Ministri Salla: Rishikim i Skemës Kombëtare dhe buxhet rekord për bujqësinë në 2026
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në fjalën e mbajtur në Elbasan, gjatë takimit me fermerë dhe sipërmarrës të sektorit bujqësor mbi prioritetet dhe mbështetjen e parashikuar për vitin 2026, deklaroi se sektori i bujqësisë, blegtorisë, peshkimit, agro-përpunimit dhe agroturizmit do të përfitojë një buxhet rekord prej rreth 16.3 miliardë lekësh në vitin 2026, në kuadër të vizionit qeveritar “Bujqësia 2030”, i cili synon modernizimin e sektorit dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian. Nga ky fond, 5.2 miliardë lekë janë parashikuar për Skemën Kombëtare të Mbështetjes me pagesa direkte dhe grante investimesh, me një rritje prej 16% krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2025. Buxheti 2026 parashikon gjithashtu mbështetje për pensionin rural dhe programet e trajnimit të fermerëve, të zhvilluara në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe modernizimin e praktikave në sektor.
Skema Kombëtare e Mbështetjes do të rishikohet mbi bazën e sugjerimeve të fermerëve, me synimin për ta bërë më të drejtë dhe më të përafruar me praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, ekipet e ministrisë do të zhvillojnë konsultime në të 12 qarqet e vendit për të përshtatur instrumentet e mbështetjes me realitetin në terren. Salla bëri të ditur se fermerët që deri më tani kanë përfituar vetëm 50% të mbështetjes financiare do të marrin pjesën e mbetur brenda këtij viti buxhetor, sipas parashikimeve të aktit normativ, duke garantuar shlyerjen e plotë të detyrimeve ndaj çdo përfituesi.
Në fokus të masave të reja është edhe skema e kompensimit prej 10% të vlerës së faturës për fermerët që shesin prodhimet te grumbulluesit, përpunuesit apo subjektet e agroturizmit, si dhe përdorimi i instrumenteve financiare si Garancia Sovrane, për të lehtësuar aksesin në kredi me interesa të ulëta.
Për sigurinë ushqimore, buxheti i vitit 2026 parashikon 2.9 miliardë lekë, me qëllim forcimin e ISUV-it si laborator reference kombëtare dhe 7 laboratorëve rajonalë, si pjesë e përpjekjeve për të garantuar produkte më cilësore dhe më konkurruese në tregjet e brendshme dhe ato të eksportit.
Ministri informoi se është në proces hartimi i ligjit “Për urdhrin profesional të agronomit”, i cili synon të rrisë cilësinë e shërbimit për fermerët, si dhe ndërtimi i një zinxhiri të digjitalizuar për kontrollin e qarkullimit të produkteve të mbrojtjes së bimëve në farmacitë bujqësore.
Salla vlerësoi arritjet e viteve të fundit në sektor, duke theksuar rritjen e mbështetjes buxhetore për bujqësinë, financimin e mbi 65 mijë fermerëve në të gjithë vendin, investimet në ferma, sera, blegtori, agroturizëm dhe akuakulturë, si dhe përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet. Ai shtoi se mbështetja e fermerëve dhe sipërmarrësve është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë rurale dhe garantimin e ushqimit cilësor, duke shtuar se falë punës së fermerëve shqiptarë, produktet vendase janë sot të pranishme në tregun vendas, në sektorin e turizmit dhe në eksport.
“Ju jeni ata që e mbani fshatin gjallë dhe që po e çoni bujqësinë shqiptare drejt standardeve evropiane. Qeveria do të jetë pranë jush, në vendimmarrje dhe në terren, për të realizuar vizionin Bujqësia 2030”, u shpreh Salla.