Në prag festash, Kryeministri Rama pranë mjekëve dhe pacientëve të vegjël në QSUNT
Në mbyllje të këtij viti dhe në vigjilje të festës së Krishtlindjes, siç është kthyer në traditë tashmë, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala vizitoi Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet, për t’u përshëndetur me mjekë, infermierë e stafin mbështetës, por jo vetëm.
Pacientët e vegjël që trajtohen në shërbimin e Pediatrisë ishin të parët që u vizituan nga Kryeministri Rama, i cili shpërndau për ta dhurata me rastin e festave të fundvitit, duke iu uruar shërim të shpejtë dhe kthim sa më parë në shtëpi.
“Ne e bëjmë këtë çdo vit, kështu që kemi ardhur të sjellim dhuratat për ju që ta kaloni gëzuar Vitin e Ri bashkë me mamat dhe me babat, edhe që të shëroheni sa më shpejt që të ktheheni në shtëpi dhe në shkollë.” – uroi Kryeministri vogëlushët që shoqëroheshin nga prindërit në mjediset spitalore.
Më tej, Kryeministri Rama, vijoi vizitën në Spitalin Onkologjik, i cili në muajt e fundit ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën dhe ka rritur kapacitetet pritëse. Drejtuesja e QSUNT Anxhela Paparizo informoi se është realizuar rikonstruksioni i një sërë ambienteve, mes të cilave sallat e kemioterapisë ditore, që janë pajisur edhe me aparatura të teknologjisë moderne.
Ndërsa Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala shtoi se është realizuar edhe rregullimi i fashave orare, duke i dhënë përparësi pacientëve të ardhur nga rrethet për kemioterapinë ditore, për të cilën është hapur dhe një sallë e dytë me kapacitet më të madh, me poltrone dhe sistem monitorimi bashkëkohor.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama u shpreh se synimi është që shërbimi i kemioterapisë të ofrohet edhe nëpër rrethe, në mënyrë që të shmanget fluksi i shtuar në QSUNT.
Në vijim, Kryeministri Rama zhvilloi një takim të zgjeruar me personelin mjekësor të QSUNT, ku vlerësoi përkushtimin dhe sakrificën e mjekëve, infermierëve dhe gjithë stafit shëndetësor, si dhe ndau prioritetet për vitin e ardhshëm në fushën e shëndetësisë, përfshirë rritjen e buxhetit, mbështetjen për barnat onkologjike, rritjen e pagave, digjitalizimin e shërbimeve dhe vijimin e transformimit të QSUNT-së në shërbim të pacientëve dhe komunitetit.
Në mbyllje, Kryeministri Rama përcolli urime të përzemërta për stafin shëndetësor dhe familjet e tyre, duke theksuar se sakrifica e tyre është themelore për funksionimin e sistemit shëndetësor dhe për mirëqenien e shoqërisë.