Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Dhjetor 2025

V E N D I M

 

PËR

TRANSFERIMIN E DISA PRONAVE NË PRONËSI TË BASHKISË KAMZË DHE PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.775, DATË 5.9.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË KAMZË, TË QARKUT TË TIRANËS”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 37, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

  1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Kamzë të pronave me numra rendorë 1811–1817, sipas formularëve dhe planeve të rilevimit që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

 

  1. Në vendimin nr.775, datë 5.9.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Kamzë, të qarkut të Tiranës”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

 

  1. Në listën përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, bashkëlidhur vendimit, shtohen pronat me numra rendorë 1811–1817, sipas formularëve dhe planeve të rilevimit që i bashkëlidhen këtij vendimi;
  2. Të dhënat e pronës me numër rendor 42 zëvendësohen me të dhënat sipas formularit dhe planit të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij;
  3. Në lidhjen nr.1, bashkëlidhur vendimit, shtohen pronat, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

 

  1. Ngarkohen Bashkia Kamzë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

 

V E N D I M

 PËR

 

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR ZBATIMIN E PROJEKTIT “PËRPARIMI I SHËNDETIT NEONATAL DHE TË NËNËS NË SHQIPËRI (ANMA)-AID 013307”

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave

 

 

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për zbatimin e projektit “Përparimi i shëndetit neonatal dhe të nënës në Shqipëri (ANMA)-AID 013307”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

 

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE PËR PËRFITIMIN E KATEGORISË NGA PUNONJËSIT    KËRKIMORË-SHKENCORË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 25, të ligjit nr.109/2024, “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për përfitimin e kategorisë nga punonjësit kërkimorë-shkencorë, “asistent kërkues-shkencor”, “kërkues-shkencor”, “kërkues-shkencor i avancuar” dhe “drejtues kërkimor-shkencor”, të instituteve dhe të njësive të veçanta të kërkimit shkencor, të krijuara sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.

 

  1. Për përfitimin e kategorisë “asistent kërkues-shkencor”, kandidati duhet:

 

  1. të zotërojë diplomë të ciklit të dytë të studimeve “Master i shkencave”, në fushën përkatëse të arsimimit, ose një diplomë të barasvlershme me të, në përputhje me nivelin e shtatë të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Në rast se diploma është lëshuar nga institucioni i huaj, i autorizuar në vendin përkatës për lëshimin e tyre, ajo duhet të jetë njohur dhe njësuar në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi;
  2. të jetë i regjistruar dhe në ndjekje të programit të studimeve të ciklit të tretë “Doktoratë”, niveli i tetë i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve;
  3. të ketë referenca nga dy ekspertë të fushës së tij të angazhimit në veprimtari të kërkimit shkencor, të cilët zotërojnë tituj akademikë.

 

  1. Për përfitimin e kategorisë “kërkues-shkencor”, kandidati duhet:

 

  1. të zotërojë diplomë të ciklit të tretë të studimeve “Doktoratë”, niveli i tetë i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Në rast zotërimi të një diplome të lëshuar nga institucioni i huaj, i autorizuar në vendin përkatës për lëshimin e tyre, të jetë e njohur dhe njësuar në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi;
  2. të ketë zhvilluar veprimtari kërkimore-shkencore, të paktën 1 (një) vit, pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”, e cila vërtetohet nëpërmjet angazhimit në veprimtari kërkimore-shkencore në institucione të arsimit të lartë, institute apo njësi të veçanta të kërkimit shkencor;
  3. të ketë botuar, së paku, 1 (një) artikull shkencor në revista ndërkombëtare të indeksuara, pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”;

ç) të ketë botuar, së paku, 2 (dy) artikuj shkencorë, në revista kombëtare të kategorisë A ose B,  pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”;

  1. d) të ketë referenca nga 2 (dy) ekspertë të fushës së tij të angazhimit në veprimtari të kërkimit shkencor, të cilët zotërojnë tituj akademikë.

 

  1. Për përfitimin e kategorisë “kërkues-shkencor i avancuar”, kandidati duhet:

 

  1. të zotërojë kategorinë “kërkues-shkencor”;
  2. të zotërojë diplomë të ciklit të tretë të studimeve “Doktoratë”, niveli i tetë i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Në rast zotërimi të një diplome të lëshuar nga institucioni i huaj, i autorizuar në vendin përkatës për lëshimin e tyre, të jetë e njohur dhe njësuar në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi;
  3. të ketë zhvilluar veprimtari kërkimore-shkencore prej të paktën 3 (tre) vjet, pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”, e cila vërtetohet përmes angazhimit në veprimtari kërkimore-shkencore në institucione të arsimit të lartë, institute apo njësi të veçanta të kërkimit shkencor;

ç) të ketë botuar, së paku, 2 (dy) artikuj shkencorë në revista ndërkombëtare të indeksuara, pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”;

  1. d) të ketë botuar, së paku, 3 (tre) artikuj shkencorë, në revista kombëtare të kategorisë A ose B, pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”;
  2. dh) të ketë pjesëmarrje në veprimtari kërkimore-shkencore, si pjesëmarrje në komitete shkencore apo udhëheqje ose bashkëudhëheqje të projekteve kërkimore-shkencore në institucionet e arsimit të lartë, institute apo njësi të veçanta të kërkimit-shkencor.

