Spiropali në Zagreb: Kroacia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE
Kroacia ka riafirmuar mbështetjen e saj të plotë për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian gjatë vizitës zyrtare të Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në Zagreb, ku u prit nga Presidenti Zoran Milanović. Kreu i shtetit kroat vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe rolin e saj në sigurinë dhe stabilitetin rajonal, duke e cilësuar partneritetin dypalësh si një pikë referimi në rajon.
Spiropali u prit edhe nga homologu i saj kroat, Gordan Grlić Radman, me të cilin diskutoi hapat e ardhshëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional, përfshirë përgatitjet për Mbledhjen e Parë Ndërqeveritare (G2G) dhe mbajtjen e Komisionit të Përbashkët për Marrëdhënie Ekonomike, me qëllim nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe rritjen e investimeve. Të dy ministrat theksuan prioritetet e përbashkëta në infrastrukturë dhe energji, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit në siguri përmes marrëveshjes trilaterale Shqipëri-Kroaci-Kosovë, të formalizuar përmes “Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunimin në fushën e Mbrojtjes”.
Një vend të veçantë në bisedime zunë projektet rajonale, si Korridori Blu, Korridori VIII dhe Nisma e Tri Deteve, ndërsa u theksua rëndësia strategjike e zhvillimit të degës së gazsjellësit Adriatiko-Jonian për forcimin e lidhjes energjetike Kroaci-TAP.
Ministrja falënderoi qeverinë kroate për mbështetjen e vazhdueshme politike dhe teknike, duke theksuar se eksperienca e Kroacisë në rrugën drejt BE-së është shembull motivues për Shqipërinë.