sistemimi me ambiente të përshtatshme për punonjësit e institucioneve, që ushtrojnë aktualisht veprimtarinë në këtë godinë.
6. Ngarkohen Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Bashkia Shkodër dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES  TE BASHKIA ELBASAN, TË PRONËS NR.279, ME EMËRTIM    “ISH-REPARTI USHTARAK NR.5012/38”,  ME NUMËR PASURIE 17/65, NË ZONËN KADASTRALE 8522, PËR NJË SHTESË   NË VENDIMIN NR.416, DATË 11.7.2007, TË KËSHILLIT                                  TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR, SI DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT  TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të   ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Elbasan, të pronës nr.279, me emërtim “Ish-reparti ushtarak nr.5012/38”, me numër pasurie 17/65, në zonën kadastrale 8522, sipas formularit dhe planrilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur në funksion të projektit “Dua të luaj”.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që i bashkëlidhet                    vendimit nr.416, datë 11.7.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen, në pronësi ose në përdorim, të Bashkisë Elbasan, të Qarkut të Elbasanit”, të ndryshuar.
3. Prona nr.279, me emërtimin “Ish-reparti ushtarak nr.5012/38”, hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar.
4. Bashkisë Elbasan i ndalohet ndryshimi i destinacionit dhe tjetërsimi i pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
5. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Bashkia Elbasan dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
Previous Agjencia për Media dhe Informim, pjesëmarrëse në Forumin e 3-të Global të Medias në Azerbjaxhan