Një pjesë e rëndësishme e paketës ligjore të prezantuar nga qeveria lidhet me mbrojtjen e hapësirave publike, të cilat shpesh kanë qenë objekt i abuzimeve, zaptimeve apo transformimeve të paligjshme. Sipas Kryeministrit Edi Rama, kjo reformë synon të vendosë një vijë të qartë ndarëse mes hapësirës publike dhe asaj private, duke i rikthyer komunitetit atë që i përket me ligj.
Kryeministri bëri të ditur se do të nisë një proces i plotë regjistrimi dhe inventarizimi të detyrueshëm për çdo hapësirë publike, duke përfshirë oborret rreth pallateve, mjediset e përbashkëta në blloqet e banimit dhe çdo zonë të aksesueshme nga qytetarët. Ky proces do të mundësojë për herë të parë një hartë të qartë të pronës publike, duke shmangur abuzimet dhe pretendimet e rreme mbi pronësinë.
“Asnjë privat nuk mund të ngrejë gardhe, të vendosë tra, të mbyllë apo të kthejë në biznes hapësirën që i përket komunitetit. Kjo praktikë do të marrë fund,” theksoi Rama, duke vënë në dukje se deri më sot, në shumë raste, këto hapësira janë trajtuar si prona private, duke u zaptuar pa asnjë të drejtë.
Një tjetër element i rëndësishëm i paketës është edhe kufizimi i ndërhyrjeve të gjykatave. Kryeministri bëri të qartë se gjykatat nuk do të kenë më mundësi të japin masa sigurimi në favor të zaptuesve, duke i mbyllur rrugën praktikave të deritanishme që shpesh kanë zvarritur proceset ligjore dhe kanë bllokuar zbatimin e vendimeve.
Përveç aspektit juridik, një rol të drejtpërdrejtë do të marrin bashkitë, të cilat do të kenë detyrimin ligjor për administrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike.
Risi është krijimi i një fondi të gjelbër, i cili do të financohet nga ndërtuesit. Çdo subjekt që merr leje ndërtimi do të ketë detyrimin të kontribuojë për gjelbërimin, duke mbjellë pemë në raport me sipërfaqen e ndërtimit të kryer. Kjo synon të krijojë një ekuilibër mes ndërtimeve të reja dhe mjedisit, duke forcuar lidhjen mes zhvillimit urban dhe mbrojtjes së natyrës.
Gjithashtu, në lejet e reja të ndërtimit për objektet rezidenciale do të përfshihet një detyrim i posaçëm për parashikimin e hapësirave të dedikuara për fëmijët. Ky rregull i ri ka për qëllim të përmirësojë cilësinë e jetës në komunitete, duke u ofruar të vegjëlve hapësira të sigurta për lojë dhe zhvillim social.
“Ky është një hap i madh përpara për të garantuar funksionin social të pronës dhe për të rikthyer hapësirat publike aty ku u takojnë: te qytetarët. Nuk do të ketë më kompromise me ata që i kanë trajtuar këto hapësira si pronë private,” u shpreh Rama.