Paketa Fiskale 2026: Pa rritje taksash dhe më shumë mbështetje për familjet, fermerët dhe bizneset
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Paketën Fiskale për vitin 2026, duke theksuar se ajo nuk parashikon rritje taksash, por synon thjeshtimin e sistemit fiskal, rritjen e produktivitetit dhe mbështetjen e qëndrueshme për qytetarët dhe sipërmarrjen. Ai e përshkroi paketën si një instrument të zhvillimit ekonomik që vendos baza më të forta për administrim modern dhe për një praktikë tatimore më transparente.
Një nga risitë kryesore të vitit 2026 është aplikimi i zbritjes prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë nën 18 vjeç nga Deklarata Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) e prindërve, masë që synon të ulë ndjeshëm barrën tatimore për familjet. Sipas vlerësimeve, kjo politikë do të kthejë rreth 1.5 miliardë lekë më shumë në buxhetet familjare.
Një tjetër masë e rëndësishme ka të bëjë me bujqësinë, ku qeveria ka vendosur të kompensojë TVSH-në me 10%, duke siguruar për fermerët një mbështetje prej 1.5 miliardë lekësh në vitin 2026. Ky fond pritet të rritet në mbi 3 miliardë lekë në vitin 2027. Ministri Malaj tha se kjo politikë do të sigurojë mbështetje direkte dhe të ndershme për prodhuesit bujqësorë dhe blegtoralë, duke i inkurajuar të dokumentojnë çdo furnizim dhe transaksion.
Pjesë qendrore e paketës është edhe nisma e quajtur “Paqja Fiskale”, e cila synon zgjidhjen e detyrimeve të prapambetura tatimore dhe doganore përmes dy projektligjeve përkatëse. “Marrëveshja e Paqes Fiskale”, që do të zbatohet gjatë periudhës 2026-2028, u jep subjekteve mundësinë të rregullojnë detyrimet e tyre me norma të reduktuara tatimi mbi fitimin e deklaruar. Ndërsa, projektligji për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore parashikon skema të diferencuara për borxhet 0-10 vite, duke përjashtuar qartë subjektet nën hetim penal, si dhe faljen e plotë të detyrimeve që datojnë më shumë se 10 vite më parë.
Për të kufizuar përdorimin e tepërt të parasë cash dhe për të nxitur transaksionet elektronike, paketa vendos një kufi prej 100,000 lekësh për pagesat cash midis bizneseve dhe 500,000 lekësh për pagesat në marrëdhënien biznes-konsumator. Gjithashtu, të gjitha bizneset që operojnë në sektorin e turizmit dhe transportit do të duhet të garantojnë forma alternative të pagesave elektronike deri më 30 maj 2026, ndërsa të gjitha subjektet e tjera deri në 31 dhjetor 2026.
Paketa Fiskale 2026 përfshin gjithashtu rregullime për tregtinë online, rivlerësimin e pasurive të paluajtshme jashtë Tiranës, si dhe lehtësi për kërkimin shkencor, sportin dhe kulturën, përfshirë mbështetjen për artistët e huaj që punojnë në Shqipëri. Sipas ministrit Malaj, këto masa synojnë të krijojnë një sistem më të drejtë, më të thjeshtë dhe më të besueshëm, duke mbështetur rritjen ekonomike dhe afrimin e mëtejshëm me standardet evropiane.
Në përfundim, Malaj theksoi se Paketa Fiskale 2026 nuk sjell rritje taksash, por vendos themele të reja për një administrim fiskal më efikas, më të përgjegjshëm, më pranë standardeve evropiane dhe nevojave të qytetarëve e bizneseve.