Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Komisioneres për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos
Në përfundim të Samitit të Growth Plan “Our Pathway to the EU” Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja për Zgjerimin e BE Marta Kos, mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp:
* * *
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje! Ishte një tjetër ditë europiane në plot kuptimin e fjalës për Shqipërinë dhe Tiranën, ku u mblodhëm për Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, një tryezë që është ndërtuar për të bërë një bilanc të periudhës midis samiteve, për të vlerësuar rezultatet e nismave të përbashkëta, për të nënvizuar angazhimet e reja, për të ndjekur në mënyrë të detajuar kalendarin e detyrave që ka çdonjëri nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, në raport me Planin e ri të Rritjes dhe për të diskutuar në fund në mënyrë të lirshme lidhur me gjithçka që secili ndjen të nevojshme të ndaj me tryezën.
Sot, mund të them që kemi mbyllur një takim edhe një herë tjetër të frytshme me hapa konkret të mëtejshëm që e afrojnë më tej rajonin me Bashkimin Europian duke konfirmuar përsëri se Plani i ri i Rritjes është një urë e shpejtë dhe e sigurt drejt tregut të përbashkët europian.
Shkurtimisht po sjell këtu në vëmendje të publikut disa nga angazhimet:
Roaming që me marrëveshjen e re do të përfshihet edhe për qytetarët tanë në regjimin e Bashkimit Europian, një hap shumë i rëndësishëm dhe domethënës pas atij me pagesat, të cilat tanimë bëhen pa asnjë ngarkesë ekstra duke kursyer dhjetëra, e dhjetëra miliona euro nga xhepat e qytetarëve të secilit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndërlidhja me korridoret europiane vazhdon të mbetet prioritet dhe vazhdon të financohet nga instrumentet e Bashkimit Evropian.
Tregtia dhe lehtësimi i saj përmes një plani të detajuar lidhur me pikat kufitare.
Transformimi dixhital dhe identiteti dixhital, të cilin ne e kemi gati siç e kemi prezantuar dhe do ta fusim në jetën reale në fillim të vitit të ardhshëm, duke praktikisht i paraprirë atij që do të jetë pastaj i gjithë sistemi i identifikimit dixhital të Bashkimit Europian, që do të thotë, s’do të ketë më nevojë për karta identiteti, për pasaporta, e kështu me radhë, sepse identifikimi do të bëhet thjesht përmes celularit. Dhe, po ashtu, identiteti dixhital do të vlejë dhe për shumë aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me transaksione financiare, që kanë të bëjnë blerjet e drejtpërdrejta përmes telefonit.
Dhe patjetër folëm edhe për përafrimin në zinxhirin e vlerës Bashkimit Europian, në aspektin industrial dhe për turizmin si një komponent që duhet fuqizuar në sensin e bashkëpunimit mes vendeve. Në ndërkohë që mendoj se e kemi hapur një shteg të tjetër për të bashkëpunuar me Komisionin, në funksion të fuqizimit të arsimit të lartë përmes ndërkombëtarizmit, gjë që ne e kemi filluar në Shqipëri, por me ndihmën edhe mbështetjen e Komisionit besoj që mund ta çojmë në një nivel tjetër dhe jo vetëm në Shqipëri, po në të gjithë rajonin.
Në mbyllje, dua të falënderoj sinqerisht të gjithë ata që morën pjesë, për praninë, për kontributin e tyre. Dua të falënderoj në mënyrë të posaçme Komisionin Europian, përfaqësinë, misionin, ambasadën -nuk e di, nuk e kam kuptuar akoma si quhet, – delegacionin e Komisionit Europian në Tiranë për punën e bërë në bashkëpunim me ne, të gjithë institucionet e tjera të pranishme dhe në fund, por jo për nga rëndësia, Komisioneren, e cila është përsëri këtu në Shqipëri dhe me të cilën takohemi shumë shpejt pas momentit historik, të pak ditëve më parë të çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Shumë faleminderit edhe një herë dhe e dashur Marta, fjala është për ju.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos: Përshëndetje të dashur gazetar, të dashur miq!
