EuroAgro Albania 2025-2030, një mekanizëm praktik për përgatitjen hap pas hapi drejt BE-së
Shqipëria po hyn në një kapitull të ri, pas çeljes së Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të, që përgatit bujqësinë dhe sektorin ushqimor për t’u bashkuar me tregun e përbashkët të BE, me Kapitujt 11, 12 dhe 13 në qendër të reformave drejt Bashkimit Europian.
Në këtë kuadër u prezantua sot Platforma Kombëtare EuroAgro Albania 2025-2030, një nismë strategjike, që mbështet fermerët dhe bizneset ushqimore, si dhe institucionet vendore, për të përmbushur standardet e BE, për të forcuar konkurrueshmërinë dhe për të hapur mundësi të reja, për të patur akses në tregun e përbashkët.
I pranishëm në eventin prezantues ishte edhe Kryeministri Rama:
* * *
Përshëndetje të gjithëve!
Pas një takimi shumë të veçantë në Elbasan, jemi këtu për një tjetër takim, këtë herë për një takim pune të organizuar nga Ministria e Bujqësisë me disa nga protagonistët kryesor të fermës shqiptare, për të folur për planin e veprimit dhe për domosdoshmërinë e ndërveprimit mes nesh, në mënyrë që bujqësia shqiptare të përballojë sfidën e tregut europian në kontekstin e Shqipërisë anëtare e Bashkimit Europian. E dua që të flas shumw hapur me ju duke ju thënë që kjo sfidë ka dy anë: ka anën e saj të errët nëse mund të quaj kështu dhe anën e saj të ndritur.
Ana e saj e errët është ajo, që pret çdokënd prej jush që nuk është i përgatitur për atë ditë, sepse negociatat me Bashkimin Europian dhe marrëveshja e anëtarësimit nuk janë fjalë dhe as procese thjeshtë të lidhura me çfarë ne shkruajmë në letër, por janë kontratë shtetërore shumë komplekse ku çdo faktor shtetëror dhe çdo faktor shoqëror duhet t’i përgjigjet kontratës. Dhe kontrata për bujqësinë – ose pjesa e kontratës që lidhet me bujqësinë – wshtw më e vështira, siç ka treguar edhe eksperienca e vendeve të tjera, ashtu sikundër është dhe më e mirëpritura për ata që janë të përgatitur për t’u përballur me kushtet, për t’u përballur me standardet, për t’u përballur me kontrollet që burojnë nga cilësia shumë e lartë e sigurisë dhe e produkteve kur vjen puna për të qenë lojtar në tregun e bashkuar europian.
Por unë besoj shumë tek ju dhe besoj tek të gjithë ata që në kushtet absolutisht të pakrahasueshme me sot një dekadë më parë, ishin aty tek toka edhe përballeshin me një sfidë mbijetese të jashtëzakonshme. Kush e ka kaluar atë sfidë, kam shumë besim se do të kalojë edhe këtë sfidë. Janë të natyrave të ndryshme, por në thelb kanë të bëjnë me vullnetin për të bërë sukses. Sepse asokohe bujqësia shqiptare ishte një sektor i braktisur totalisht, një dekadë pak më parë, numri i fermerëve që merrnin një mbështetje simbolike nga shteti ishte 5600 sot është 67.500 dhe nuk bëhet fjalë për mbështetje simbolike, bëhet fjalë për një mbështetje që peshon në portofolin e fermës.
Eksportet ishin thjeshtë dhe vetëm një aktivitet i një grushti njerëzish fermerësh që ia kishin dalë deri aty dhe defiçiti tregtar ishte një katastrofë unikale në rajon, se në Europë s’po hyjmë fare të bëjmë krahasime, për çdo euro të eksportuar ne importonim 9 euro në ushqim. Ndërkohë që sot produktet tona shkojnë në 80 vende të botës dhe eksportet kanë kaluar gjysmë miliardë euro, e në ndërkohë deficiti nga 1 me 9 është ulur në 1 me 3 dhe përpjekja jonë do të jetë që të shkojmë drejt 1 me 2.
