Forumi i Investimeve Shqipëri-Turqi 2025

Forumi i Investimeve Shqipëri-Turqi 2025 bëri sot bashkë, në Tiranë, mbi 1500 pjesëmarrës, nga të dy vendet, investitorë, sipërmarrës e drejtues të lartë institucionesh, duke shënuar, një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim, zhvillim dhe investime dypalëshe në sektorë strategjikë, si ndërtimi, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, turizmi, bujqësia e industria ushqimore.

Forumi i organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) në bashkëpunim me MÜSİAD Albania është i konceptuar në panele tematike, diskutime interaktive dhe takime të drejtpërdrejta “business to business” dhe “business to government”, që synojnë të ofrojnë mundësi konkrete për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash midis bizneseve dhe institucioneve.

Kryeministri Rama përshëndeti pjesëmarrësit përmes një videomesazhi, ku vlerësoi miqësinë mes vendeve, si një rrugë të konsoliduar për një partneritet që forcohet çdo ditë.

“Shqipëria e Turqia janë ato dy duar që duartrokasin së bashku historinë e miqësie që nuk njeh kthesa, e një partneriteti që forcohet çdo ditë, dhe një horizonti që hapet gjithnjë më gjerë përpara nesh.” – u shpreh Kryeministri, ndërsa ftoi investitorët të vijnë në Shqipërinë e mundësive të reja.

“Shqipëria sot është një vend i hapur, një ishull i bukur mundësish, një ishull ku mund të shumëfishosh investimin tënd dhe jo në shumë, në pak vite. Me taksa fare të ulëta, me energji të gjelbër, me një turizëm në rritje, me teknologji që zhvillohet përditë dhe me një treg që e pret krahëhapur sipërmarrjen turke.” – u shpreh ai.

Në Shqipëri janë të pranishme aktualisht 658 kompani me pronësi turke dhe 80 të tjera me kapital të përbashkët.