Tashmë kemi arritur në mes të periudhës 4 vjeçare të Planit të Rritjes dhe faleminderit i nderuar kryeministër që e keni bërë të mundur që ne të diskutojmë në këtë nivel me këtë plan rritjeje që është kaq i rëndësishëm për vendet e Ballkanit perëndimor, që ti ndihmojë ato të ecin përpara. Unë e kam kënaqësi gjithmonë që kthehem në Tiranë shpesh për takime dypalëshe apo në këtë rast për takime me vendet e Ballkanit perëndimor për të mbështetur jo vetëm ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, sepse unë ndjej angazhimin tuaj, por edhe angazhimin e të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Sot kemi patur diskutime të hapura mbi mënyrat e ndryshme për të përshpejtuar zbatimin si dhe për ta bërë planin e rritjes një histori suksesi që sjell rezultate për të gjithë qytetarët e Ballkanit perëndimor
Folëm gjithashtu dhe për nevojën për të zgjeruar vetë nocionin “e zgjerimit”, pra është e vërtet që zgjerimi është shumë më shumë sesa thjesht zgjerim, por mbi të gjitha për t’ju integruar të gjithë ju sa më shpejt që të jetë e mundur në gjithnjë e më shumë fusha të politikave të BE-së, jo vetëm në tregun e përbashkët të BE por edhe në tregun tonë të energjisë, në zinxhirët tanë europian të vlerës. Për shembull vetëm javës së shkuar Kolegji miratoi mburojën e demokracisë dhe strategjinë për shoqërinë civile që si në vendet kandidate ashtu dhe shtetet anëtare të BE të trajtohen si të barabarta.
Unë jam krenare për këtë dhe ne do të shkojmë edhe më tej, duke ju përfshirë në përpjekjet tona për të mbrojtur demokracinë dhe vlerat tona. Duam që BE të bëhet një realitet i prekshëm në vendet tuaja që sot që të sjellë begati, siguri dhe stabilitet për të gjithë ne.
Në disa fusha kjo gjë tashmë po merr formë. Shqiptarët, malazezët dhe maqedonasit e veriut tashmë përfitojnë nga kosto më të ulëta të transaksioneve falë SEPA, por objektivi ynë është që të gjithë ju, të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin përpara në sinkron dhe nuk duam të krijohen hendeqe të reja mes jush, gjashtë vende tuaja sepse në fund të fundit të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE. Pra duhet të jenë pjesë e tij dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen shtete anëtare me të drejta të plota dhe e theksoj dhe një herë me të drejta të plota të BE si shpërblim i merituar për përafrimin e plotë me legjislacionin e BE-së dhe akoma dhe më e rëndësishmeje me vlerat e BE-së. Pra le të përqendrohemi sot, tek mënyra sesi mund të përshpejtojmë punën në pjesën e dytë.
Ne, kemi një afat veçanërisht të rëndësishëm që po afron. Në qershor ne do të kemi skadimin e periudhës tranzitore 1 vjeçare për reformat e papërmbushura nga raundi i dytë i raportimit dhe për këtë arsye i bëj thirrje të gjithë udhëheqësve të rajonit që të punojnë akoma më fort për reformat. Gjithashtu, ne kemi arritur dhe shumë për sa i përket tarifave roaming për shembull, por ne nuk kemi më tarifa shtesë për thirrjet ndërkombëtare brenda BE. Pse duhet të keni ju? Dhe për këtë duhet të punojmë akoma dhe më shumë që të kemi përshpejtim të përafrimit me rregullat e BE-së.
Sa i përket korsive të gjelbra, zbatimi është në vijim. Vitin e kaluar ne ramë dakord për 11 pika të përbashkëta kalimi ndërmjet BE-së dhe Ballkanit perëndimor dhe 5 pika të tilla brenda për brenda Ballkanit perëndimor pra ndërmjet vet vendeve të rajonit. Dhe sot siç e patë, Komisioni dhe Banka Botërore shkëmbyen një letër angazhimi që angazhon të gjithëve ne që të ecim përpara më shpejt me fazën e dytë të programit “transporti i sigurt dhe i qëndrueshëm”, që të zhbllokojmë projekte për të përmirësuar infrastrukturën e transportit, novacionin digjital, mbrojtjen e konsumatorit dhe turizmin se kjo do sjellë përfitime jo vetëm për qytetarët por edhe për bizneset.
E di që ndonjëherë reformat për të cilat ne kemi rënë dakord së bashku nuk janë gjithnjë të lehta po ato bëjnë të mundur përshpejtimin e negociatave të anëtarësimit të BE-së si dhe përgatisin ekonomitë tuaja për tregun e përbashkët dhe ashtu siç keni ju dëshirë të na thoni shpesh, ky është një proces shndërrimi, pra transformues dhe sjell rezultate të mëdha.
Ky proces sjell dhe mundësi të reja duke bërë të mundur që ju të trajtoheni si shtet anëtar në disa prej politikave të BE-së plus që ju tregon dhe vendeve anëtare se ju jeni gati për më shumë, por dhe për integrim më të thelluar në BE.
