Lamallari dhe Koçiu: Fokus te siguria kibernetike dhe terrorizmi në Kodin e ri Penal
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari dhe Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, drejtuan sot tryezën konsultative me institucionet e drejtësisë dhe sigurisë për forcimin e kuadrit ligjor kundër krimit kibernetik, terrorizmit dhe veprave që cenojnë rendin kushtetues, në kuadër të hartimit të Kodit të ri Penal.
Ministri Lamallari kërkoi që institucionet të sjellin rekomandime konkrete për t’u reflektuar në draft, duke theksuar se objektivi është një Kod Penal modern që garanton siguri më të madhe për qytetarët. Ai shtoi se procesi do të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent, ndërsa kontributet e mbledhura do të shqyrtohen në fazën e dytë të punës së grupit teknik.
“Ne duam që produkti final të jetë shumatorja e të gjithë mendimeve të shprehura, bazuar në logjikë e përvojë, në rekomandime me thelb. Pas përfundimit të fazës së përthithjes së mendimeve përmes këtyre tryezave, ne do të kemi mundësinë që grupi i punës të absorbojë këto kontribute dhe të dalë me një dokument, si dhe të bëjë një raund të dytë takimesh vetëm me ato institucione të cilat kanë ofruar mendime me shkrim, të cilat duhen ballafaquar dhe sqaruar,” u shpreh Lamallari.
Ministrja Koçiu deklaroi se ndryshimet në Kodin Penal duhet të ofrojnë mbrojtje reale në shkolla, në rrugë dhe në hapësirën kibernetike. Ajo vuri theksin te forcimi i mekanizmave kundër mashtrimeve online, bullizmit, terrorizmit, pastrimit të parave, si dhe në rritjen e kapaciteteve për konfiskimin e pasurive kriminale. Sipas saj, shqetësimet që lidhen me sigurinë fizike dhe atë digjitale kërkojnë përgjigje të forta dhe afatgjata, të cilat Kodi i ri Penal duhet t’i adresojë në mënyrë të plotë.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ i Shtetit, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe përfaqësues të Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore.