Bruksel, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos: Shqipëri, vazhdo kështu. Ne po përgatisim një shtëpi për ju në Evropë

Shqipëria mbërrin në një moment historik në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, me hapjen e Grup-Kapitullit V “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”, në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, që u mbajt sot në Bruksel.

Ky është grupkapitulli i fundit që hapet për vendin tonë dhe përfaqëson një pikë kthese strategjike, pasi përmbyll formalisht fazën e hapjes së të 33 kapitujve të negociatave brenda një periudhe vetëm njëvjeçare, duke u bërë një prej vendeve me ecurinë më të shpejtë dhe më koherente në rajon në këtë proces.

Kryeministri Rama, ishte në krye të delegacionit shqiptar, së bashku me Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve përgjegjëse, me një axhendë që përcolli gatishmërinë, maturinë dhe ambicien e Shqipërisë në fazën e re të negociatave.

Pas përfundimit të punimeve, Kryeministri Rama, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës Marie Bjerre (Presidenca e radhës e BE-së) mbajtën një Konferencë të përbashkët për shtyp.

Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos përgëzoi punën e qeverisë shqiptare dhe në mënyrë të veçantë angazhimin personal të kryeministrit Rama në të gjithë këtë proces. “Çelja e të 6-të grupkapitujve në 13 muaj është deklarata më e fortë e angazhimit tuaj personal, i dashur Edi.” – u shpreh ajo gjatë konferencës, teksa iu drejtua me një mesazh popullit shqiptar. “Mesazhi që kam për qytetarët e Shqipërisë është se kjo është falë gjithë punës tuaj. Ne mund të ndihmojmë, jemi krah jush, por jeni ju ata që po jepni rezultate dhe në momentin që keni marrë statusin kandidat, është përgjegjësia juaj, duhet të jetë angazhimi juaj për të patur sukses në rrugëtimin europian, por në të njëjtën kohë është përgjegjësia dhe përkushtimi i Bashkimit Europian, i Komisionit dhe shteteve anëtare.” – theksoi ajo, duke e bërë të qartë se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është i afërt. “Shqipëri, vazhdo kështu. Ne po përgatisim një shtëpi për ju në Evropë.” – tha mes të tjerash ajo.

Në të njëjtën linjë qëndroi edhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës Marie Bjerre teksa pohoi se nëse ruhet ritmi me të cilin është punuar deri tani, anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të arrihet në një të ardhme shumë të afërt.

“E inkurajoj Shqipërinë që të ruajë këtë vrull reformash dhe të nxitë dialogët gjithëpërfshirës politikë. Është vërtetë mbresëlënëse sesa shpejt po jepni rezultate. Në qoftë se Shqipëria vazhdon në këtë drejtim me të njëjtin fokus, ritëm dhe cilësi që kemi parë deri tani, jam e sigurt që anëtarësimi do të arrihet në një të ardhme shumë të afërt. Shqipëria i përket familjes evropiane. Gjithçka mund të them është vazhdoni kështu dhe do të jeni pjesë e BE më shpejt sesa vonë.” – u shpreh në deklaratën e saj Marie Bjerre, Ministre e Punëve të Jashtme të Danimarkës, vend i cili mban presidencën e radhës së BE.

Ndërsa Kryeministri Rama e përkufizoi ditën e sotme si një ditë krenarie, me përgjegjësi të shtuara, teksa premtoi se do të punohet me të njëjtin intensitet që ky proces të mos ndalet.

“Ç’të thuash më shumë sot, Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë, e madje me një ndjenjë edhe më të madhe përgjegjësie. Ashtu siç tha Marta ne nuk përfaqësojmë këtu parti politike apo vetëm një pikëpamje politike, përfaqësojmë këtu një komb të tërë që mbështet si askush tjetër Bashkimin Europian dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian, më shumë se sa 90 % e qytetarëve tanë. Do bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, me të njëjtën disiplinë dhe me të njëjtën punë të madhe për të dhënë rezultate, e për tu siguruar që ky proces i përbashkët që po e ndërtojmë gurë pas guri, së bashku me partnerët tanë këtu në Bruksel dhe me partnerët tanë në shtetet anëtare, të mos ndalet.” – u shpreh ai.

Në përfundim të vizitës në Bruksel, Kryeministri Rama përmes një videoje prezantoi një pjesë të skuadrës së profesionistëve të angazhuar me negociatat, të cilët ishin të pranishëm në çeljen e grupkapitullit të fundit.

“Kjo është pjesë e skuadrës së negociatave që drejtohen nga këto dy zonja, Majlinda dhe Adea, dhe që sot ishin të pranishëm në mbledhjen e fryteve të para të punës së tyre, pasi u hapën të gjithë kapitujt dhe dua t’i falënderoj me respekt dhe admirim të gjithë negociatorët dhe qindra të tjerët që nën drejtimin e tyre, e bëjnë krenare Shqipërinë këtu në Bruksel, dhe nuk është e lehtë.” – falënderoi Kryeministri Rama.