Dialogu me biznesin, Malaj prezanton politikat fiskale dhe objektivat e rritjes ekonomike drejt vitit 2030

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se dialogu i strukturuar me biznesin po hyn në një fazë të re partneriteti, teksa qeveria synon të forcojë politikat fiskale që mbështesin zhvillimin ekonomik, stabilitetin financiar dhe përgatitjen e ekonomisë shqiptare për integrimin në Bashkimin Evropian.

Gjatë një takimi me përfaqësues të komunitetit të biznesit, me praninë e Kryeministrit dhe Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Malaj theksoi se sipërmarrja mbetet partner kyç në hartimin e politikave, duke shtuar se një pjesë e reformave fiskale janë ndërtuar mbi kërkesat dhe shqetësimet e vetë biznesit. Në këtë kuadër, ai solli si shembull Ligjin e Paqës Fiskale dhe Ligjin për Faljen e Detyrimeve Tatimore dhe Doganore, të cilat u hartuan pas një procesi vlerësimi të kujdesshëm, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe pa cenuar stabilitetin fiskal apo konkurrencën e ndershme, si dhe pa dekurajuar tatimpaguesit e rregullt.

Ministri vuri në dukje se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit ekonomik, të mbështetur në reforma transformuese. Sipas tij, në pak më shumë se një dekadë, potenciali prodhues i vendit është trefishuar. Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur nga 9.6 miliardë euro në vitin 2013 në mbi 27 miliardë euro aktualisht, me objektivin për të arritur në 35 miliardë euro deri në vitin 2030. Kjo rritje përkthehet në më shumë vende pune, investime dhe siguri ekonomike.

Duke u ndalur te cilësia e rritjes, Malaj bëri të ditur se të ardhurat për frymë janë trefishuar, nga 3,324 euro në vitin 2013 në mbi 10,421 euro në vitin 2024, me një ritëm dukshëm më të shpejtë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor, duke shënuar një rritje prej rreth 113%, krahasuar me 58% të rajonit. Objektivi i qeverisë, sipas tij, është arritja e nivelit prej 15,000 euro të ardhura për frymë deri në vitin 2030, si tregues i kthimit të rritjes ekonomike në mirëqenie reale për familjet shqiptare.

Në këtë kontekst, Paketa Fiskale 2026 u prezantua si një instrument strategjik dhe jo thjesht teknik. Ministri sqaroi se paketa, e përbërë nga tetë ligje, synon të mbështesë biznesin, të lehtësojë barrën administrative dhe të krijojë një mjedis më konkurrues, pa rritur taksat. Ajo është e harmonizuar me Programin Qeverisës 2025-2029 dhe me objektivat e rritjes ekonomike të qëndrueshme.

Në themel të Paketës Fiskale 2026 qëndron Paqja Fiskale, e konceptuar si një kapitull i ri në marrëdhënien mes shtetit dhe sipërmarrjes, duke i ofruar biznesit një mundësi të kufizuar në kohë për të rregulluar detyrimet e së shkuarës dhe për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme në funksion të integrimit evropian. Kjo nismë nuk përbën amnisti fiskale dhe as tolerancë ndaj shkeljes së ligjit: nuk falen përgjegjësi penale, nuk garantohet imunitet dhe përjashtohen nga përfitimi subjektet nën hetim apo në procese gjyqësore. Paqja Fiskale synon të tërheqë në ekonominë formale vetëm ata tatimpagues që zgjedhin transparencën dhe korrigjimin vullnetar, duke parashikuar për ta norma tatimore të reduktuara, sipas një modeli të njohur dhe të zbatuar edhe në vende të Bashkimit Evropian.

Në të njëjtën linjë reformuese, Ligji për Faljen e Detyrimeve Tatimore dhe Doganore synon mbylljen e një kapitulli të vjetër borxhesh të pambledhshme, të cilat rëndojnë sistemin pa gjeneruar zhvillim ekonomik. Mbi 75% e këtyre detyrimeve u përkasin subjekteve të çregjistruara ose pasive, pa mundësi reale arkëtimi. Sipas skemës së parashikuar, detyrimet mbi 10 vjet do të fshihen, ato me vjetërsi 5-10 vjet do të zgjidhen përmes marrëveshjeve të posaçme, ndërsa për detyrimet e 0-5 viteve do të hiqen gjobat dhe kamatëvonesat kundrejt pagesës së plotë të principalit. Përfitimet nuk shtrihen mbi evazorët penalë apo subjektet nën hetim.

Sipas ministrit, prioritet mbetet ndërtimi i një sistemi fiskal më të thjeshtë, transparent dhe të drejtë, që nxit konkurrencën e ndershme, forcon besimin dhe përafron Shqipërinë me kuadrin fiskal të Bashkimit Evropian. Ai shtoi se integrimi evropian nuk është vetëm proces diplomatik, por një reformë e thellë që prek funksionimin e ekonomisë dhe sektorin privat, duke kërkuar përgatitje dhe njohuri të plota nga biznesi për të operuar në tregun e unifikuar.

Në përfundim, Malaj theksoi se rruga drejt Bashkimit Evropian kërkon përgjegjësi të përbashkët, ku qeveria krijon rregulla të drejta dhe një klimë të qëndrueshme, ndërsa biznesi investon, krijon vlerë dhe respekton ligjin, me synimin e përbashkët për një ekonomi moderne, konkurruese dhe plotësisht evropiane.