Forumi i parë i Investimeve BE – Ballkani Perëndimor mbahet në Tiranë
Forumi i parë i Investimeve BE – Ballkani Perëndimor, nisi sot punimet në Tiranë me pjesëmarrjen liderëve politikë të rajonit, investitorëve të rëndësishëm dhe liderëve të biznesit, në një dialogim strategjik për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE).
Në ditën e parë të punimeve të Forumit, Kryeministri Rama mikpriti Presidenten e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen, e cila ndër të tjera, nisi sot nga Tirana turin e saj në rajon.
Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes u mbajt në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e më pas Kryeministri Rama dhe Presidentja Von Der Leyen zhvilluan një takim kokë më kokë në Kryeministri, i cili u pasua nga takimi mes dy delegacioneve.
Në vijim, Kryeministri Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku kryeministri informoi se Shqipëria ka marrë një vlerësim shumë pozitiv sa i takon ecurisë së reformave. “Kemi folur për ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë në BE, një proces që në këndvështrimin tonë edhe për sa unë dëgjova nga Presidentja është duke ecur me shumë mbarësi dhe me shumë shpejtësi dhe nga ana tjetër folëm edhe për planin e ri të rritjes që BE, që Komisioni, nën udhëheqjen e Presidentes Von Der Leyen, i ka vënë në dispozicion Ballkanit Perëndimor, duke i dhënë mundësinë çdo vendi që përkundër axhendës së reformave dhe realizmit të objektivave në kuadër të kësaj axhende të financohet nga BE në mbështetje të thellimit të mëtejshëm të reformave. Më vjen shumë mirë që edhe në këtë pikë morën një vlerësim shumë pozitiv nga ana e Presidentes.” – u shpreh Kryeministri Rama.
Ndërsa Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dha një mesazh të qartë: Shqipëria është në rrugën e duhur drejt BE. “Mesazhi im i parë është shumë i qartë. Shqipëria është në rrugën e duhur drejt BE. Ju keni bërë një rrugë shumë të gjatë, keni bërë progres, por unë tani dua të theksoj që është një progres i mrekullueshëm, një shpejtësi rekord dhe një përshpejtim të vërtetë në tre vitet e fundit.”- nënvizoi ajo, teksa vlerësoi ambicien për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027. “Pesë nga gjashtë grupkapitujt janë tashmë të hapura dhe ne planifikojmë që ne të hapim të fundit këtë vjeshtë. Unë e di dhe përpjekjen tuaj personale zoti kryeministër dhe të ekipit tuaj që keni investuar në këtë udhëtim. Qëllimi juaj është që të mbyllni negociatat deri në vitin 2027. Kjo është ambicioze dhe ne në fakt na pëlqen ambicia.” – u shpreh ajo.
Në vijim, Kryeministri Rama dhe Presidentja e KE Ursula von der Leyen përshëndetën nisjen e Forumit të parë të Investimeve, i cili do të mbahet përgjatë dy ditëve në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama ftoi për përcaktimin e një udhërrëfyesi të përbashkët BE-Ballkani Perëndimor, që do t’i paraprijë integrimit të rajonit. “Ballkani Perëndimor nuk është një problem për t’u zgjidhur, por një zgjidhje që pret të integrohet. Le të përvijojmë së bashku një udhërrëfyes, ku stimujt tanë pikëtakohen me përparësitë tuaja, reformat tona i përgjigjen nevojave tuaja dhe ambiciet tona përputhen me nivelin europian.” – theksoi Kryeministri.
Zhvillimi i Forumit përbën një moment strategjik në integrimin ekonomik të rajonit me Bashkimin Evropian. Ai ofron mundësi për të tërhequr investimet e huaja direkte, për të nxitur inovacionin dhe për të përshpejtuar integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, duke nxitur në këtë mënyrë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në rajon.
Në kuadër të Forumit u shkëmbyen një seri letrash qëllimi (LOI) që i paraprijnë marrëveshjeve mes vendeve me interes të ndërsjellë.