Bashkëpunimi transatlantik në energji, Balluku: Shqipëria synon të bëhet eksportuese neto deri në vitin 2030
Takimi i 6-të i Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energji (P-TEC), i zhvilluar në Athinë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe vendeve të Evropës Qendrore e Juglindore për rritjen e sigurisë energjetike dhe zvogëlimin e varësisë nga burimet ruse. Një marrëveshje e re e nënshkruar nga Greqia për rritjen e aksesit ndaj gazit të lëngshëm amerikan u vlerësua si hap strategjik për stabilitetin energjetik të rajonit.
Gjatë sesionit ministerial, Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se Shqipëria synon që deri në vitin 2030 të kalojë nga vend importues në vend eksportues neto të energjisë. Ajo prezantoi projektet kryesore të interkonjeksionit elektrik, përfshirë korridorin VIII energjetik, korridorin Lindje-Perëndim që lidh Rumaninë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Italinë, si dhe linjën nënujore të transmetimit drejt Italisë. Ky investim u vlerësua nga pjesëmarrësit si i rëndësishëm për sigurinë energjetike të Evropës Juglindore.
Në P-TEC 6 u theksua gjithashtu ndikimi i teknologjive të reja, veçanërisht inteligjencës artificiale, në rritjen e efikasitetit të prodhimit dhe menaxhimit të energjisë në tregjet evropiane. Sekretari Amerikan i Energjisë, Chris Wright, vuri në dukje se bashkërendimi transatlantik është thelbësor për ndërtimin e një sistemi energjetik të qëndrueshëm dhe të pavarur, ndërsa Sekretari Amerikan i Punëve të Brendshme, Doug Burgum, theksoi rëndësinë e sektorit energjetik për sigurinë globale.