 

  1. Për përfitimin e kategorisë “drejtues kërkimor-shkencor”, kandidati duhet:

 

  1. të zotërojë kategorinë “kërkues-shkencor i avancuar”;
  2. të zotërojë diplomë të ciklit të tretë të studimeve “Doktoratë”, niveli i tetë i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Në rast zotërimi të një diplome të lëshuar nga institucioni i huaj, i autorizuar në vendin përkatës për lëshimin e tyre, të jetë e njohur dhe njësuar në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi;
  3. të ketë zhvilluar veprimtari kërkimore-shkencore prej të paktën 5 (pesë) vjet, pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”, e cila vërtetohet përmes angazhimit në veprimtari kërkimore-shkencore në institucione të arsimit të lartë, institute apo njësi të veçanta të kërkimit shkencor;

ç) të ketë botuar, së paku, 3 (tre) artikuj shkencorë në revista ndërkombëtare të indeksuara, pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”;

  1. d) të ketë botuar, së paku 4, (katër) artikuj shkencorë, në revista kombëtare të kategorisë A ose B, pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”;
  2. dh) të ketë pjesëmarrje në veprimtari kërkimore-shkencore, si pjesëmarrje në komitete shkencore apo udhëheqje ose bashkëudhëheqje të projekteve kërkimore-shkencore në institucionet e arsimit të lartë, institute ose njësi të veçanta të kërkimit-shkencor.

 

  1. Kandidati për përfitimin e kategorisë së punonjësit kërkimor-shkencor aplikon pranë institutit kërkimor-shkencor ose njësisë së veçantë të kërkimit shkencor.

 

  1. Instituti kërkimor-shkencor ose njësia e veçantë e kërkimit shkencor ngre një komision të posaçëm të vlerësimit të dosjeve ( në vijim KVD) për vlerësimin e aplikimeve. KVD-ja, nëse e vlerëson të nevojshme, fton personel të kategorisë “Profesor” nga universitetet publike, për shqyrtimin e aplikimeve.

 

  1. KVD-ja shqyrton aplikimin brenda 10 (dhjetë) ditëve punë, sipas kritereve të parashikuara për secilën kategori.

 

  1. Në rast të përmbushjes së kritereve, KVD-ja i përcjell për vlerësim Këshillit Shkencor aplikimin.

 

  1. Pas vlerësimit, brenda 5 (pesë) ditëve punë nga Këshilli Shkencor, drejtuesi i institutit kërkimor-shkencor vendos për dhënien e kategorisë për aplikantin.

 

  1. Kur aplikimi për përfitimin e kategorive nga kandidatët bëhet pranë njësisë së veçantë të kërkimit shkencor, funksionin e Këshillit Shkencor e kryen Këshilli Shkencor i institutit kërkimor-shkencor, me të cilin njësia e veçantë e kërkimit shkencor ka lidhur marrëveshje për këtë qëllim.

 

  1. Drejtuesi i institutit kërkimor shkencor përkatës lëshon aktin e miratimit të kategorisë, brenda 5 (pesë) ditëve punë nga vlerësimi i Këshillit Shkencor, për përfitimin e kategorisë përkatëse për punonjësin kërkimor-shkencor.

 

  1. Kategoria e përfituar, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, mund të transferohet në institutin ose në njësinë e veçantë kërkimore-shkencore, brenda së njëjtës fushë të kërkimit shkencor.

 

  1. Procedura e ankimimit bëhet sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave Administrative.

 

  1. Për institutet ose njësitë e veçanta kërkimore-shkencore, të cilat krijohen për herë të parë, kategoritë e punonjësve kërkimorë-shkencorë do të përcaktohen nga institutet ekzistuese, sipas fushës së kërkimit shkencor që ato mbulojnë, ose, në rast të mungesës së tyre, do të jepen nga drejtuesi i njësisë kryesore në institucione të arsimit të lartë, lloji “universitet”, që kanë të drejtë të japin tituj dhe mbulojnë fushën përkatëse të kërkimit shkencor.

 

  1. Kandidatët që gëzojnë gradën shkencore “Doktor” dhe provojnë nëpërmjet dokumentacionit, që kanë ushtruar veprimtari në fushat përkatëse të kërkimit shkencor për më shumë se 5 (pesë) vjet, e përfitojnë kategorinë “kërkues-shkencor i avancuar” ose “drejtues kërkimor-shkencor”, pa përmbushur përcaktimet e shkronjës “a”, të pikës 4, dhe të shkronjës “a”, të pikës 5, të këtij vendimi.

 

  1. Kandidatëve që zotërojnë titujt akademikë “Profesor i asociuar” dhe “Profesor”, në rast të angazhimit në institutin e kërkimit shkencor ose në njësi të veçantë të kërkimit shkencor u caktohet kategoria “drejtues kërkimor-shkencor”, pavarësisht kritereve të përcaktuara në këtë vendim.

 

  1. Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor, institutet dhe njësitë e veçanta kërkimore-shkencore për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

 

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR KRIJIMIN, VENDOSJEN NËN MBIKËQYRJE, PEZULLIMIN DHE MBYLLJEN E INSTITUTEVE DHE TË NJËSIVE TË VEÇANTA TË KËRKIMIT SHKENCOR

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 16, dhe të pikës 1, të nenit 21, të ligjit nr.109/2024, “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave

 

 

V E N D O S I:

 

 

 

  1. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

  1. Ky vendim ka për objekt përcaktimin e kritereve, të rregullave dhe të procedurave për krijimin e instituteve dhe të njësive të veçanta publike të kërkimit shkencor, si dhe për vendosjen nën mbikëqyrje, pezullimin dhe mbylljen e çdo instituti dhe njësie të veçantë të kërkimit shkencor, me qëllim ushtrimin e veprimtarisë së kërkimit shkencor, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

  1. Instituti privat i kërkimit shkencor dhe njësia e veçantë private e kërkimit shkencor krijohen sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për personat juridikë privatë.

