Balluku: Nga pritjet e gjata te shërbimi digjital, DPSHTRR si model i reformës në shërbimet publike
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi sot drejtuesin e ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Kreshnik Bajraktari, duke vlerësuar transformimin e institucionit gjatë viteve të fundit. Në takim morën pjesë drejtorët rajonalë dhe drejtues të zyrave të shërbimit në mbarë vendin, ndërsa Balluku theksoi se DPSHTRR është sot një model i shërbimit publik dhe se reforma e nisur në vitin 2018 do të vijojë për të rritur më tej cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimeve për qytetarët.
Ministrja kujtoi se para vitit 2018, marrja e një leje drejtimi kërkonte javë të tëra pritjeje, ndërsa sot proceset janë thjeshtuar dhe shpejtuar falë investimeve teknologjike dhe riorganizimit të brendshëm. Prej vitit 2019 janë hapur 17 zyra të reja shërbimi, duke dyfishuar mbulimin territorial me zyra shërbimi dhe drejtori rajonale, të cilat afrojnë DPSHTRR me çdo qytetar. Në këtë periudhë janë ofruar 424 mijë shërbime më shumë krahasuar me vitin 2018 dhe në total ofrohen nëntë herë më shumë shërbime se disa vite më parë. Si rezultat, qytetarët kanë kursyer 21 milionë kilometra udhëtim, mbi 1.4 milionë litra karburant dhe rreth 260 milionë lekë shpenzime.
Një tjetër element i rëndësishëm i reformës ka qenë përmirësimi i kushteve të trajnimit për drejtuesit e rinj të mjeteve. Poligonet e Fushë-Prezës dhe Vlorës tashmë konsiderohen qendra trajnimi me standarde evropiane. Çdo vit përgatiten rreth 25 mijë drejtues të rinj automjetesh, ndërsa vetëm gjatë periudhës 2023-2025 janë trajnuar mbi 75 mijë pjesëmarrës, duke krijuar një sistem të bazuar në aftësi praktike dhe disiplinë rrugore.
Në funksion të rritjes së sigurisë rrugore është forcuar edhe procesi i rikualifikimit të drejtuesve që humbin pikët e lejes së drejtimit. Vetëm 13.4% e 2359 aplikantëve që kanë hyrë në fazën e riprovimit kanë arritur të rikthejnë lejen e drejtimit, çka sipas Ballukut siguron që në qarkullim të kthehen vetëm drejtues të ndërgjegjshëm dhe të disiplinuar. Nga ana tjetër, reforma e kolaudimit është kthyer në një shembull transparence. Që prej vitit 2020 janë kolauduar mbi 1.6 milionë mjete, ndërsa 490 mijë automjete janë refuzuar për shkak të problemeve teknike, duke ndaluar qarkullimin e mjeteve të pasigurta në rrugë.
Digjitalizimi ka luajtur rol të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve. Sot qytetarët mund të testojnë online njohuritë teorike për marrjen e lejes së drejtimit, me mbi 457 mijë testime të kryera përmes platformave digjitale, të aksesueshme në telefon apo kompjuter. Kjo ka shkurtuar burokracitë dhe ka rritur shpejtësinë e procesit, duke sjellë një standard të ri shërbimi publik.
Në përfundim, Balluku u shpreh se DPSHTRR do të vijojë rrugën e reformimit nën drejtimin e Kreshnik Bajraktarit, duke theksuar se bashkëpunimi me stafet rajonale dhe fokusi tek inovacioni do të jenë çelësi për të rritur më tej cilësinë, transparencën dhe efikasitetin e shërbimeve për qytetarët.
 
                     
                            