Shqipëria mikpret Konferencën Vjetore të IAIS
Shqipëria mikpriti sot një tjetër aktivitet prestigjioz ndërkombëtar, Konferencën Vjetore të IAIS (Organizata Botërore e Mbikëqyrësve të Sigurimeve), mbledhja më e madhe e mbikëqyrësve të sigurimeve, e cila zhvillohet për herë të parë në rajonin e Ballkanit.
Në fjalën përshëndetëse të mbajtur me këtë rast, Kryeministri Edi Rama theksoi se modernizimi i mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve në Shqipëri dhe harmonizimi gradual me standardet e Bashkimit Europian përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt një sistemi financiar më të sigurt dhe më të integruar.
Ai nënvizoi se një qasje gjithëpërfshirëse, që bashkon sigurimet, fondet rezervë dhe planifikimin buxhetor, mund të reduktojë ndjeshëm rreziqet fiskale nga katastrofat natyrore. Po ashtu, orientimi i sistemeve financiare drejt praktikave më të gjelbra është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
“Përparimi është tashmë i dukshëm siç theksohet edhe në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Europian. Modernizimi i mbikqyrjes së sigurimeve në Shqipëri dhe harmonizimi gradual në standardet e BE shënojnë një hap të rëndësishëm, drejt një sistemi më të sigurt dhe të integruar financiar. Përpjekjet modernizuese në Shqipëri i çelin rrugën një rrjeti më të sigurt dhe të integruar financiar. Një strategji gjithëpërfshirëse që bën bashkë sigurimet, fondet rezervë dhe buxhetimin, mund të zbutë në mënyrë të jashtëzakonshme rreziqet fiskale nga katastrofat natyrore. Për më tepër orientimi i sistemeve tona financiare drejt praktikave më të gjelbra është jetike.” – u shpreh Kryeministri, teksa theksoi rëndësinë strategjike të bashkëpunimit ndërkombëtar përballë sfidave të sotme globale. “Sfidat tona janë të pamata, por po kështu janë edhe mundësitë. Së bashku përmes inovacionit, bashkëpunimit dhe angazhimit, ne mund të transformojmë pasigurinë në rezistencë, kompleksitetin në forcë dhe krizën në mundësi të reja.” – tha ai.
Kryeministri vuri theksin ndër të tjera tek roli i digjitalizimit dhe mikro-sigurimeve për të shtuar aksesin dhe përfshirjen, ndërsa theksoi se koordinimi rajonal, ndarja e riskut dhe partneritetet me industrinë mbeten të domosdoshme për rritjen e qëndrueshmërisë.
Në përfundim, Kryeministri Rama ftoi të pranishmit të ndajnë kohën mes punimeve të konferencës dhe shijimit të mikpritjes së Tiranës.