 

  1. Instituti i kërkimit shkencor dhe njësia e veçantë e kërkimit shkencor kanë si mision nxitjen e dijes e të së vërtetës shkencore, mbrojtjen e shëndetit publik, të trashëgimisë kulturore, mjedisore e materiale, nxitjen e teknologjisë dhe inovacionit, nëpërmjet kryerjes së veprimtarive laboratorike dhe vlerësimeve shkencore në këto fusha.

 

  1. Instituti i kërkimit shkencor ka për objekt kërkimin shkencor e zbatimin e tij në një apo në disa fusha të shkencës.

 

  1. Njësia e veçantë e kërkimit shkencor realizon kërkim shkencor në fusha të veçanta të organizuara sipas legjislacionit në fuqi.

 

  1. KRITERET PËR KRIJIMIN E INSTITUTIT TË KËRKIMIT SHKENCOR DHE NJËSISË SË VEÇANTË PUBLIKE TË KËRKIMIT SHKENCOR

 

  1. Instituti i kërkimit shkencor dhe njësia e veçantë e kërkimit shkencor krijohen sipas përbërjes, kritereve të organizimit dhe të plotësimit të personelit kërkimor shkencor, punonjësve ndihmësteknikë dhe administrativë, të përcaktuar në ligjin nr.109/2024, “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.

 

  1. Instituti i kërkimit shkencor përbëhet nga jo më pak se dy njësi të kërkimit shkencor, të organizuara në formën e departamentit, qendrës kërkimore, laboratorit kërkimor ose qendrës eksperimentale. Personeli kërkimor shkencor i institutit, sipas kategorive, përbëhet nga të paktën:

 

  1. 1 (një) kërkues shkencor i avancuar;
  2. 4 (katër) kërkues shkencorë;
  3. 2 (dy) asistentë kërkues shkencorë.

 

  1. Personeli kërkimor-shkencor i njësisë së kërkimit shkencor, sipas kategorive, përbëhet nga të paktën:

 

  1. 2 (dy) kërkues shkencorë;
  2. 1 (një) asistent kërkues shkencor.

 

  1. Numri dhe pozicionet e punës për punonjësit ndihmësteknikë dhe administrativë të institutit të kërkimit shkencor dhe njësisë së veçantë të kërkimit shkencor përcaktohen në aktet e brendshme të institutit apo të njësisë së veçantë, ku është punësuar punonjësi.

 

  1. Instituti i kërkimit shkencor dhe njësia e veçantë e kërkimit shkencor duhet të plotësojnë kriteret infrastrukturore për krijimin e tyre, që lidhen me objektin ndërtimor, ku do të zhvillojnë veprimtarinë, i cili duhet të jetë i përshtatshëm për fushën/at e kërkimit shkencor, që do të realizojnë, si dhe të disponojnë infrastrukturën teknike të nevojshme, në përputhje me fushën/at, që t’i shërbejnë funksionimit normal të veprimtarisë                kërkimore-shkencore.

 

  1. Instituti i kërkimit shkencor dhe njësia e veçantë e kërkimit shkencor duhet të deklarojnë burimet e financimit dhe të garantojnë qëndrueshmërinë financiare për krijimin e tyre.

 

III. PROCEDURA PËR KRIJIMIN E INSTITUTIT TË KËRKIMIT SHKENCOR DHE TË NJËSISË SË VEÇANTË PUBLIKE TË KËRKIMIT SHKENCOR

 

  1. Çdo person juridik publik ka të drejtën e propozimit për krijimin e institutit ose të njësisë së veçantë publike të kërkimit shkencor.

 

  1. Për krijimin e institutit ose të njësisë së veçantë publike të kërkimit shkencor ndiqen procedurat e mëposhtme:

 

  1. Subjekti kërkues i paraqet dokumentacionin e nevojshëm ministrisë përgjegjëse, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore, për krijimin e institutit apo të njësisë së veçantë publike të kërkimit shkencor;
  2. Propozimi për aplikim përmban informacionin dhe dokumentacionin, si më poshtë vijon:

 

  • Kërkesën për krijimin e institutit apo të njësisë së veçantë publike të kërkimit shkencor, ku të përcaktohet misioni, objekti, fusha e veprimtarisë, duke argumentuar nevojën për krijimin e tij;
  • Të dhënat e subjektit, si dhe deklaratëN/at për përbërjen, kriteret e organizimit e të personelit kërkimor-shkencor, si dhe të kritereve infrastrukturore;
  • Projektstatutin, i cili duhet të përmbajë normat bazë që rregullojnë veprimtarinë e institutit apo të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor, ku përcaktohen organizimi, strukturat përbërëse të tij, veprimtaritë e organeve drejtuese, zgjedhja apo emërimi i tyre, si dhe çështje të tjera që rregullojnë veprimtarinë e tyre;
  1. Projektdokumentin strategjik, që përcakton vizionin, objektivat afatgjatë, në zbatim të Strategjisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, Teknologjisë dhe Inovacionit 2023 – 2030;
  2. Deklaratën për burimet e financimit dhe të garantimit të qëndrueshmërisë financiare për krijimin e institutit apo të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor.

 

  1. Ministria përgjegjëse, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore, për verifikimin dhe shqyrtimin e dokumentacionit mbi plotësimin e kritereve për krijimin e institutit ose të njësisë së veçantë publike të kërkimit shkencor, ngre një komision ad hoc, ku, në përbërje të tij, caktohen edhe ekspertë të fushës/ave të kërkimit shkencor, që zhvillon instituti apo njësia e veçantë e kërkimit shkencor, si dhe përfaqësues nga ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës e të kërkimit shkencor.

