Vengu: Vijon evakuimi i banorëve në Fier dhe Dimal për shkak të përmbytjeve
Prej situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, në fshatin Ferras të Bashkisë Fier dhe në Bashkinë e Dimalit po vijon evakuimi i banorëve të rrezikuar. Masat janë marrë pas reshjeve intensive të shiut të ditëve të fundit, të cilat kanë sjellë problematika të shtuara në disa qarqe të vendit, kryesisht në Fier, Durrës dhe Vlorë.
Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm në disa zona, konkretisht në Ferras të Fierit, Novoselë të Vlorës, si dhe në Sukth dhe Katund të Ri në bashkinë e Durrësit. Evakuimi po realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefektët e qarqeve dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashki.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se efektivët e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut janë të angazhuar në vijën e parë të ndërhyrjeve për evakuimin e banorëve dhe përballimin e emergjencave civile në Ferras dhe në territorin e bashkisë së Dimalit.
Sipas legjislacionit në fuqi, kryetari i bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin përkatës. Prioritet në proces kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zonat më të izoluara. Transporti për evakuimin e banorëve po sigurohet nga mjetet e bashkive, shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe Forcat e Armatosura.
Menaxhimi i strehimit të përkohshëm dhe asistencës për qytetarët e evakuuar po realizohet nga bashkitë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, strukturat shëndetësore dhe shërbimet sociale, duke përfshirë regjistrimin e të evakuuarve, administrimin e nevojave bazë dhe ofrimin e informacionit periodik mbi situatën dhe masat në vijim.
Autoritetet ftojnë qytetarët të bashkëpunojnë me strukturat në terren dhe të kontaktojnë numrin e emergjencave për çdo nevojë.