Gjithashtu, ne diskuam edhe sesi mund të tërheqin më shumë investues të huaj instrumentet tona. Për shembull ajo që ne presim është që sa më shumë i afrohen BE-së vendet e Ballkanit Perëndimor dhe siç e dini ju, e përshkruajmë Shqipërinë dhe Malin e Zi si vende pararojë, sa më shumë të afroheni dhe e dimë këtë dhe në të shkuarën, aq më shumë kureshtarë bëhen qytetarët e shteteve anëtare, por gjithashtu dhe investuesit e huaj janë më të gatshëm të vijnë këtu.
Presidentja e komisionit Ursula Von der Leyen më tha për shembull që ka qenë këtu edhe në konferencën e investimeve që u bë në Shqipëri dhe me të vërtete sa mbresa i kishin lënë asaj të gjitha diskutimet që u bënë në këto konferenca, por edhe mua fakti që dëgjova sot prej jush dhe përgëzime që do të organizoni një konference tjetër investimesh. Përse është kjo e rëndësishme? Sepse është thelbësore për të bërë realitet konvergjencën tuaj ekonomike me vendet e BE.
Në fund më lejoni të them që na mbeten dhe dy vite të tjera që Plani i Rritjes të bëhet dhe të kthehet në një sukses të vërtetë si dhe të përgatisim terrenin për anëtarësimin tuaj në BE. Do duhet ta shfrytëzojmë çdo ditë që të punojmë për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor.
Faleminderit!
* * *
Pyetja e parë është për Komisioneren për Zgjerim. Raporti i OSBE-ODHIR dhe raporti i Komisionit Evropian evidentuan se zgjedhjet e 11 majit ishin një garë e pabarabartë, u keqpërdorën burimet shtetërore, pati intimidim ndaj votuesve, ndikim nga rrjeti i patronazhistëve dhe përfshirja madje edhe nga bandat kriminale. Në gjykimin tuaj, si e lexoni këtë raport? Ishin zgjedhjet e 11 majit një standard i plotësuar për integrimin? A i shin ato në standardet e BE?
-Për Kryeministrin Rama; Kur ish-kryeministri juaj Arben Ahmetaj u shpall në kërkim nga SPAK, ju deklaruat se nuk mbani përgjegjësi për bashkëpunëtorët tuaj të cilët ‘’hanë dardha pas shpinës suaj’’. Sot, një tjetër bashkëpunëtor i juaj, Erion Veliaj është në burg dhe një ditë më parë, GJKKO ka vendosur në masë sigurie Zëvendëskryeministren tuaj për shkelje të barazisë në tendera. Pyetja ime është; a do e shkarkoni Belinda Ballukun dhe a kemi të bëjmë më një rastësi dhe të gjithë bashkëpunëtorët tuaj ‘’hanë dardha pas shpine’’ apo është një model qeverisjeje për të cilin ju duhet të mbani përgjegjësi? Faleminderit.
Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos: Po, zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të ndershme. Është gjithmonë mirë kur marrim sugjerime për përmirësime dhe kjo është një gjë e mirë për Shqipërinë, por edhe për BE.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen. Dua të them fillimisht se nëse sot Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim, ndër ca arsye themelore është edhe fakti se Shqipëria po e lufton seriozisht korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe pa diskutim që sot, edhe fakti që mund të bëhen pyetje me ketë përmbajtje, lidhet me një epokë të re ku kemi hyrë dhe në ketë epokë të re, Shqipërinë e ka futur kjo shumicë qeverisëse me mua në krye.
Përsa i përket rastit konkret, dua të them 3 gjëra:
Së pari, pavarësia e gjyqësorit nuk është as një slogan, nuk është as një manovër politike dhe as një eksperiment i përkohshëm, por është një shkëputje historike nga e kaluara. Dhe, e realizuar vetëm ne vitet e fundit, kjo pavarësi ka sjellë një risi absolute në jetën institucionale të Shqipërisë dhe zhvillime të padiskutueshme pozitive. Duke filluar nga një fakt i pamohueshëm, “varrosja” e kulturës 100 e kusur vjeçare të pandëshkueshmërisë, por ama ka shfaqur edhe dobësitë e natyrshme të një pushteti krejt të ri, fëmijëror për nga mosha, si dhe reflekse të vjetra antidemokratike.
Së dyti, dua të theksoj se pavarësisht dhe përtej kostove të larta që kanë për vendin dhe jo thjeshtë për ne këto reflekse të vjetra antidemokratike të trupave të reja speciale, për ne dhe për mua personalisht, mbrojtja e pavarësisë dhe ruajtja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë janë parakushte. Janë parakushte për çdo qëndrim nga ana jonë, sepse siç thotë edhe një fjalë e mençur që mua më pëlqen shumë; “kurrë nuk duhet hedhur fëmija bashkë me ujin e pistë”.