 

  1. Verifikimi dhe shqyrtimi i dokumentacionit, i përcaktuar në pikën 1 të këtij kreu, bëhet brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga data e aplikimit, sipas akteve të brendshme të ministrisë përgjegjëse, brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore.

 

  1. Ministria përgjegjëse, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore, i propozon Këshillit të Ministrave krijimin e institutit të kërkimit shkencor ose të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor.

 

  1. Instituti i kërkimit shkencor apo njësia e veçantë e kërkimit shkencor i/e krijuar regjistrohet në Regjistrin Kombëtar të Institucioneve, Instituteve, Njësive të Veçanta të Kërkimit Shkencor dhe Kërkuesve Shkencorë.

 

  1. RREGULLA DHE PROCEDURA PËR VENDOSJEN NËN MBIKËQYRJE OSE PEZULLIM TË VEPRIMTARISË TË INSTITUTIT DHE TË NJËSISË SË VEÇANTË TË KËRKIMIT SHKENCOR

 

  1. Ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor kryen vlerësimin periodik apo vlerësime të tjera për verifikimin e përmbushjes së kritereve të funksionimit të institutit ose të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor.

 

Për kryerjen e këtij vlerësimi, ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor dhe ministria përgjegjëse sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore ngrenë një komision ad hoc, ku, në përbërje të tij, caktohen përfaqësues nga të dyja ministritë, si edhe ekspertë të fushës/ave të kërkimit shkencor, që zhvillon instituti apo njësia e veçantë e kërkimit shkencor.

 

  1. Komisioni ad-hoc ia paraqet raportin mbi vlerësimin e institutit apo të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor ministrisë përgjegjëse sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.

 

Në rast të konstatimit të mospërmbushjes së kritereve të funksionimit ose performancës së ulët në ushtrimin e veprimtarisë të institutit apo të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor, sipas kritereve dhe procedurave të vlerësimit të miratuara me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, komisioni i propozon ministrisë përgjegjëse për çështjet e shkencës e të kërkimit shkencor vendosjen në mbikëqyrje ose pezullim të veprimtarisë kërkimore shkencore të institutit ose njësisë së veçantë.

 

  1. Ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor, bazuar në raportin e vlerësimit të komisionit, vendos:

 

  1. kushte për vijimin e veprimtarisë nën mbikëqyrje të ministrisë deri në 1 (një) vit; ose
  2. pezullimin e veprimtarisë deri në plotësimin e kushteve, për një periudhë jo më të gjatë se 2 (dy) vite kalendarike.

 

  1. Në rast kur vendoset masa e përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 3, të këtij kreu, për monitorimin dhe raportimin mbi procesin e mbikëqyrjes së veprimtarisë së institutit ose të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor, ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës e të kërkimit shkencor dhe ministria përgjegjëse sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore ngrenë një komision ad hoc me përfaqësues nga të dyja ministritë, si edhe ekspertë të fushës/ave të kërkimit shkencor, që zhvillon instituti apo njësia e veçantë e kërkimit shkencor.

 

  1. Mbi bazën e raportit të vlerësimit të komisionit ad hoc, që monitoron procesin e mbikëqyrjes, ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor vendos, si më poshtë vijon:

 

  1. Heqjen e kushteve, nëse konstatohet përmbushja e tyre brenda afatit të vendosur nga instituti ose njësia e veçantë e kërkimit shkencor nën mbikëqyrjen e ministrisë; ose
  2. Pezullimin e veprimtarisë deri në 2 (dy) vite kalendarike, në rast se nuk janë plotësuar kushtet e vendosura për institutin ose njësinë e veçantë të kërkimit shkencor për vendosjen nën mbikëqyrjen e ministrisë.

 

  1. Gjatë periudhës së pezullimit, instituti ose njësia e veçantë e kërkimit shkencor nuk lejohet të aplikojë në projekte kombëtare apo ndërkombëtare, të financuara me fonde publike, apo të punësojë personel të ri kërkimor shkencor.

 

  1. Në rast kur vendoset pezullimi i veprimtarisë kërkimore-shkencore, në përfundim të afatit të përcaktuar, ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës e të kërkimit shkencor dhe ministria përgjegjëse sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore, ngrenë një komision ad hoc me përfaqësues nga të dyja ministritë, si edhe ekspertë të fushës/ave të kërkimit shkencor, që zhvillon instituti apo njësia e veçantë e kërkimit shkencor për të vlerësuar përmbushjen e kushteve të vendosura.

 

  1. Në rast se ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor konstaton përmbushjen e kushteve të vendosura prej saj, brenda afatit të përcaktuar në aktin e pezullimit, vendos për heqjen e pezullimit dhe lejimin e ushtrimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore të institutit ose të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor.

 

  1. Në rast se kushtet e përcaktuara në aktin e pezullimit të ministrisë përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor nuk janë plotësuar brenda afatit të përcaktuar, ministria vijon procedurën për mbylljen e institutit apo të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor, sipas kreut V të këtij vendimi.

 

  1. Subjekti i vendosur nën mbikëqyrje apo i pezulluar ka të drejtën e ankimit pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor, në përputhje me përcaktimet e Kodit të Procedurave Administrative.

 

  1. RREGULLAT DHE PROCEDURAT PËR MBYLLJEN E INSTITUTIT OSE TË NJËSISË SË VEÇANTË TË KËRKIMIT SHKENCOR

 

  1. Mbyllja e veprimtarisë së institutit ose të njësisë së veçantë publike të kërkimit shkencor dhe përcaktimi i detyrimeve pas mbylljes së tij/saj bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, mbi bazën e propozimit të ministrit përgjegjës për çështjet e shkencës e të kërkimit shkencor.

