Projektligji “Për buxhetin e vitit 2026” në seancën e sotme të Kuvendit
Projektligji “Për buxhetin e vitit 2026”, ishte sot pjesë e diskutimeve të rendit të ditës, në seancën plenare të Kuvendit, ku Kryeministri Rama mbajti një fjalë, duke vënë theksin tek rritja e pagave, mbështetja historike për pensionistët, punonjësit dhe sipërmarrjen.
Kryeministri Rama u ndal fillimisht tek të dhënat e institucioneve ndërkombëtare, duke theksuar se sipas Eurostat, Shqipëria ka sot një nivel më të ulët rreziku për varfëri sesa disa vende të rajonit dhe është më pranë mesatares së BE-së. Po ashtu, raportet e Bankës së Shqipërisë tregojnë një rritje mesatare 4–5% të të ardhurave të disponueshme të familjeve, në periudhën 2021–2024, ndërsa FMN e renditi Shqipërinë ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Europë.
Kryeministri Rama theksoi se projektbuxheti 2026 është një buxhet historik, pasi parashikon një paketë afatmesme prej 1.7 miliardë euro vetëm për rritjen e mbështetjes së pensionistëve. “Për herë të parë adreson në mënyrë domethënëse dhe të qëndrueshme përmes një angazhimi financiar afatmesëm prej 1,7 miliardë eurosh, rritjen e mbështetjes së pensionistëve. – u shpreh Kryeministri, ndërsa theksoi se “Pensionistët janë kryefjala e këtij buxheti dhe do të jenë kryefjala e këtij mandati”.
Në fushën e Mbrojtjes Sociale, buxheti 2026 shkon në 257 miliardë lekë, me një rritje prej 11.6 miliardë lekësh. Përveç pensionistëve, mbështetje marrin edhe familjet në ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e reja me vijimin e bonusit të bebes.
Kryeministri Rama solli në vëmendje edhe lehtësitë fiskale për biznesin e vogël, duke kujtuar se deri në vitin 2029, ky biznes nuk paguan tatim-fitimi, “Mbetemi besnikërisht të palëvizshëm nga pozicioni ynë se deri në vitin 2029 biznesi i vogël nuk do të paguajë tatim-fitimi.” – u shpreh Kryeministri, ndërsa Shqipëria ka nivelin më të lartë të biznesit pa Tvsh në të gjithë Europën.
Në paketën fiskale përfshihet edhe Paqja Fiskale, një falje e gjerë për detyrimet e vjetra tatimore dhe një marrëveshje e re me sipërmarrjen për deklarime të korrigjuara vullnetarisht me normë vetëm 5% tatim fitimi.
Një nga pikat kryesore të këtij buxheti është rritja e pagave. Paga minimale prej janarit shkon në 500 euro, me objektivin për të arritur 700 euro deri në fund të mandatit të katërt. Parashikohen gjithashtu rritje të diferencuara për grupet me paga më të ulëta, si dhe rritje për mësuesit, mjekët, infermierët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit. Për herë të parë do të aplikohet edhe indeksimi periodik çdo dy vjet për administratën publike.
Lidhur me sektorin e bujqësisë, Kryeministri njoftoi skemën e re të kompensimit për fermerët me normë rimbursimi në nivelin 10 %, më konkurruesja në rajon. “Dua të shtoj një element që është skema e re e kompensimit për fermerët që nuk janë subjekt i Tvsh. Me këtë kompensim të Tvsh që do të kryhet drejtpërdrejtë nga administrata tatimore besoj që do t’i japim një shtytje domethënëse përpara edhe sektorit të bujqësisë, duke i mbështetur drejtpërdrejtë fermerët dhe norma e rimbursimit që kemi vendosur është më konkurruesja në rajon dhe vendoset mbi nivelet 5% – 8% të vendeve të tjera, duke qenë në nivelin 10%. “ – tha lidhur me këtë aspekt të buxhetit, Kryeministri Rama.
Sa i përket sigurisë dhe drejtësisë, buxheti parashikon rritje domethënëse për mbrojtjen, investimet në kuadër të detyrimeve të NATO-s, si dhe për mbështetjen e mëtejshme të drejtësisë së pavarur. Kryeministri theksoi se vlerësimet më pozitive nga BE lidhen pikërisht me ecurinë e reformës në drejtësi dhe respektimin e pavarësisë së institucioneve të reja. Në përmbyllje, Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare për anëtarësimin në BE, duke hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe duke marrë vlerësimet më të mira për përmbushjen e kushteve të Planit të Rritjes.