Urdhërohet evakuimi i menjëhershëm në Durrës dhe Vlorë për shkak të përmbytjeve
Për shkak të situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit, ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, ndërsa një masë e njëjtë është marrë edhe për Njësinë Administrative Novoselë, në bashkinë Vlorë.
Evakuimi po realizohet në zbatim të Ligjit “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar të Emergjencave Civile dhe planeve vendore, përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefektët e qarqeve dhe strukturat e emergjencave civile në bashki. Sipas legjislacionit në fuqi, kryetarët e bashkive janë autoritetet përgjegjëse për urdhërimin e evakuimit në territorin përkatës.
Prioritet në proces kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara. Transporti për evakuimin e banorëve po sigurohet nga mjetet e bashkive, shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) dhe Forcat e Armatosura.
Menaxhimi i strehimit të përkohshëm dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga bashkitë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, strukturat shëndetësore dhe shërbimet sociale, duke përfshirë regjistrimin e të evakuuarve, sigurimin e nevojave bazë, ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore.
Autoritetet bëjnë me dije se vendimi ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë, ndërsa qytetarët ftohen të bashkëpunojnë me strukturat në terren dhe të kontaktojnë numrin e emergjencave për çdo nevojë