 

  1. Veprimtaria e institutit ose e njësisë së veçantë të kërkimit shkencor mbyllet për rastet e përcaktuara në nenin 21 të ligjit për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë.

 

  1. Shkelje të rënda ligjore për mbylljen e institutit apo të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor janë:

 

  1. ushtrimi i veprimtarisë kërkimore-shkencore, që shkakton rrezik për sigurinë kombëtare, të drejtat e njeriut, shëndetin publik apo mjedisin, mbi masën e normës së lejuar të përcaktuar në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e jetës, sigurinë kombëtare, të drejtat e njeriut, shëndetin publik dhe mjedisin;
  2. b) mosrespektimi i legjislacionit në fuqi për pronësinë intelektuale dhe shkelja e normave të etikës së kërkimit shkencor.

 

  1. Për mbylljen e institutit ose të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor respektohet, sipas rastit të paraqitur, procedura e mëposhtme:

 

  1. Në rastin e mbylljes vullnetarisht të institutit ose të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor, subjekti paraqet propozimin e organit drejtues të institutit ose të drejtuesit të njësisë për njësinë e veçantë për mbyllje, propozim i cili përmban të dhëna për pasuritë publike të krijuara gjatë veprimtarisë kërkimore-shkencore, të dhëna për menaxhimin e fondeve publike, si dhe për produktet shkencore, që disponon instituti ose njësia e veçantë e kërkimit shkencor;
  2. Kur mbyllja e institutit ose e njësisë së veçantë publike të kërkimit shkencor bëhet për rastet e përcaktuara në nenin 21 të ligjit për shkencën dhe kërkimin shkencor, ministria përgjegjëse sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore, i propozon ministrisë përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor ndjekjen e procedurës ligjore për mbylljen e tij/saj.

 

  1. Kur mbyllja e institutit ose e njësisë së veçantë të kërkimit shkencor publik bëhet për rastet e përcaktuara në nenin 21 të ligjit për shkencën dhe kërkimin shkencor, ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës e të kërkimit shkencor i propozon Këshillit të Ministrave mbylljen e tij/saj.

 

  1. Në rast të mbylljes së institutit privat apo të njësisë së veçantë private të kërkimit shkencor, ministria i propozon organit, që e ka krijuar, mbylljen e veprimtarisë së kërkimit shkencor, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për personat juridikë privatë.

 

  1. Pas mbylljes vijohet procedura për çregjistrimin e institutit apo të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor të mbyllur nga Regjistri Kombëtar i Institucioneve, Instituteve, Njësive të Veçanta të Kërkimit Shkencor dhe Kërkuesve Shkencorë.

 

  1. Subjekti, për të cilin propozohet mbyllja, ka të drejtën e ankimit pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet e shkencës e të kërkimit shkencor, në përputhje me përcaktimet e Kodit të Procedurave Administrative.

 

  1. Instituti ose njësia e veçantë e kërkimit shkencor që mbyllet dorëzon dokumentacionin që disponon pranë arkivit shtetëror vendor, sipas legjislacionit në fuqi për arkivat.

 

  1. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

 

Ngarkohen ministritë përgjegjëse, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore, ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës e të kërkimit shkencor, institutet e kërkimit shkencor dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE E TË KRITEREVE PËR ZHVILLIMIN E PROJEKTEVE ARKEOLOGJIKE NËNUJORE, SI DHE TË AKTIVITETEVE TË TJERA, QË PREKIN DIREKT OSE INDIREKT TËRËSINË E VLERAVE ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NËNUJORE

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 156, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

  1. Ky vendim përcakton kushtet e kriteret për zhvillimin e projekteve arkeologjike nënujore dhe të aktiviteteve të tjera, që prekin direkt ose indirekt tërësinë e vlerave arkeologjike dhe historike nënujore.

 

  1. Ky vendim zbatohet për:

 

  1. projektet e zhvilluara nga institucione shtetërore ose nga operatorë privatë të autorizuar/licencuar, sipas legjislacionit në fuqi;
  2. çdo aktivitet kërkimor-shkencor ose ndërtimor në ujërat e brendshme dhe në ujërat detare territoriale të Republikës së Shqipërisë;
  3. çdo ndërhyrje që mund të prekë integritetin e artefakteve, anijeve të fundosura ose objekteve arkeologjike të tjera nënujore.

 

  1. Projekte arkeologjike nënujore janë aktivitete që kanë trashëgiminë kulturore nënujore, si objekt kryesor, dhe, të cilat, drejtpërdrejt ose tërthorazi, mund ta dëmtojnë trashëgiminë kulturore nënujore.

 

  1. Projektet arkeologjike nënujore mund të zhvillohen nga:

 

  1. institucionet e specializuara dhe/ose në bashkëpunim me institucione të huaja, që kryejnë veprimtari të kërkimit arkeologjik, të cilat do të kryejnë projekte arkeologjike nënujore në territore të njohura ose jo si zona me vlera arkeologjike. Në rastet kur këto zona bien brenda territorit të zonave të mbrojtura, institucionet e specializuara, si dhe veprimtaritë e kërkimit arkeologjik respektojnë edhe kërkesat e legjislacionit në fuqi për zonat e mbrojtura;
  2. subjekte të licencuara në fushën e arkeologjisë nënujore, sipas legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore.

