Londër, Kryeministri Rama në panelin e Chatham House, “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europia

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Londër për të marrë pjesë në punimet e Samitit vjetor të Procesit të Berlinit, edicioni i të cilit për këtë vit mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, me praninë e kryetarëve të qeverive, përfaqësuesve të nivelit të lartë të BE-së dhe vendeve partnere të Procesit të Berlinit, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe organizatave rajonale të përfshira në proces.

Kryeministri ishte sot pjesë e Panelit të Chatham House, me temë “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian” një diskutim mbi sfidat e secilit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.

Kryeministri ritheksoi se pjesa dërrmuese e shqiptarëve i besojnë Europës dhe anëtaërësimit në Bashkimin Europian. “Unë kisha besim edhe në kohën kur ishte qesharake për të pasur besim, por jo vetëm unë, por pjesa dërrmuese e shqiptarëve, më shumë se 90% e tyre i besojnë Europës dhe Bashkimit Europian, anëtarësimit në të sepse për ne nuk është asgjë, pos asaj që ishte për eterit themelues që më së fundi të jemi në pozitën ku zgjedhim lirisht të jemi dhe jemi të sigurt. Për ne, kjo është një bindje shumë e fortë, një besim i patundur dhe çfarëdo që të duhet do të jemi pjesë e betejës për të qenë pjesë.” – tha ai.

Pyetjes se a ka një tjetër alternativë për qeverinë shqiptare përkundrejt Bashkimit Europian, Kryeministri iu përgjigj se “Të gjithë ata që duan liri, të gjitha liritë përfshirë lirinë e lëvizjes, të gjithë ata që duan që të drejtat e njeriut të jenë të padiskutueshme përherë dhe të gjithë ata që duan që shteti i së drejtës të jetë i paprekshëm ka vetëm një alternativë, Bashkimin Europian.”