Kryeministri Rama: Do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj qytetarëve

Nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, u zhvillua mëngjesin e sotëm në zyrën operacionale të Kryeministrisë mbledhja e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, ku u raportua dhe u bë përditësimi i situatës së krijuar në vend si pasojë e motit të keq dhe reshjeve intensive të ditëve të fundit.

Kryeministri Rama theksoi se situata aktuale është rezultat i një fenomeni të zgjatur dhe ekstrem atmosferik që ka prekur një hartë të gjerë vendesh, nga Italia dhe Greqia deri në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, në kuadër të ndryshimeve klimatike që po sjellin reshje më intensive, sisteme atmosferike më të ngadalta dhe përmbytje më të shpeshta.

Kryeministri nënvizoi se në këtë situatë prioritet mbetet mbështetja e drejtpërdrejtë e qytetarëve të prekur, solidariteti dhe koordinimi institucional.“Në një situatë si kjo, nuk kërkohen fajtorë imagjinarë, por ndihmohen njerëzit realë. Njerëzit nuk kanë nevojë për më shumë britma, shpifje dhe teori konspiracioni, por për më shumë solidaritet, mbështetje dhe bashkim forcash.” – u shpreh Kryeministri, – i cili bëri me dije se sipas të dhënave të raportuara, në rang vendi janë konstatuar 1 587 banesa në prani uji, janë evakuuar 339 persona nga 51 familje, ndërsa rreth 13 211 hektarë tokë bujqësore janë prekur nga përmbytjet. Gjithashtu, janë evidentuar dëmtime në disa objekte arsimore dhe shëndetësore. Në qarkun e Durrësit janë regjistruar 41 mm reshje, ndërsa në Shkodër janë shënuar vlera mbi 200 mm reshje në 24 orë, duke e bërë atë zonën më të prekur.

Ndër të tjera hidrovoret dhe infrastruktura e mbrojtjes nga përmbytjet kanë qenë në funksion të plotë, ndërsa shkarkimet nga hidrocentralet janë kryer në mënyrë të kontrolluar, duke shmangur përmbytje masive në zona kritike. Gjithashtu, institucionet përgjegjëse kishin siguruar gatishmëri të plotë përpara sezonit të reshjeve, përfshirë mirëmbajtjen e kanaleve kulluese, argjinaturave dhe digave.

Kryeministri siguroi se qeveria do të përmbushë të gjitha detyrimet për zhdëmtimin e qytetarëve të prekur, si për banesat ashtu edhe për gjënë e gjallë, ndërsa mobilizimi i strukturave shtetërore dhe i bashkive do të vijojë 24 orë në të gjithë territorin deri në kapërcimin e plotë të situatës. Ai kërkoi gjithashtu angazhim të vazhdueshëm nga deputetët dhe autoritetet vendore pranë qytetarëve, për të garantuar një proces zhdëmtimi sa më të drejtë, transparent dhe efikas.

“Dua t’i siguroj edhe të dëmtuarit e kësaj here se ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre qoftë për banesat , qoftë për gjënë e gjallë. Ndërkohë që, puna intensive dhe mobilizimi i pandalur 24 orë, në të gjithë territorin ku është nevoja e të gjithë strukturave të shtetit, si dhe e bashkive do të vazhdojë e pandërprerë, deri në përmirësimin e kësaj situate të rënduar metereologjike dhe nga ana tjetër dua t’u them të gjithë deputetëve të shumicës qeverisëse të pranishëm në këtë mbledhje përmes zoom-it të jenë të angazhuar edhe sot, edhe nesër, edhe pasi momenti i vështirë të jetë kapërcyer pranë njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit.” – u shpreh Kryeministri Rama.