Prezantimi i projektit të ri kombëtar “OSHEE Charge”
“OSHEE Charge”, është projekti i ri kombëtar, i cili shton një shërbim të ri publik për karikimin e mjeteve elektrike, si një hap i rëndësishëm drejt energjisë së pastër dhe transportit ekologjikisht të qëndrueshëm.
Kryeministri Rama tha se ky lajm i mirë vjen në një moment shumë pozitiv për sektorin e energjisë, ku inovacioni ka zënë hapësirën e vet, duke lënë përgjithmonë pas, një periudhë të erret të sektorit. “Ky është një lajm shumë i mirë, i cili vjen në një moment shumë pozitiv për sektorin e energjisë, ku nuk punohet më në emergjencën e tmerrshme të ditës me ato historitë që tanimë duken sikur nuk i kemi jetuar ne dhe na duket e pabesueshme që t’i kemi jetuar ne, por që në fakt kanë qenë histori të lodhshme, rraskapitëse në një periudhë kohe që zgjati deri jo dhe aq shumë vite më parë.” –u shpreh kryeministri, ndërsa njoftoi edhe një tjetër risi për konsumatorët: “Sot kemi këtë inovacion, ndërkohë që besoj brenda vitit të ardhshëm do të kemi dhe fillimin e punës transformuese për matësat e energjisë, duke kaluar në sistemin e matësave inteligjentë me një parti të parë prej rreth 350 mijë matësash dhe brenda këtij mandati besoj që do të përmbyllim edhe këtë proces, që patjetër do ta ulë edhe më shumë nivelin e humbjeve teknike në rrjet, duke e çuar padiskutim në mesataren e poshtme të BE, por edhe do të rrisë cilësisht faturimin e çdo konsumatori.” – u shpreh ai.
Kryeministri pohoi ndër të tjera se sektori është në rrugën e duhur dhe se Shqipëria 2030 do të jetë një vend sovran në aspektin energjetik. “Besoj shumë që jemi në rrugën e duhur dhe besoj shumë që OSHEE dhe gjithë sektori energjetik do na japë arsye të tjera madhore për të dhënë lajme të mira për publikun dhe për të vazhduar të forcojmë bazat e rrugës sonë për Shqipërinë 2030. Por vet fakti që Shqipëria 2030 do të jetë një vend sovran në aspektin energjetik, i thotë të gjitha të tjerat.” – u shpreh Kryeministri.
“OSHEE Charge” është vetëm pilotimi i parë, pasi parashikohet që menjëherë, vetëm në Tiranë të ngrihen edhe tre pika të tjera. Synimi kryesor janë zonat turistike, korridoret qendrore të ndërlidhjes dhe mbi të gjitha pikat kufitare.