Anketa TALIS, rezultate pozitive për Shqipërinë

Shqipëria përfshihet për herë të parë në Anketën Ndërkombëtare të Mësimdhënies dhe të Nxënit TALIS, mes 55 sistemeve arsimore të OECD, ku shënon sukses në disa prej parametrave, shpesh edhe mbi mesataren e vendeve të tjera pjesëmarrëse.

Në takimin e zhvilluar me mësues dhe drejtues shkollash për të ndarë këto rezultate domethënëse, Kryeministri Rama theksoi se lajmi, në radhë të parë shkon si një mesazh tejet pozitiv për prindërit, të cilët ndajnë me mësuesit sfidat e përditshme të edukimit dhe arsimimit të fëmijëve të tyre. “Është një lajm shumë i mirë për prindërit në radhë të parë, që në një anketim prestigjoz ndërkombëtar për mësimdhënien dhe të nxënit mes 55 sistemeve arsimore në BE, në Europën përtej BE, përfshirë dhe vende jashtë BE, – mësuesit tanë kanë dalë mirë.” – u shpreh Kryeministri teksa theksoi se ky fakt përbën një motiv krenarie për performancën e mësuesve në tërësi.
“Duke qenë se në të gjitha shkallët e anketës, rezultatet kryesore për Shqipërinë reflektojnë motivim të mësuesve, reflektojnë dëshirë për profesionin, reflektojnë besim në zhvillimin e aftësisë së nxënësve dhe patjetër reflektojnë edhe konkretisht pastaj të gjitha këto në shkallën e formimit fillestar, në zhvillimin e vazhduar profesional, – sigurisht nuk kemi asnjë arsye pse të ndihemi në vështirësi për të qenë krenarë, përkundrazi ndjehemi krenarë për ju, ndjehemi krenarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë.” – u shpreh ai, ndërsa shtoi se mbështetja e mësuesve të rinj, ulja e ngarkesës së punës, në funksion të rritjes së cilësisë, si dhe integrimi gjithnjë e më i madh i teknologjisë, përfshirë dhe inteligjencën artificiale në praktikat e klasës, do të jenë disa nga objektivat e qeverisë për arsimin.