MEPJ: Shqipëria hap grupkapitullin e fundit të negociatave me BE
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot se Shqipëria ka hapur zyrtarisht grupkapitullin e fundit të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, një zhvillim që shënon përfundimin e fazës së hapjes së të gjithë kapitujve dhe një arritje historike në rrugën e integrimit.
Gjatë Konferencës së 7-të Ndërqeveritare në Bruksel, u hapën negociatat për grupkapitullin “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”, që përfshin Kapitujt 11, 12, 13, 22 dhe 33. Ministria theksoi se ky hap vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i reformave të ndërmarra nga institucionet shqiptare dhe i bashkëpunimit të ngushtë me Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare.
Sipas ministrisë, hapja e grupkapitullit të fundit konfirmon ritmin e përshpejtuar të punës së Shqipërisë në procesin e negociatave, duke arritur progres të konsiderueshëm brenda vetëm 12 muajsh. MEPJ e cilëson këtë etapë si dëshmi të angazhimit institucional për standardet evropiane dhe të besimit që BE ka në transformimin e vendit.
Delegacioni shqiptar në Bruksel u kryesua nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa në tryezë morën pjesë Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos dhe Ministrja daneze e Punëve të Jashtme, Marie Bjerre, përfaqësuese e vendit që mban Presidencën e radhës të BE-së.
MEPJ thekson se Shqipëria hyn tani në një fazë të re të negociatave: mbylljen e kapitujve, proces që kërkon thellim të reformave, forcim të sundimit të ligjit, rritje të transparencës, konsolidim institucional, avancim të reformave ekonomike dhe përafrim të plotë me kuadrin ligjor dhe rregullator të BE-së. Objektivi mbetet i pandryshuar: mbyllja e negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi në BE brenda kësaj dekade.
Mbrëmjen e djeshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi ceremoninë e çeljes së godinës së re të Misionit të Shqipërisë pranë BE-së. Gjatë eventit, ambasadori Ferit Hoxha theksoi se Shqipëria ka ruajtur gjithmonë besimin në projektin evropian dhe ka punuar vazhdimisht për të avancuar procesin e anëtarësimit.
Ministria shpreh mirënjohjen për Komisionin Evropian, shtetet anëtare dhe partnerët që kanë mbështetur Shqipërinë në këtë proces, duke nënvizuar se integrimi evropian është një projekt kombëtar dhe angazhim i palëkundur i institucioneve shqiptare