Dhe këtu vij tek e treta, pezullimi nga detyra e një ministri në këtë rast edhe zëvendëskryeministër, pra drejtpërdrejtë përgjegjës për drejtimin e qeverisë në mungesë të kryeministrit, është një tjetër shfaqje e pikërisht atyre dobësive që përmenda më lart, e një pushteti krejt të ri dhe e reflekseve antidemokratike, që po përmenda po ashtu më lart. Ky është një rast unikal në historinë e Evropës dhe po ashtu, edhe në historinë e trupave speciale të drejtësisë që janë krijuar në proceset e integrimit evropian të vendeve të ish-lindjes komuniste, ku s’ka ndodhur kurrë që, një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie, por dhe ky është një “por” shumë i madh, nëse një prokuror special dhe nëse një gjykatës special i shkallës së parë të Speciales këtu në Shqipëri, kanë vendosur të pezullojnë një ministër, cenim i drejtpërdrejtë i pavarësisë dhe funksionimit të një pushteti tjetër të pavarur siç është ekzekutivi, duke marrë kompetencat e një kryeministri, të presidentit dhe të parlamentit, prej nga buron mandati i qeverisë dhe i çdo ministri, zgjedhja jonë në raport me këtë fakt, është strategjikja si gjithmonë, për ta ruajtur dhe për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit, si parakusht edhe në ketë rast ekstrem.
E thënë drejtpërdrejtë, ne nuk mund t’i përgjigjemi një arbitrariteti të këtyre përmasave me asnjë lloj arbitrariteti dhe as do të angazhohemi, largqoftë, në një betejë politike retorike me drejtësinë, por do vazhdojmë me durimin tonë strategjik. Do ta ruajmë dhe do ta mbështesim pavarësinë e gjyqësorit, do ta respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres dhe ndërkohë, do të kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së funksionimit të cenuar të qeverisë vetëm tek drejtësia në Gjykatën Kushtetuese. Këta jemi ne. Ky jam unë dhe kështu do të jetë deri në fund, kur unë të kem privilegjin që të udhëheq Shqipërinë për ta bërë anëtare të BE. Mbrojtja e pavarësisë së re dhe jo të përkohshme të sistemit të drejtësisë, është prioriteti ynë absolut edhe përballë situatave kaq flagrante, sa kjo situatë për të cilën, po drejtësia duhet të gjejë përgjigjen kushtetuese.
-Zoti kryeministër siç e cekët edhe vetë që qeveria s’mund të qëndrojë pa një zëvendëskryeministër, është një post kushtetues, a keni diskutuar dhe menduar emrin që do të zëvendësojë Belinda Ballukun në postin e zëvendës kryeministrit dhe a do të jetë më një karakter po kaq të fortë sa Belinda Balluku apo do të jetë një figurë me teknike ndoshta.
Kryeministri Edi Rama: Nuk u kuptuam. Pezullimi është vendim i një gjykate që ne do ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese, si një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e Pushtetit Ekzekutiv dhe Gjykata Kushtetuese do duhet të na thotë se cili është qëndrimi i saj bazuar mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pra, nuk jemi në kushtet, kur duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit, mund të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë. Kështu që, për periudhën që flasim, qeveria e Shqipërisë nuk ka zëvendës kryeministër dhe nuk ka një ministër të infrastrukturës dhe energjisë, që funksionon. Kaq!
-Zonja Kos, ju dëgjuat deklaratat e kryeministrit përsa i përket çështjes së zonjës Balluku, zëvendës kryeministres, një pyetje për ju: – Bashkimi Europian a pret që vendet anëtare që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europain të kenë një zëvendëskryeministre dhe ministre të infrastrukturës dhe energjisë mbi të cilën rëndon një akuzë nga Prokuroria Speciale? Faleminderit!
Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos: Nuk mund të komentoj çështje konkrete. Ajo që mund të them është që një sistem i pavarur gjyqësor është një nga arritjet më të mëdha të Shqipërisë gjatë viteve të fundit dhe gjithashtu Shqipëria ka patur një ecuri të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe këtë ne e kemi patur si pjesë të gjetjeve tona dhe e kemi bërë pjesë të raportit të zgjerimit. Ajo që ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit në Shqipëri, në fushën e sundimit të ligjit e mbrojtjes së qytetarëve dhe të sektorit të biznesit, do të thosha që është e paprecedentë. Ajo që ne duam nga çdo vend kandidat është që të ketë një sistem, ku me ndihmën e sistemit gjyqësor të ketë siguri ligjore, që në rast se dikujt i dhunohen të drejtat atëherë ka gjykata dhe ka gjykatës të cilët do të kujdesen për këtë çështje. Dhe sigurisht që raste të tilla ndodhin gjithandej, por e rëndësishme është që ne të ndjekim vendimet e gjykatës dhe ajo që kam dëgjuar nga kryeministri që do të ndodhë në fakt.