 

  1. Aktivitete të tjera, që prekin direkt ose indirekt rastësisht trashëgiminë kulturore nënujore, janë aktivitete, të cilat, pavarësisht se nuk e kanë trashëgiminë kulturore nënujore si objektin e tyre kryesor ose një nga objektet e tyre, mund ta dëmtojnë trashëgiminë kulturore nënujore. Gjatë kryerjes së këtyre aktiviteteve zbatohen parashikimet e legjislacionit në fuqi për zonat e mbrojtura.

 

  1. Zhvillimi i projektit arkeologjik nënujor, i cili do të zhvillohet nga institucionet e specializuara ose subjektet e licencuara për veprimtari arkeologjike nënujore, mund të kryhet vetëm me lejen përkatëse nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM);

 

  1. KUSHTET PËR ZHVILLIMIN E PROJEKTEVE ARKEOLOGJIKE NËNUJORE

 

Projektet arkeologjike nënujore zbatohen në përputhje me këto kushte:

 

  1. Ruajtja në vendin e gjetjes, in situ, trajtohet si zgjidhja parësore. Nxjerrja e objekteve nga vendi i gjetjes nënujore lejohet vetëm në rastet kur ruajtja in situ nuk është e mundur dhe vetëm për qëllime studimore, vlerësuese ose arsye të tjera, që lidhen me ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë, pa asnjë synim fitimprurës.

 

  1. Aktivitetet e drejtuara ndaj trashëgimisë kulturore nënujore duhet të përdorin teknika joshkatërruese dhe metodat e vrojtimit e jo të përftimit të objekteve. Nëse është i nevojshëm gërmimi ose përftimi për qëllimin e studimeve kërkimore-shkencore ose për mbrojtjen përfundimtare të trashëgimisë kulturore nënujore, metodat dhe teknikat e përdorura duhet të jenë sa më pak shkatërruese, që të jetë e mundur dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pjesëve të mbetura.

 

  1. Trashëgimia kulturore nënujore nuk tregtohet, shitet, blihet ose këmbehet si mall në treg.

 

  1. Sigurojnë informimin e publikut dhe botimin/publikimin e rezultateve të projektit në revistat shkencore arkeologjike, brenda dhe jashtë vendit.

 

  1. Respektojnë mjedisin ujor dhe ekosistemet përkatëse, në përputhje me parashikimet në legjislacionin për mjedisin.

 

  1. Ndalohet çdo veprim që dëmton mjedisin ujor, florën, faunën ose ndot cilësinë e ujit, në përputhje me parashikimet e legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit.

 

  1. Zbatimi i projekteve duhet të sigurojë ruajtjen fizike të objekteve arkeologjike, që zbulohen gjatë zhvillimit të tij, duke krijuar kushte laboratorike të përshtatshme, si dhe transport të sigurt, nga momenti i zbulimit deri te depozitimi në laborator.

 

  1. Zbulimet e papritura ose ndryshimet në rrethana kërkojnë rishikim të projektit pranë KKTKM-së.

 

III. KRITERET PËR ZHVILLIMIN E PROJEKTEVE ARKEOLOGJIKE NËNUJORE

 

  1. Projekti arkeologjik i parashikuar në pikën 6, të kreut I, të këtij vendimi, kur paraqitet pranë KKTKM-së, duhet të përmbajë:

 

  1. qëllimin dhe objektivat shkencorë, që përfshijnë identifikim, hulumtim, dokumentim, studim, restaurim dhe metodologji, sipas standardeve bashkëkohore, në respekt edhe të mjedisit ujor dhe të ekosistemeve;
  2. planin metodologjik të punës dhe teknikat që do të zbatohen;
  3. një vlerësim paraprak të ndikimit për mjedisin ujor nga aktivitetet e projektit;

ç) një vlerësim të studimeve të mëparshme ose paraprake, nëse aplikohet;

  1. d) listën e personelit kërkimor-shkencor e teknik dhe kualifikimet;
  2. dh) planin e sigurisë dhe emergjencave;
  3. e) planin e konservimit dhe magazinimit të materialeve, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet kompetente;

ë) planin financiar dhe burimet e financimit;

  1. f) afatin e pritshëm kohor për përfundimin e projektit;
  2. g) planet për analizat pas punës në terren dhe aktivitetet e tjera;
  3. gj) menaxhimin dhe mirëmbajtjen e vendit për të gjithë kohëzgjatjen e projektit;
  4. h) program dokumentimin;
  5. i) depozitimin e gjetjeve, duke përfshirë trashëgiminë kulturore nënujore;
  6. j) masat në lidhje me ambientin;
  7. k) përgatitjen e raportit;
  8. l) një program publikimi.

 

  1. Projekti arkeologjik, i parashikuar në pikën 6, të kreut I, të këtij vendimi, kur paraqitet pranë KKTKM-së, duhet të përmbushë kriteret teknike dhe logjistike, si më poshtë vijon:

 

  1. Të ketë një drejtues projekti;
  2. Të ketë arkeologë, në përputhje me natyrën e projektit dhe staf teknik ndihmës të specializuar për zhytje nënujore, të cilët zotërojnë gradën e tretë të zhytësit ose superiore, të mbrojtur në një nga shkollat didaktike të njohura, si: Shkolla Ndërkombëtare për Zhytje – SSI, Konfederata Botërore e Aktiviteteve Nënujore – CMAS, Shoqata Profesionale e Instruktorëve të Zhytjes – PADI ose të ngjashme;
  3. Të ketë arkeologë, në përputhje me natyrën e projektit (arkeologë të licencuar në veprimtari të arkeologjisë nënujore dhe teknik ndihmës të specializuar për zhytje nënujore);

ç) Të ketë staf për përpunimin e gjetjeve;