Po thosha që marrëveshja me Bashkimin Europian është një kontratë shtetërore e të gjithë faktorëve dhe për të gjithë faktorët institucionalë dhe shoqërorë, për të gjitha grupet e interesit dhe për fermerët është një kontratë që kërkon standarde dhe cilësi, kërkon teknologji dhe digjitalizim, kërkon organizim të sofistikuar dhe patjetër kërkon edhe mbështetje, një mbështetje, e cila jo vetëm nuk do të mungojë, por do të vijë duke u rritur vit pas viti.
Dhe me rritjen e mbështetjes drejtpërdrejt, që duam ta çojmë deri në 100 milionë euro, me mbështetjen e Bankës Zhvillimit, që tani është e regjistruar, ka gati planin për të filluar të jetësojë aktivitetin e vet, me mbështetjen e Bankës Shqipërisë, që ka vënë në dispozicion një linjë kredie inovative, me mbështetjen e agrokreditit që është rivënë në lëvizje dhe patjetër me mbështetjen e AZHBR-së dhe të Bashkimit Europian përmes AZHBR-së, ne do të arrijmë t’i vëmë në dispozicion bujqësisë shqiptare, do të arrijmë t’i vëmë në dispozicion fermës shqiptare dhe të gjithë atyre që duan të jetojnë me tokën, një fakt, një fakt për askënd nuk do të jetë çështje lekësh, për askënd nuk do të jetë çështje fondesh, për gjithkënd do të jetë çështje e projektit të duhur dhe e garancive të duhura të dijes për zbatimin e projektit. Çdo projekt që do të jetë i duhur dhe që do të mbështetet me dijen nga ana e çdo aplikanti, as nuk diskutohet që do të financohet në një mënyrë ose në një tjetër, në një rrugë ose në një tjetër dhe platforma kombëtare që prezantohet sot dua ta falënderoj ministrin për faktin që hap pas hapi po sjell atë që edhe unë kam kërkuar prej tij, jo vetëm frymën e njeriut që vjen nga toka, vjen nga puna me fermerët, por edhe qasjen e njeriut që si autoritetin institucional ka besuar tek inovacioni dhe “Euroagro Albania” nuk është një faqe e re interneti, nuk është një website më shumë në morinë e website-ve, por është një instrument të cilin të gjithë ju dhe të gjithë ata që janë atje në fermë dhe që investojnë, prodhojnë, duan të rrisin eksportet, duan të rrisin prodhimin, duan të rrisin cilësinë, duan të rrisin kapacitetet, duan të rrisin fondet në dispozicion të projekteve të tyre duhet ta marrin, ta përdorin ta pasurojnë dhe ta kthejnë në një nga instrumentet e punës së tyre të përditshme.
Është një udhërrëfyes për të gjithë ju, në çdo hap të procesit të negociatave dhe të rrugës drejt anëtarësimit. Është një burim informacioni për standarde, për afate, për detyrime konkrete. Është një kanal dialogu, secili nga ju mund të hyjë aty dhe të komunikojë, të pyesë dhe të marrë përgjigje për aspekte të problematikës me të cilën përballet. Është edhe një mjet koordinimi që garanton që përmes jush dhe nesh, përmes Ministrisë së Bujqësisë, përmes AZHBR-së, ka ndërveprim të vazhdueshëm. Unë shpresoj që në këtë platformë të jetë, ose në qoftëse nuk është, duhet të futet UBT sepse është një tjetër derë e re e hapur për të gjithë ju. Kur them derë e re, nuk kam parasysh që është një derë që ekziston nga sot, por është një derë që ka ekzistuar gjithmonë, por është një derë e re sepse ka një frymë të re, një qasje të re dhe një fuqi të re në dispozicionin tuaj dhe prapë kam fatin e keq që duhet të falënderoj për këtë një demokrat që drejton UBT, por që me mua e lidh fakti, që as ai, as unë nuk kemi më lesh në kokë po kemi vetëm pasion të përbashkët për t’i bërë gjërat si duhet.
