Shqipëria mikpret Samitin e liderëve të rajonit Growth Plan – “Rruga jonë drejt BE”
Shqipëria është mikpritësja e një tjetër ngjarje të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare, Samitin për Planin e Rritjes, “Rruga jonë drejt BE”, që bëri bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor, Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian Marta Kos, përfaqësues të lartë nga Komisioni Europian, si dhe nga organizatat rajonale, – në një diskutim për Planin e Rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian, i cili promovon një mjedis të favorshëm për inovacionin, sipërmarrjen dhe progresin teknologjik dhe krijon mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrueshmëri, si një gur themeli për rritjen afatgjatë dhe konvergjencën e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Kryeministri Rama mikpriti këtë mëngjes liderët pjesëmarrës të rajonit si dhe Komisioneren për Zgjerimin e BE-së Marta Kos, në Pallatin e Brigadave, në Tiranë, ndërsa Samiti zhvilloi punimet i konceptuar në dy panele diskutimesh: “Formimi i nismave të reja, me përfitime për qytetarët dhe biznesin” dhe “Përmbushja e angazhimeve të përbashkëta – Rezultatet dhe përshpejtimi”, ku u fol mbi planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Përbashkët Europian.
Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos, mbajtwn fjalën e hapjes në nisje të punimeve të Samitit, ndërsa pas zhvillimit të tij, ata do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Ballkani Perëndimor përfaqëson një rajon me vlera të mëdha kulturore, një pozicion gjeostrategjik qendror dhe potencial të rëndësishëm ekonomik e njerëzor. Procesi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian vijon të jetë orientimi kryesor politik dhe zhvillimor i vendeve të rajonit. Forcimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm të BE-së mbart një ndikim thellësisht transformues. Ky treg i përbashkët nxit inovacionin, sipërmarrjen dhe avancimin teknologjik, duke krijuar perspektiva të reja për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje konkurruese. Si i tillë, ai përbën një shtyllë kyçe për rritjen afatgjatë dhe afrimin gradual të rajonit me standardet dhe dinamizmin ekonomik të Bashkimit Evropian.