Paqja Fiskale – Dialog me biznesin për një kapitull të ri partneriteti dhe besimi

Një dialogim i hapur u zhvillua sot mes komunitetit të biznesit dhe Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Ekonomisë & Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe Ministrit të Financave Petrit Malaj për nisjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi, që synon formalizimin dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit.

Takimi shërbeu si një hapësirë komunikimi dhe dëgjese për të forcuar partneritetin mes qeverisë dhe sipërmarrjes, duke u fokusuar veçanërisht tek Paqja Fiskale, si një instrument për ndërtimin e një marrëdhënieje të re besimi dhe ndërveprimi të shëndetshëm mes administratës tatimore dhe biznesit.

Kryeministri Rama theksoi se Paqja Fiskale është një zotim i qeverisë, tashmë i kthyer në ligj dhe që do të nisë zbatimin nga janari i vitit të ardhshëm. Ai nënvizoi se kjo nismë synon t’u japë mundësi sipërmarrjeve legjitime të rishikojnë dhe korrigjojnë pasqyrat fiskale të viteve të shkuara, me një tatim të reduktuar prej 5% mbi fitimin për çdo pasqyrë të korrigjuar.

“Paqja fiskale është një zotim i yni dhe sot është ligj. Ne sot jemi në kushtet kur duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm mund ta zbatojmë këtë nismë. Është një nismë në radhë të parë për të ndërtuar një urë të re besimi dhe ndërveprimi të shëndetshëm mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes. Së dyti, është një instrument për t’i dhënë mundësi të gjithë ndërmarrjeve që nuk janë në konflikt me ligjin natyrisht, që nuk janë në procese hetimore apo gjyqësore të natyrave të ndryshme dhe që figurojnë në regjistrat e shtetit si kontributorë legjitim, që të rishikojnë pasqyrat e tyre fiskale të viteve të shkuara. Ky rishikim i jep mundësi sipërmarrjeve të vetëkorrigjohen duke ribërë deklarimet e viteve të shkuara dhe duke patur si motivim, si incentivë një tatim shumë më të ulët për fitimin sesa tatimi që paguani rregullisht. Pra për çdo pasqyrë të korrigjuar fitimi tatohet vetëm 5 %.” – shpjegoi Kryeministri.

Paqja Fiskale parashikon ndër të tjera lehtësim të ndjeshëm të barrës administrative, përfshirë trajtimin e diferencuar të gjobave sipas vjetërsisë së tyre, si dhe një marrëveshje të re mbi tavanin e fitimit, e cila eliminon kontrollet dhe inspektimet e panevojshme, duke garantuar siguri dhe parashikueshmëri për biznesin.

Kryeministri theksoi se nisma pritet të sjellë një formalizim të mëtejshëm të ekonomisë, energjizim të sipërmarrjes dhe lehtësim të proceseve të punës, duke i dhënë biznesit më shumë hapësirë për t’u fokusuar tek zhvillimi dhe konkurrueshmëria.