Dua t’ju them që dhe dua ta besoni këtë gjë, se nuk është diçka që duhet thënë se kështu e do muhabeti, por është diçka që del si mësim nga çfarë kanë bërë të tjerët më parë. Mos lini ditë të kalojë pa investuar tek mendja e kompanisë, pa investuar tek fuqia njerëzore e kompanisë, mos lini ditë të kalojë pa trajnuar dhe pa përditësuar dijen; mos lini ditë të kalojë pa sjellë në kompani diçka të re sado të vogël në aspektin e të mësuarit, sepse dija është ajo që kur ka munguar, flas për eksperiencat e vendeve të tjera, ka sjellë falimentim të menjëhershëm në momentin e hapjes së dyerve të BE-së. Është i menjëhershëm, thjesht dhe vetëm të vendoset dryni dhe nuk t’i pranon më njeri ato që prodhon. Kaq e thjeshtë është. Pse? Sepse nuk je më si sot. Sot ti je një fermer, je një eksportues që prodhon jashtë BE dhe kontrollohesh, kontrollohesh përpara se të hysh atje. Nesër ti do të prodhosh në një vend të BE, është njësoj si të prodhosh në Lushnje për Tiranën. Nga Lushnja për në Tiranë ty nuk të kontrollon njeri në aspektin e një kontrolli të dytë flas. Pra, nëse ti je problem për sigurinë ushqimore në Lushnje, ti bllokohesh në Lushnje dhe mbaron. Mirëpo instrumentet e kontrollit dhe mënyra se si zhvillohet jeta e fermës në tregun e përbashkët evropian, nuk ka asnjë krahasim me çfarë bëjmë ne sot këtu nga pikëpamja e rreptësisë, rigorozitetit, saktësisë dhe cilësisë. Dhe prandaj duhet të përgatiteni sot çdo ditë, për atë ditë dhe prandaj duhet të përgatitemi në shumës sepse dhe ne kemi pjesën tonë të përgjegjësisë në këtë aspekt.
Do të ishte fatkeqësi që të vijë dita, Shqipëria anëtare e BE dhe qoftë edhe një sipërmarrës i vetëm të thoshte “nuk e dinim që do përballeshim me këto kushte të reja. Nuk u përgatitëm për t’u përballur me këto kushte të reja apo nuk u informuam”, kështu që detyra jonë është t’ju informojmë sa më shumë dhe t’ju informojnë në mënyrë sa më sistematike. Detyra juaj është të informoheni dhe të kërkoni në mënyrë të vazhdueshme të dini se çfarë duhet të bëni për të qenë gati dhe detyra e përbashkët është që këtë ta shfrytëzojmë ndërkohë për të rritur kapacitetet që reciprokisht i vëmë në dispozicion të zhvillimit të këtij sektori kaq jetik dhe kaq të rëndësishëm.
Çfarë do të bëjmë ne konkretisht sepse janë dy anë të të njëjtës medalje? Ne do të bëjmë sistemin e integruar të administrimit dhe të kontrollit; do të finalizojmë regjistrat kombëtarë të fermave, të parcelave dhe të kafshëve. Është një punë e nisur dhe do ta finalizojmë. Do të ndërtojmë deri në fund laboratorët e akredituar nga BE. Sot kemi një nivel komplet tjetër, dhe ju e dini më mirë se unë, të cilësisë së analizës, etj me institutin, por na duhet të përfundojmë gjithë projektin e laboratorëve dhe do të shtyjmë shumë fort për sistemin e shërbimeve këshillimorë në terren ku siç e kam thënë dhe e përsëris, do të mbështetemi në mënyrë të posaçme tek Universiteti Bujqësor i Tiranës ku kemi të gjitha arsyet të besojmë se vit pas viti, do të kemi gjithmonë e më shumë aftësi për të na udhëhequr në rrugën tonë, neve si sektor publik, juve si sektor privat.
Ju falënderoj nga zemra për gjithçka bëni, duke qene se nuk do të takohemi më për këtë vit, përveçse përmes produkteve tuaja, po ju s’do jeni të pranishëm. Dua t’ju uroj një vit të ri sa më të mbarë, sa më të suksesshëm dhe më shëndet të plotë për të gjithë ju dhe familjet dhe për të gjithë punonjësit e sipërmarrjeve tuaja që janë dhe ata si familja juaj dhe dua që të besoni shumë fort se nëse bëjmë gjërat e duhura dhe nëse bëni gjërat e duhura, tregu i përbashkët do të jetë një bekim për ju.
Ju falënderoj dhe një herë dhe ju uroj të keni një ditë sa më produktive me panelet dhe me futjen më në të thella, kur i thonë fjalës, në këtë proces, ku mos kini asnjë dyshim, ne do të jemi gjithmonë e më të angazhuar që t’ju japim sa më shumë nga informacion i domosdoshëm që duhet të merrni.
Shumë faleminderit!