Kumbaro takim me Komisioneren Ekaterina Zaharieva: Shqipëria rrit investimet për inovacion
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, mori pjesë në Ministerialin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin, të zhvilluar në Mal të Zi, ku në qendër të diskutimeve ishin infrastrukturat kërkimore dhe inteligjenca artificiale.
Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro prezantoi përpara Komisioneres Evropiane për Startup, Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin, Ekaterina Zaharieva dhe homologëve nga rajoni, zhvillimet më të fundit të Shqipërisë në këtë fushë, duke theksuar rritjen e fondeve për kërkimin shkencor, ndërkombëtarizimin e universiteteve dhe dyfishimin e investimeve në infrastrukturën kërkimore.
Gjatë takimit bilateral me Komisioneren Zaharieva, u vu në pah angazhimi i qeverisë shqiptare për përmirësimin e cilësisë së kërkimit shkencor, integrimin e inteligjencës artificiale në arsimin parauniversitar dhe bashkëpunimin me diasporën akademike.
“Përmes programeve të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, një fokus të veçantë po i jepet si bashkëpunimeve me diasporën akademike, ashtu edhe mbështetjes së studimeve të doktoraturës sipas fushave prioritare, ndërsa implementimin e Inteligjencës Artificiale e kemi nisur që në arsimin parauniversitar për të krijuar një zinxhir të qëndrueshëm të përdorimit të Inteligjencës Artificiale në shërbim të shkencës. Duam që universitetet shqiptare të kthehen në pole zhvillimi rajonal, që jo vetëm përgatisin studentë, por krijojnë dije të re dhe gjenerojnë zgjidhje për industrinë dhe politikëbërjen,” u shpreh ministrja Kumbaro.
Komisionerja Zaharieva përgëzoi Shqipërinë për përparimin dhe angazhimin në drejtim të përdorimit të inovacionit dhe teknologjisë në kërkimin shkencor, duke e cilësuar këtë si një orientim të rëndësishëm drejt standardeve evropiane.
Në Podgoricë, ministrja Kumbaro zhvilloi gjithashtu një takim me homologen malazeze, Andjela Jaksic-Stojanovic, ku u diskutua forcimi i bashkëpunimit në fushën e arsimit, kërkimit dhe inovacionit, zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese dhe mundësitë për projekte të përbashkëta ndërkufitare që përfshijnë mobilitetin akademik dhe arsimin profesional.