  1. d) Të ketë specialist konservues;
  2. dh) Të ketë specialist qeramike, monedhash, metalesh, objektesh qelqi etj.;
  3. e) Të ketë skicograf;

ë) Të ketë ekspertë, të cilët do të bëjnë të mundur realizimin e plotë të një projekti, nga fillimi deri në fazën e fundit të tij;

  1. f) Të disponohen mjetet logjistike të specializuara për realizimin e zhytjes dhe insfrastrukturën e domosdoshme, përfshirë mjetet lundruese, në pronësi ose me qira;
  2. g) Në rastet e gërmimeve arkeologjike, të sigurojë kushte të përshtatshme për trajtimin dhe ruajtjen e përkohshme të objekteve arkeologjike, sipas standardeve të Këshillit Ndërkombëtar të Monumenteve dhe Siteve ICOMOS (1996/2001), të ndryshuar;
  3. gj) Të disponojë dokumentin për sigurimin e jetës për drejtuesin dhe stafin shoqërues të projektit, në standardet e Agjencisë Ndërkombëtare për Sigurimin e Zhytëseve DAN EUROPE.
  4. KRITERET DHE KUSHTET PËR ZHVILLIMIN E AKTIVITETEVE QË PREKIN VLERAT NËNUJORE

 

Institucionet e specializuara dhe subjektet e licencuara për veprimtari arkeologjike nënujore duhet:

 

  1. të plotësojnë objektiva të qartë, si dhe kriteret që përfshijnë identifikim, hulumtim, dokumentim, studim, restaurim dhe metodologji, sipas standardeve bashkëkohore në respekt edhe të mjedisit ujor dhe ekosistemeve;
  2. të respektojnë kriteret e parashikuara në pikën 2, të kreut III, të këtij vendimi.

 

  1. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

 

Ngarkohen ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.171, DATË 28.3.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË TAKSËS SË PASURISË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 9, të nenit 4, të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Financave Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Pikat 2 dhe 3, të vendimit nr.171, datë 28.3.2018, të Këshillit të Ministrave ,“Për organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë”, ndryshohen, si më poshtë vijon:

 

“2. Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë ka si mision kryesor mbështetjen e njësive të vetëqeverisjes vendore (bashkitë) në zbatimin e legjislacionit që rregullon taksën mbi pasurinë e paluajtshme.

 

  1. Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë ka këto kompetenca dhe përgjegjësi:

 

  1. a) Administron regjistrin qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale) dhe është dhënësja e vetme e të dhënave që përmban ai;
  2. b) Ofron asistencë për bashkitë gjatë procesit të regjistrimit, përditësimit dhe korrigjimit të të dhënave në regjistrin qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale), duke siguruar që informacioni të jetë i saktë dhe i përditësuar;
  3. c) Monitoron rregullisht të dhënat e regjistruara nga bashkitë në regjistrin qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale) duke identifikuar mangësitë, gabimet ose mospërputhjet, si dhe u jep udhëzime bashkive mbi mënyrën e adresimit të tyre;

ç)   Regjistron dhe përditëson të dhënat në  regjistrin qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale), siç përcaktohet në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për krijimin e  bazës së të dhënave shtetërore “Regjistri qendror  i bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale)”;

  1. d) Pajis përdoruesit e sistemit informatik të regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale) me kode hyrjeje dhe u vë në dispozicion kredencialet e përdoruesve (aksesit), në përputhje me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore “Regjistri qendror i bazës së të dhënave pasurive të paluajtshme (Kadastra Fiskale )”;
  2. dh) Miraton me vendim të drejtorit të Përgjithshëm modelet tip të:

 

  1. njoftimit të vlerësimit të taksës mbi ndërtesën;
  2. kërkesës për korrigjim;

iii. formularit të vetëdeklarimit;

  1. formularit të evidentimit në terren;
  2. kërkesës për pajisjen me kod hyrës dhe kredencialet e aksesit në sistemin informatik të regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale);
  3. ekstraktit të të dhënave nga regjistri qendror i bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale).

 

  1. e) Asiston bashkitë në adresimin e kërkesave dhe problematikave që mund të lindin gjatë punës për administrimin e taksës mbi ndërtesën, si më poshtë:

 

  1. Jep  udhëzime teknike për hyrjen dhe përdorimin e funksionaliteteve të sistemit informatik të regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale);
  2. Jep udhëzime për përcaktimin e bazës së taksës për njësitë e ndërtesës dhe llogaritjen e taksës për to;

iii. Jep asistencë për adresimin e kërkesave dhe problematikave që lidhen me procesin e gjenerimit dhe dërgimit të njoftimeve të vlerësimit të taksës së taksapaguesit, përmes portalit “e-Albania, si dhe regjistrimin e pagesave në pikat e autorizuara të pagesës;

  1. Jep asistencë për çështje ose kërkesa të tjera që lidhen me proceset e ndryshme të punës së bashkive në administrimin e taksës mbi ndërtesën.

