The Times – Edi Rama, lideri që magjeps me pikturat e tij
Shtati i tij imponues dhe gjestet e tij tërheqëse, tashmë të njohura në qarqet europiane, kryeministri shqiptar ka marrë tani edhe një rol të ri në një galeri të Berlinit.
Si kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë, Edi Rama ka fituar një reputacion global për lidershipin e tij karizmatik, ndonese konvencional. Pas një periudhe si basketbollist profesionist, ai u shndërrua në politikanin më të fuqishëm të vendit, ndërsa gjestet e tij plot ngjyra kanë bërë që edhe liderë botërorë si Giorgia Meloni, kryeministrja e Italisë, të skuqen.
Tani është puna e Ramës si artist që ka kaluar në qendër të vëmendjes, pasi një galeri e rëndësishme gjermane ka nënshkruar për të promovuar artin e tij.
Galeria “Société” në Berlin njoftoi se ka shtuar Ramën, i cili ka ekspozuar tri herë në Bienalen e Venecias ne listen prej dy duzinash artistesh. Veprat e liderit socialist 61-vjeçar, akuarele të gjalla dhe bazamente qeramike me degëzime bronzi në formë koralesh – do të ekspozohen këtë vjeshtë në panairet Frieze London dhe Art Basel Paris, përpara një ekspozite personale në Berlin, prillin e ardhshëm.
Për mbështetësit e tij, ky është një shpërblim i merituar për një njeri që ka revolucionarizuar artin shqiptar, duke hapur një rrugë të re përtej realizmit socialist monoton, për të kapur ringjalljen post-komuniste të vendit. Për kritikët, kjo është një fushatë ndërkombëtare PR-i, që synon të largojë vëmendjen nga skandalet e korrupsionit që kanë shoqëruar pjesën më të madhe të 12 viteve të tij në pushtet.
Rama me formim nga Akademia e Arteve në Tiranë, ku më pas dha edhe mësim si pedagog, dhe kaloi disa vite në Paris përpara se të ekspozonte në Qendrën Pompidou të qytetit, si edhe në Shtetet e Bashkuara, përfshirë Nju Jorkun.
Oltsen Gripshi, artist bashkëkohor dhe kritik shqiptar, i cili vitin e kaluar botoi një libër mbi artin e Ramës, e ka përshkruar veprën e tij si neo-ekspresioniste dhe të frymëzuar nga Kandinsky.
“Ka revolucionarizuar mënyrën se si e shohim realitetin,” tha Gripshi për The Times. “Nuk mund ta ngatërroni me asnjë tjetër artist, e dalloni vepren e tij nga kilometra larg.”
Karriera e Ramës mori një kthesë kur ai u kthye në Shqipëri për të shërbyer si ministër kulture në vitin 1998. Dy vite më vonë u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke tërhequr vëmendje ndërkombëtare me ngjyrosjen e pallateve të zymta të periudhës komuniste me ngjyra të guximshme.
Megjithatë, ai nuk e ndërpreu kurrë vizatimin, duke skicuar gjatë takimeve me zyrtarë dhe personalitete, si dhe duke krijuar qeramika në studion e një miku në Tiranë, në kohën e lirë.
Ndërsa arti ka qenë shpesh një hobi për liderët botërorë — George W. Bush pikturoi veteranë ushtarakë, Winston Churchill prodhoi peizazhe dhe Francisco Franco realizoi vizatime hiper-realiste, ndersa për Ramën arti ka qenë pjesë përbërëse e procesit të tij të të menduarit.
“E bën ndërkohë që punon dhe pothuajse ka nevojë ta bëjë për të punuar,” tha Julia Ballantyne-Way, galeristja e Société. “Ai thotë hapur se është një dëgjues shumë më i mirë dhe ndihet i pasigurt kur nuk ka një stilolaps në dorë.”
Ballantyne-Way e përshkroi Ramën si një shtesë unike në listën e Société, duke theksuar: “Ne nuk kemi ndonjë tjetër artist-politikan.” Ajo shtoi se “ ishte koha e duhur” për ta firmosur atë, pasi u mahnit nga një ekspozitë e tij në Paris vitin e kaluar.
Ekspozita e Berlinit do të përfshijë rreth shtatë vepra të papublikuara më parë, duke përfshirë skulpturën e tij të parë në ambient të hapur, me fokus në krijimet prej bronzi dhe qeramike.
Angazhimet e ardhshme artistike mund të shërbejnë edhe si një arratisje e mirëpritur nga presioni politik në rritje. Në shkurt, organi më i lartë i mbikëqyrjes gjyqësore në Shqipëri e akuzoi Ramën për minimizimin e pavarësisë së drejtësisë, pasi ai kritikoi autoritetin anti-korrupsion të vendit pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, një aleat i ngushtë, nën akuzat për korrupsion.
Tre muaj më vonë, ai fitoi një mandat të katërt historik me premtimin për ta anëtarësuar Shqipërinë në BE deri në vitin 2030. Ditë më pas u bë sërish kryelajm kur u ul në gjunjë para Giorgia Melonit, e cila kishte hapur dy qendra emigrantësh në det të hapur në Shqipëri në vitin 2023, duke i shtrënguar dorën në tapetin e kuq të samitit të BE-së në Tiranë.
Armando Lulaj, artist bashkëkohor dhe kritik i kahershëm i Ramës, e quajti artin e kryeministrit “një manovër PR-i për të pastruar imazhin e tij”, duke e akuzuar për shtypjen e kritikëve në art përmes mosfinancimit publik.
“Përdor artin për t’i bindur të tjerët se është një intelektual i sofistikuar i majtë, qe ndihet i qetë në sallonet elitare,” tha Lulaj.
Ermal Hasimja, komentator i njohur politik shqiptar dhe kundërshtar i Ramës, tha për kryeministrin: “I pëlqen të shihet si artist… dhe i pëlqen të tërheqë vëmendjen.”
Megjithatë, Ballantyne-Way i hodhi poshtë pretendimet se arti i Ramës shërben si menaxhim imazhi, duke i quajtur ato “te pakuptimta”.
“Ai ishte artist fillimisht dhe hyri më vonë në politikë, jo anasjelltas,” tha ajo. “Ai është në të vërtetë një artist që vazhdon të bëjë art ndërkohë që merret me politikë.”