SHPALLJE VENDI VAKANT 1 (një) Specialist, në Sektorin për Hulumtimin dhe Përmbajtjen, në Drejtorinë e Informimit të Institucioneve, Hulumtimit dhe Përmbajtjes, në Agjencinë për Media dhe Informim – klasa IV-1

Në zbatim të Ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, (i ndryshuar), të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 512, datë 18.9.2021 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Media dhe Informim” dhe të Urdhrit të Kryeministrit, nr. 136, datë 23.11.2021 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë për Media dhe Informim”, ( i ndryshuar), Agjencia për Media dhe Informim, shpall konkurrimin për vend të lirë pune në pozicionin:

Specialist, në Sektorin për Hulumtimin dhe Përmbajtjen, në Drejtorinë e Informimit të Institucioneve, Hulumtimit dhe Përmbajtjes, në Agjencinë për Media dhe Informim – klasa IV-1

 

Përshkrimi i përgjithshëm i punës:

  • Asiston koordinatorin (fjalëshkruesin) e drejtorisë në përpilimin e fjalëve, tezave të diskutimit apo materialeve të tjera të komunikimit publik të Kryeministrit si dhe, sipas udhëzimeve të koordinatorit (fjalëshkruesit), mbështet Drejtorinë e Koordinimit të Ministrive dhe Agjencive dhe strukturat përgjegjëse në ministri në redaktimin e fjalëve, tezave të diskutimit apo materialeve të tjera të komunikimit publik, në funksion të ministrive dhe agjencive;
  • Kujdeset për vlerësimin e informacionit të mbledhur përmes procesit të hulumtimit apo informacionit të ardhur nga ministritë dhe institucionet e tjera, i cili përdoret në funksion të fjalëve, tezave të diskutimit apo materialeve të tjera të komunikimit publik;
  • Nën mbikëqyrjen e përgjegjësit të sektorit dhe drejtorit të drejtorisë ndihmon në shkrimin dhe përgatitjen e materialit përmbajtësor për faqet e internetit dhe kanalet e komunikimit elektronik të Kryeministrit dhe ministrive, si dhe për publikime të ndryshme sipas nevojës;
  • Hulumton për materiale në burime të komunikimit publik, raporte kombëtare apo ndërkombëtare, si dhe të dhëna statistikore publike, duke u mbështetur në fakte dhe informacione të sakta e të verifikuara, në funksion të komunikimit qeveritar;
  • Përkthen materiale në gjuhë të huaj dhe anasjelltas nga burime vendase apo të huaja informacioni, për qëllime të hulumtimit, fjalëshkrimit dhe për çdo nevojë tjetër të Agjencisë;
  • Shqyrton dhe përmbledh në mënyrë analitike rezultate dhe të dhëna nga hulumtime të opinionit publik që lidhen me aspekte të komunikimit dhe/apo punës së Këshillit të Ministrave, të kryera në funksion të tij, të Agjencisë, apo nga palë të treta;
  • Raporton pranë përgjegjësit të sektorit, drejtorit të drejtorisë apo koordinatorit të drejtorisë (fjalëshkruesit) për ecurinë e procesit të përgatitjes së materialeve përmbajtësore;
  • Garanton ecurinë dhe mbarëvajtjen e punës në grup, përmes aftësive analitike dhe komunikuese me kolegët dhe eprorët.

Aplikanti duhet të plotësojë:

Kërkesat e përgjithshme:

  • Të jetë shtetas shqiptar;
  • Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  • Të përmbushë kërkesat ligjore për nivelin arsimor dhe të zotërojë aftësitë e nevojshme dhe profesionale për vendin e punës;
  • Të jetë në kushte të mira shëndetësore për të kryer detyrat përkatëse;
  • Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.

 

Kërkesat e veçanta :

– Të zotërojë diplomë të nivelit “Master Shkencor” apo “Master Profesional”;

– Preferohet të ketë eksperiencë të mëparshme pune në sektorë të ngjashëm.

 

Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit:

Aplikanti duhet të paraqesë në Agjencinë për Media dhe Informim në adresën: Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Pallati i Kongreseve, Tiranë ose në adresën e e-mailit vakance@mia.gov.al, këto dokumente:

  • Kërkesë për punësim;
  • Përshkrim të edukimit dhe karrierës profesionale (curriculum vitae);
  • Diploma të njësuara me origjinalin (të noterizuara),(Diploma e arsimit të lartë e fituar jashtë vendit duhet të jetë e njohur dhe njehsuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore);
  • Lista notash të njësuara me origjinalin (të noterizuara);
  • Librezë pune (e noterizuar);
  • Raport mjeko-ligjor për aftësi në punë;
  • Çertifikatë të gjendjes gjyqësore (dëshmia e penalitetit);
  • Fotokopje të kartës së identitetit.

 

Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimit dhe dokumentacionit të plotë është data 18.01.2026. Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda kësaj date sjell skualifikim të aplikantit.

Aplikanti njoftohet individualisht dhe nëpërmjet adresës së e-mailit ose telefonit për verifikimin e plotësimit të kritereve të kërkuara, procesin e ankimimit, datën e provimit me gojë si dhe për informacione të tjera të nevojshme.