 

ë) Monitoron dhe vlerëson rregullisht zbatimin e legjislacionit që lidhet me përcaktimin e bazës së taksës (vlerës së taksueshme), detyrimit për taksën dhe aspekte të tjera të administrimit të taksës mbi ndërtesat në bashkitë e Republikës së Shqipërisë, si pjesë e udhëheqjes së këtij procesi;

  1. f) Kërkon nga bashkitë korrektimin e të dhënave të ndryshme, që përcaktojnë bazën e taksës mbi ndërtesën dhe detyrimet tatimore, si dhe adresimin e çështjeve të tjera, kur konstaton parregullsi dhe gabime në zbatimin e legjislacionit;
  2. g) Verifikon përputhshmërinë e parashikimeve të vendimeve të këshillave bashkiakë për taksën mbi pasurinë e paluajtshme me legjislacionin që rregullon taksën mbi pasurinë e paluajtshme, si dhe informon bashkitë për rezultatet e verifikimit;
  3. gj) Administron procesin e mirëmbajtjes, operimit dhe zhvillimit të funksionaliteteve të sistemit informatik të regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale), që kanë lidhje me procesin e regjistrimit, përcaktimit të bazës së taksës, taksimit, faturimit, mbledhjes së detyrimeve tatimore apo aspekte të tjera të sistemit informatik, me qëllim sigurimin e pajtueshmërisë së sistemit informatik të regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale) me legjislacionin në fuqi dhe nevojat funksionale;
  4. h) Bën testimin dhe pranimin përfundimtar të funksionaliteteve të sistemit informatik të regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale);
  5. i) Bashkëpunon dhe mban takime të rregullta me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për:

 

  1. adresimin e kërkesave dhe problematikave që lidhen me mirëmbajtjen, operimin dhe zhvillimin e funksionaliteteve të sistemit informatik të regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra Fiskale); dhe
  2. sigurimin e ndërveprimit dhe adresimit të nevojave për përmirësimin e ndërveprueshmërisë së regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale) me bazat e tjera shtetërore të të dhënave.
  3. j) Asiston bashkitë në aktivitetet dhe proceset e punës që lidhen me informimin dhe shërbimin ndaj taksapaguesve si dhe organizon, kur është e mundur, fushata informuese dhe ndërgjegjësuese për të promovuar përmirësimin e nivelit të pajtueshmërisë me detyrimet ligjore;
  4. k) Kërkon nga bashkitë informacion të detajuar mbi:

 

  1. procesin e administrimit të taksës mbi pasurinë e paluajtshme;
  2. shërbimin ndaj taksapaguesve;
  • të ardhurat e mbledhura nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme;
  1. l) Harton dhe i propozon ministrisë përgjegjëse për financat ndryshime në kuadrin ligjor që rregullon taksën mbi pasurinë e paluajtshme;
  2. ll) Trajnon stafet përgjegjëse për administrimin e taksës mbi pasurinë e paluajtshme në të gjitha bashkitë;
  3. m) Përgatit manuale informuese për zbatimin e legjislacionit që rregullon taksën mbi pasurinë e paluajtshme, si dhe për përdorimin e funksionaliteteve të sistemit informatik të regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale);
  4. n) Informon në mënyrë periodike ministrin përgjegjës për financat mbi ecurinë e procesit të regjistrimit të të dhënave në regjistrin qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale), administrimin e taksës mbi pasurinë e paluajtshme, si dhe mbi të ardhurat e mbledhura nga këto taksa;
  5. nj) Bashkëpunon dhe mban marrëdhënie institucionale me agjentin përgjegjës për mbledhjen e taksës mbi ndërtesat, ofruesit e shërbimeve dhe autoritetet e tjera që janë përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit në fuqi që rregullon taksën mbi pasurinë e paluajtshme.”.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN DHE PUBLIKIMIN ZYRTAR TË NOMENKLATURËS SË KOMBINUAR TË MALLRAVE, 2026

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 1 e 12, të ligjit nr.9461, datë 21.12.2005, “Për Nomenklaturën e Kombinuar të Mallrave dhe tarifën e integruar doganore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Miratimin dhe publikimin zyrtar të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, 2026, sipas lidhjes nr.1 që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

 

PËR

 

MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR TË KONTINGJENCËS

PËR FLUKSET E PËRZIERA MIGRATORE

PËR VITET 2026-2028

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

  1. Miratimin e Planit Kombëtar të Kontingjencës për Flukset e Përziera Migratore, për vitet 2026-2028, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e

 

  1. Ngarkohen ministritë e linjës dhe institucionet e tjera, për të cilat në plan janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN E  STRATEGJISË KOMBËTARE PËR KONTROLLIN E ARMËVE TË VOGLA, TË LEHTA, MUNICIONEVE DHE EKSPLOZIVËVE 2025 – 2030 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT 2025 – 2028

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta, Municioneve dhe Eksplozivëve 2025 – 2030 dhe të planit të veprimit 2025 – 2028, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, ministritë dhe institucionet përgjegjëse të përmendura në strategji dhe në planin e veprimit për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

 

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI PROJEKTIT RIKONSTRUKSION I SEGMENTIT TË PARË TË LINJËS 110 KV BALLSH-MEMALIAJ”

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

 

 

V E N D O S I:

 

 

 

  1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i segmentit të parë të linjës 110 kV Ballsh-Memaliaj”.

 

  1. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

 

  1. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “ullishte” dhe “kullotë”, me një vlerë të përgjithshme prej 39 232.50 (tridhjetë e nëntë mijë e dyqind e tridhjetë e dy pikë pesëdhjetë) lekësh.

 

  1. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 39 232.50 (tridhjetë e nëntë mijë e dyqind e tridhjetë e dy pikë pesëdhjetë) lekësh, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

 

  1. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

 

  1. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

 

  1. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

 

  1. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

 

  1. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

 

  1. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a.

 

  1. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë të pasurive që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

                                                  

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

 

PËR

LIRIM NGA DETYRA

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

 

V E N D O S I:

 

 

  1. Besjan Kadiu, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, lirohet nga kjo detyrë.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

LIRIM NGA DETYRA

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

 

V E N D O S I:

 

 

  1. Ami Kozeli, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, lirohet nga kjo detyrë.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA