Demo: Akademia e Trajnimit të Qeverisjes Vendore synon përgatitjen e bashkive për standardet e BE-së
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, prezantoi sot Akademinë e Trajnimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, një institucion i ri strategjik që synon forcimin e kapaciteteve profesionale të bashkive dhe përgatitjen e administratës vendore për standardet evropiane, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Akademia vendos për herë të parë një qasje të unifikuar kombëtare për formimin dhe zhvillimin profesional të administratës vendore, duke përfshirë të gjitha nivelet e pushtetit lokal, nga drejtuesit e lartë deri te punonjësit e vijës së parë. Ajo do të shërbejë si platformë e specializuar për adresimin e nevojave specifike të bashkive, me fokus në rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, forcimin e menaxhimit financiar dhe të aseteve vendore, si dhe zhvillimin e kapaciteteve për planifikim strategjik dhe zhvillim ekonomik territorial.
Gjatë prezantimit, ministri Demo theksoi se, ndonëse pushteti vendor ka shënuar përparime të rëndësishme në administrim dhe ofrimin e shërbimeve, mbeten ende hapa të domosdoshëm për të arritur një nivel më të lartë funksionimi dhe efikasiteti. Ai e lidhi ngritjen e Akademisë me procesin e negociatave për anëtarësim në BE, duke vënë në dukje se kapitujt e hapur së fundmi prekin drejtpërdrejt autoritetet lokale dhe krijojnë mundësi të reja për bashkitë.
Sipas tij, bashkitë duhet të jenë të përgatitura që në ditën e parë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian për të përfituar maksimalisht nga politikat dhe fondet e tij, veçanërisht në kuadër të politikave të kohezionit. Në këtë drejtim, Akademia do të luajë një rol kyç në përgatitjen e stafeve të specializuara për hartimin, zbatimin dhe menaxhimin e projekteve sipas standardeve evropiane.
Ministri shtoi se viti 2026 pritet të jetë vendimtar për disa reforma kyçe në nivel vendor, përfshirë përmirësimin e menaxhimit financiar përmes AMFIS, rritjen e transparencës dhe efikasitetit, si dhe digjitalizimin e shërbimeve lokale në të gjitha bashkitë, me mbështetjen e Bankës Botërore. Këto procese, sipas tij, do të mbështeten drejtpërdrejt nga Akademia si mekanizëm trajnimi dhe asistence për pushtetin vendor.
Akademia e Trajnimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore është e mbështetur nga qeveria dhe partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqëson një investim afatgjatë në forcimin e decentralizimit dhe ndërtimin e një administrate vendore moderne, profesionale dhe më pranë qytetarëve, në funksion të reformave dhe integrimit evropian.