Kryeministri Edi Rama: Për ta mbyllur dua të shtoj diçka që është shumë e rëndësishme në parim, sepse u soll këtu Bashkimi Europian si një pikë referimi për çfarë duhet të ndodhë nga pikëpamja politike. Nuk ka një qëndrim uniform në Bashkimin Europian, por ajo që është më e rëndësishme sesa kjo, është që nuk bën vaki në Bashkimin Europian, që njerëzit të pezullohen nga funksionet, është unike në historinë e Europës kjo, duke qenë të zgjedhur, nuk bën vaki në Bashkimin Europian që kryetarët e bashkisë të merren nga zyra dhe të çohen në burg, pa gjyq dhe të mbahen në paraburgim për muaj e muaj të tërë, nuk bën vaki në Bashkimin Europian që siç e thotë jo qeveria e Shqipërisë, po “komisioni i torturës i Strasburgut” – një vend të ketë më shumë të paraburgosur, sesa njerëz të gjykuar dhe të burgosur me gjyq.
Kështu që, në këtë pikë, unë besoj që të gjithë duhet të bëjmë punën dhe të luajmë rolin tonë. Ne kemi tonin, roli ynë është që të jemi garant të kësaj pavarësie të drejtësisë që Shqipëria po e njeh për herë të parë në historinë e vet, ta mbrojmë këtë pavarësi të gjyqësorit edhe kur rëndon mbi ne në formën e një padrejtësie sipas nesh, që e përsëris nuk ka të ngjashme në Europë dhe të respektojmë kufirin tonë, pa hyrë në territorin e një pushteti tjetër të pavarur. Por, nga ana tjetër, të gjithë duhet të bëjnë detyrën e tyre. Nuk mund të hyhet në territorin e një pushteti tjetër të pavarur, dhe kjo vlen edhe për Pushtetin Ekzekutiv, kjo vlen edhe për Pushtetin Legjislativ, ashtu sikundër miqësisht ju them që kultura e gjyqeve popullore dhe e organizimeve nëpër salla, që dikur ishin salla teatrosh dhe vatrash kulture, sot janë sallone mediatike për të dhënë dënime bazuar mbi sekrete hetimore të nxjerra nga vetë prokurorët, është një kulturë që duhet ta luftojmë të gjithë, sepse nuk i bën mirë askujt dhe nuk i bën mirë kësaj shoqërie, por, natyrisht, nuk është puna ime ajo, puna ime është kjo që po ju them: – Ne jemi garantët e pavarësisë së gjyqësorit, do vazhdojmë të jemi garantët e pavarësisë me çdo çmim, edhe kur çmimi është i atillë që të vjen të mos ndalesh, duke thënë se çfarë të shkon nëpër mend, por këtë rrugë kemi zgjedhur dhe vetëm kështu ne mund të arrijmë objektivin që të bëhemi vend anëtar i Bashkëpunimit Europian dhe duhet ta besojmë këtë gjë. Është një pushtet i ri fëmijëror, i ndërtuar mbi një të kaluar, që nuk e ndihmon drejtësinë e pavarur, s’ka traditë, s’ka kulturë historike të një drejtësie të pavarur. Aftësitë e prokurorëve dhe gjykatësve janë një pjesë shumë e rëndësishme që duhen rritur dhe forcuar, duhet kohë, duhet durim dhe duhet vendosmëri. Ne këtë vendosmëri e kemi dhe për sa kohë do ta kemi, do të jetë kështu dhe kur them për sa kohë do ta kemi, flas për veten time, që sa të jem unë në këtë detyrë, nuk do shikoni luftëra me drejtësinë apo akuza për të kundërshtuar akuzat që bën drejtësia. Ato duhet t’i shohë një gjykata, por ama nga ana tjetër ka një kufi, ai është kufiri që e përqafon Kushtetuta midis pushteteve të pavarura dhe, nëse ne lejojmë të shkelet edhe ai kufi, atëherë ne kemi humbur diçka që është themelore, jo për mua, as për këtë qeveri, as për një ministër të kësaj qeverie, po për rendin kushtetues në Republikën e Shqipërisë.