Konkursi ndërkombëtar për transformimin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi

Hapësira e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë do të transformohet falë një projekti ambicioz, për të cilin po garojnë në një konkurs ndërkombëtar, 6 skuadra finaliste, të cilat do të prezantojnë përpara jurisë ndërkombëtare projekt-idetë e tyre arkitekturore.

Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në çeljen e fazës finale, ku tha se Pallati i Sportit “Asllan Rusi” ka qenë një pikë referimi, në një histori të gjatë përpjekjesh dhe sfidash sportive, që meriton një formë të re, një forcë të re dhe një vëmendje të re.

“Jemi edhe njëherë tjetër në një konkurs ndërkombëtar për një ide të kahershme për një tjetër projekt shumë ambicioz, rilindjen e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, i cili ka qenë një pikë referimi në një histori të gjatë përpjekjesh dhe sfidash sportive dhe që sot në një kohë të re meriton një formë të re, një forcë të re dhe një vëmendje të re. Kam shumë besim që me këtë projekt do të rikthejmë pikërisht atë frymë dhe atë energji të pazëvendësueshme të hapësirës së Asllan Rusit.” – u shpreh ai, ndërsa theksoi se transformimi i Pallatit përmes projektit të ri, do t’i japë mundësinë Shqipërisë të jetë një kandidaturë e besueshme për të patur finale apo ndeshje të niveleve më të larta europiane.

“Shqipëria sot është në kohën kur synon shumë lartë edhe në aspektin e pjesëmarrjes në kompeticione ndërkombëtare. Zhvillimi i finales së Konferencë Ligës në futboll ishte një kulminacion i një larmie aktivitetesh ndërkombëtare, që zhvillohen në Shqipëri dhe synimi për të luajtur në Shqipëri finalet e Kupës së Kampioneve të Europës apo të Superkupës Europiane edhe në basketboll apo në volejboll nuk është i paarritshëm. E ndërkohë, që ne kemi pasur kontakte me federatat ndërkombëtare dhe janë interesuar dhe për kapacitetet, ky projekt, ky pallat sporti që shpresoj ta realizojmë në një kohë të arsyeshme, do të na japë mundësinë që të kemi një kandidaturë shumë të besueshme të Shqipërisë për të pasur këtu edhe finale apo ndeshje të atyre niveleve më të larta europiane.” – u shpreh kryeministri Rama.