Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Dhjetor 2025

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA NË LIGJIN NR.7975, DATË 26.7.1995, “PËR BARNAT NARKOTIKE DHE LËNDËT PSIKOTROPE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar, bëhen shtesat e mëposhtme:

Neni 1

1. Në listën II të Konventës për Lëndët Psikotrope të vitit 1971, bashkëlidhur ligjit, shtohen substancat sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij ligji.

2. Në listën IV të Konventës për Lëndët Psikotrope të vitit 1971, bashkëlidhur ligjit, shtohen substancat sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij ligji.

3. Në listën I të Konventës Unike për Lëndët Narkotike të vitit 1961, bashkëlidhur ligjit, shtohen substancat sipas shtojcës nr.3, që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
NIKO PELESHI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.7975, DATË 26.7.1995, “PËR BARNAT NARKOTIKE DHE LËNDËT PSIKOTROPE”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8874, DATË 29.3.2002, “PËR KONTROLLIN E LËNDËVE QË PËRDOREN PËR FABRIKIMIN E PALIGJSHËM TË LËNDËVE NARKOTIKE DHE PSIKOTROPE”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.8874, datë 29.3.2002, “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

Neni 1

Pas shkronjës “f”, të nenit 2, shtohen shkronjat “g”, “gj”, ”h” dhe “i”, me këtë përmbajtje:

“g) “Lëndë jo e listuar” është çdo lëndë, e cila edhe pse nuk është e përfshirë në shtojcat që i bashkëlidhen këtij ligji, është identifikuar si e përdorur për prodhimin e paligjshëm të lëndëve narkotike ose të substancave psikotrope;
gj) “Eksportues” është personi fizik ose juridik që është përgjegjës kryesor për veprimtaritë e eksportit, në bazë të marrëdhënies ekonomike e ligjore me lëndët e listuara dhe me marrësin, dhe, kur është e nevojshme, ai që paraqet deklaratën doganore ose në emër të të cilit paraqitet deklarata doganore;
h) “Importues” është personi fizik ose juridik që është përgjegjës kryesor për veprimtaritë e importit, në bazë të marrëdhënies ekonomike e ligjore me lëndët e listuara dhe me dërguesin, dhe që paraqet deklaratën doganore ose në emër të të cilit paraqitet deklarata doganore;
i) “Bordi Ndërkombëtar i Kontrollit të Narkotikëve (INCB)” është organi i krijuar nga Konventa e Vetme mbi Lëndët Narkotike e vitit 1961, e ndryshuar me protokollin e vitit 1972.”.

Neni 2

Neni 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 11

Deklarimi për përdorimin e parashikuar të lëndës

1. Çdo porosi për një lëndë të listuar në shtojcën 1, të këtij ligji (kategoritë 1 dhe 2), shoqërohet nga një deklarim i përdorimit të parashikuar të saj, sipas modelit të përcaktuar në shtojcat 7 dhe 7/1, të këtij ligji. Operatori nuk duhet të bëjë, në asnjë rast, porosinë pa një deklarim të tillë.

2. Si një alternativë ndaj deklaratës së mësipërme për një transaksion individual, një operator që furnizon rregullisht një klient me një substancë të planifikuar të kategorisë 2, të shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij ligji, mund të pranojë një deklaratë të vetme që mbulon disa transaksione, që përfshijnë këtë substancë të planifikuar gjatë një periudhe që nuk tejkalon një vit, me kusht që operatori të jetë i bindur se kriteret janë përmbushur, si më poshtë vijon:

a) Klienti është furnizuar nga operatori me substancën, të paktën 3 herë gjatë 12 muajve të mëparshëm;
b) Operatori nuk ka asnjë arsye të mendojë se substanca do të përdoret për qëllime të paligjshme;
c) Sasitë e porositura janë në përputhje me konsumin e zakonshëm për atë klient.”.

Neni 3

Pika 4, e nenit 18, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Dokumentacioni i përmendur në pikat 1 dhe 3, të këtij neni, ruhet për një periudhe prej 3 vjetësh, duke filluar nga fundi i vitit kalendarik, në të cilin është kryer operacioni i përmendur në pikën 1, të këtij neni, dhe duhet të jetë i disponueshëm për inspektim nga organet përgjegjëse, sipas kërkesës së këtyre të fundit. Ky dokumentacion duhet të organizohet në formë elektronike ose në letër, në mënyrë të tillë që të jetë lehtësisht i disponueshëm për inspektim nga autoritetet kompetente me kërkesë.
Dokumentacioni mund të ruhet në formë imazhi ose në një mjet tjetër elektronik të ruajtjes së të dhënave, me kusht që, kur të bëhet i lexueshëm, të përputhet në pamje dhe në përmbajtje me dokumentacionin origjinal, të jetë gjithmonë i aksesueshëm, të mund të lexohet pa vonesë dhe të analizohet me mjete automatike.”.

Neni 4
Dispozita të fundit

1. Shtojca 1 “Lista e lëndëve që përdoren shpesh për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope” zëvendësohet me shtojcën me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij ligji.

2. Shtojca 4 “Sasitë maksimale të lëndëve të kategorisë që mund të trajtohen nga operatorët, pa qenë të regjistruar” zëvendësohet me shtojcën me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij ligji.

3. Pas shtojcës 4 shtohet shtojca 4 /1, që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 5
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”

 

K R Y E T A R I

NIKO PELESHI

###

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8874, DATË 29.3.2002, “PËR KONTROLLIN E LËNDËVE QË PËRDOREN PËR FABRIKIMIN E PALIGJSHËM TË LËNDËVE NARKOTIKE DHE PSIKOTROPE””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8874, datë 29.3.2002, “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA