Koçiu në Durrës: Shtabi i Emergjencave Civile koordinon masat për përballimin e përmbytjeve, vijon evakuimi i banorëve

Në Prefekturën e Qarkut Durrës u zhvillua sot mbledhja e Shtabit të Emergjencave Civile, për koordinimin e të gjitha strukturave shtetërore dhe vendore në zbatim të planit të menaxhimit të situatës së krijuar nga reshjet e dendura të ditëve të fundit. Në zonat e prekura nga përmbytjet ka nisur evakuimi i banorëve, ndërsa ekipet në terren vijojnë punën pa ndërprerje për minimizimin e pasojave dhe garantimin e sigurisë së plotë të jetës dhe pronës së qytetarëve.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, bëri të ditur se evakuimi po realizohet nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe institucionet vendore. Deri në këto momente, rreth 20 familje janë evakuuar nga zonat më të rrezikuara, ndërsa situata mbetet dinamike dhe po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve në terren dhe të mos ndërmarrin lëvizje të pakontrolluara apo evakuime të paautorizuara, pasi strukturat përgjegjëse janë të angazhuara për të garantuar zhvendosjen dhe akomodimin e sigurt të çdo familjeje që ndodhet në rrezik.

Banorët e evakuuar po sistemohen në struktura hoteliere dhe ambiente të Konvaleshencës të vëna në dispozicion nga institucionet shtetërore, me mbështetjen e Rezervave Materiale të Shtetit. Pas stabilizimit të situatës, do të vijojë procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve materiale, ndërsa prioritet absolut në këtë fazë mbetet mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve.