Raporti i FMN: Shqipëria ndër vendet me rritjen më të lartë ekonomike në Europë
Ekonomia shqiptare vijon të shfaqë një performancë pozitive, duke u renditur ndër vendet me normat më të larta të rritjes ekonomike në Europë. Sipas raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Shqipëria karakterizohet nga inflacion i ulët, borxh publik në rënie dhe rezerva valutore të forta, elementë që krijojnë një bazë të qëndrueshme makroekonomike për zhvillimin e vendit.
Duke u mbështetur në këto tregues, FMN vlerëson se qeveria shqiptare po avancon me reforma të guximshme me synimin strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Parashikimet për rritjen ekonomike mbeten pozitive edhe për vitet në vijim. Sipas raportit, rritja pritet të mbetet e qëndrueshme në nivelin 3.5% në vitin 2025 dhe 3.6% në vitin 2026. Ky ritëm rritjeje do të nxitet kryesisht nga konsumi privat, si dhe nga mbështetja e vazhdueshme e sektorit të turizmit, i cili vijon të jetë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare.
FMN thekson se rritja e nxitur nga turizmi dhe perspektivat makroekonomike të Shqipërisë pritet të mbeten të forta. Pas një rritjeje mesatare prej 4.3% gjatë periudhës pas pandemisë, Prodhimi i Brendshëm Bruto real parashikohet të vijojë trendin pozitiv edhe në vitet 2025 dhe 2026.