Ibrahimaj: Ekonomia u rrit me 3.75% në tremujorin e tretë 2025, turizmi motori kryesor

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot gjatë një konference për gazetarët treguesit më të fundit ekonomikë, si dhe pritshmëritë për vitin 2026, me fokus rritjen ekonomike, inovacionin dhe përafrimin me standardet evropiane.

Ekonomia shqiptare ka shënuar rritje me 3.75% në tremujorin e tretë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Ky nivel rritjeje është mbi mesataren e Bashkimit Evropian (1.6%) dhe më i lartë se mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor (3.4%), duke reflektuar një ecuri më pozitive se rajoni dhe BE.

Në nivel nëntëmujor, rritja ekonomike për vitin 2025 rezulton 3.73%, ndërsa qeveria mbetet besimplotë se në përfundim të vitit do të arrihet parashikimi prej 3.9%, mbështetur në të dhënat paraprake për muajt tetor dhe nëntor.

Sipas analizës sektoriale, në tremujorin e tretë 2025, bujqësia, pyjet dhe peshkimi kanë vijuar rënien me 1.73% në krahasim me tremujorin e tretë 2024, ndërsa industria në tërësi është ngadalësuar me 4.75%, kryesisht për shkak të rënies në industrinë nxjerrëse dhe përpunimin e tekstileve. Në të kundërt, energjia elektrike, furnizimi me ujë dhe ushqimi kanë shënuar rritje reale. Ndërtimi është rritur me 4.75%, tregtia, transporti dhe akomodimi me 2.62%, ndërsa informacioni dhe komunikacioni kanë shënuar një rritje të ndjeshme prej 10.4%. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme janë rritur me 10.55%, aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 0.65%, aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike me 2.11%, artet, argëtimi, çlodhja etj. me 4.13%, taksat neto me 5.39%, ndërsa administrata publike, arsimi dhe shëndetësia kanë dhënë kontributin më të madh me rritje 15.04%.

Turizmi ka vijuar të jetë një nga motorët kryesorë të ekonomisë. Për 11-mujorin e vitit 2025, hyrjet e shtetasve të huaj kanë arritur në 12 milionë, ndërsa kohëzgjatja mesatare e qëndrimit të turistëve është rritur në rreth 9 ditë. Sektori i akomodimit dhe shërbimeve hoteliere është rritur me 16% në terma nominalë dhe 3.43% në terma realë.

Në nivel nëntëmujor, shërbimet kanë sjellë rreth 6.5 miliardë euro të ardhura në ekonomi, me rritje 14%, ndërsa shërbimet e udhëtimeve kanë gjeneruar 4.4 miliardë euro. Në nivel tremujor shërbimet janë rritur me 27%, ndërsa shërbimet e udhëtimeve kanë sjellë 2.3 miliard euro.

Konsumi i familjeve është rritur me 1.25%, duke reflektuar një rritje të qëndrueshme pa presion mbi inflacionin, i cili ka mbetur nën objektivin e Bankës së Shqipërisë. Investimet kanë vijuar rritjen me 4.78% në tremujorin e tretë, duke treguar besim të investitorëve vendas dhe të huaj.

Pozicioni i jashtëm i ekonomisë është përmirësuar ndjeshëm. Eksportet janë rritur me 12.55% dhe importet me 5.47%, duke sjellë një sufiçit prej rreth 658 milionë eurosh në tremujorin e tretë dhe rreth 50 milionë euro në nivel nëntëmujor, për herë të parë pas disa vitesh. Megjithatë, deficiti i tregtisë së mallrave është thelluar, i ndikuar nga importet e energjisë dhe rënia e eksporteve të metaleve bazë.

Investimet e huaja direkte për nëntëmujorin 2025 kanë arritur në 1.2 miliardë euro, me rritje prej 51 milionë eurosh krahasuar me një vit më parë. Pesha kryesore i takon pasurive të paluajtshme (31%), ndërmjetësimit financiar (16%) dhe sektorëve të energjisë (5%) dhe komunikacionit (4%).

Në periudhën janar-nëntor 2025 janë regjistruar mbi 19,300 biznese të reja, rreth 18% më shumë se një vit më parë. Papunësia ka vijuar rënien me 8.1%, ndërsa paga bruto mesatare ka arritur në 83,300 lekë, me rritje 7.25% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Në përgjigje të interesit të gazetarëve, ministrja sqaroi se Banka e Zhvillimit është tashmë e parashikuar me ligj dhe pritet të nisë aktivitetin në vitin 2026. Ajo do të funksionojë si bankë “wholesale”, në bashkëpunim me sistemin bankar ekzistues dhe institucione ndërkombëtare, me synim mbështetjen e investimeve strategjike dhe aksesin më të lehtë në financë për sektorin privat.

Lidhur me Paketën e Paqes Fiskale, u theksua se ajo është vullnetare dhe nuk rrezikon qëndrueshmërinë fiskale, por synon të krijojë parashikueshmëri dhe të lehtësojë bizneset nga detyrimet e së kaluarës, në prag të integrimit në tregun e përbashkët evropian.

Sa i përket reformës së pensioneve, prioriteti aktual mbetet rritja e të ardhurave pensionale, ndërsa ndërhyrjet strukturore janë ende në fazë diskutimi me ekspertë ndërkombëtarë dhe Bankën Botërore. Parashikohet që gjatë vitit 2026 të prezantohen propozimet konkrete.

Sipas parashikimeve qeveritare dhe vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia shqiptare pritet të ruajë një trajektore rritëse edhe në vitin 2026, me rritje në intervalin 3.7-4%. Rreziqet kryesore lidhen me zhvillimet gjeopolitike dhe kërkesën e jashtme, por vlerësohen si të moderuara, ndërsa shërbimet, investimet dhe konsumi pritet të mbeten shtyllat kryesore të rritjes ekonomike.