Arsimi me buxhet rekord në 2026: rritje pagash, infrastrukturë moderne dhe mbështetje për nxënësit
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, prezantoi ditën e sotme në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet të Kuvendit, projektbuxhetin 2026, i cili parashikon rritje të ndjeshme të fondeve për mësuesit, infrastrukturën shkollore, digjitalizimin dhe lidhjen e teknologjisë me procesin e të nxënit.
Shqipëria do të ketë buxhetin më të lartë nominal për arsimin në vitin 2026, me 64.8 miliardë lekë të planifikuara për Ministrinë e Arsimit dhe një total që arrin rreth 90 miliardë lekë, ku përfshihen financimet shtesë nga aktorë të tjerë. Kjo përbën një rritje prej 4,6% krahasuar me buxhetin e vitit 2025.
Një pjesë e konsiderueshme e fondit i dedikohet arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, me 146 milionë euro të planifikuara nga buxheti i shtetit dhe 39 milionë euro të ardhura nga vetë universitetet, duke e çuar totalin në 185 milionë euro. Ministrja theksoi se prioritet mbeten ndërkombëtarizimi dhe integrimi evropian i universiteteve, hapja të programeve të përbashkëta me diploma të dyfishta, rritja e cilësisë akademike, forcimi i integritetit dhe transparencës, mbështetja e studentëve me bursa dhe tarifa më të ulëta, si dhe investimet në digjitalizimin e institucioneve të arsimit të lartë.
Për infrastrukturën universitare janë parashikuar 18.3 milionë euro investime për vitin 2026. Këto fonde do të mbështesin rindërtimin e godinës së Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, rikonstruksionin e Fakultetit të Gjeologji-Minierave dhe ndërtimin e Muzeut të Gjeologjisë, si edhe projekte të reja në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, Universitetin e Sporteve dhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan. Po ashtu, do të financohen 40 projekte të infrastrukturës së kërkimit shkencor me një fond prej 3.5 milionë eurosh.
Rritja e pagave në sektorin e arsimit do të vijojë edhe në vitin 2026. Mësuesit do të përfitojnë 36 mijë lekë shtesë në vit. Në fondin e personelit përfshihen edhe kategori të veçanta si mësuesit ndihmës për fëmijët me aftësi ndryshe, psikologët, oficerët e sigurisë, koordinatorët e cilësisë dhe të karrierës, si dhe pagesat për programet pas-shkollore dhe programet sportive në shkolla. Ndërsa, rreth 10,600 punonjës të shërbimit dhe staf mbështetës do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj. Për 715 punonjës të administratës së Ministrisë së Arsimit do të ketë një rritje prej 5 mijë lekësh në muaj.
Projektbuxheti parashikon gjithashtu transport falas për 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues që udhëtojnë në distanca të largëta, me një kosto prej 12.5 milionë eurosh. Tekstet shkollore do të jenë falas për 236 mijë nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe për rreth 12 mijë nxënës në nevojë në arsimin e mesëm të lartë, me një fond prej 1 miliard lekësh.
Ministrja Kumbaro e cilësoi buxhetin 2026 si një angazhim për të garantuar mundësi të barabarta dhe arsim cilësor, duke theksuar se investimet në mësues, laboratorë dhe infrastrukturë synojnë të modernizojnë sistemin arsimor dhe ta afrojnë atë me standardet evropiane.