Ministri Salla: Evakuime fermash dhe ndërhyrje në kanale kulluese e argjinatura, strukturat në terren për verifikimin e dëmeve

Gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se strukturat e ministrisë janë angazhuar në terren për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit.

Sipas ministrit, janë kryer evakuime të disa fermave blegtorale të rrezikuara, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa veterinerët zyrtarë po ofrojnë asistencë të vazhdueshme për fermerët e prekur. Paralelisht, po punohet për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese, si dhe për rehabilitimin e dy argjinaturave që kanë pësuar çarje, konkretisht në zonat Sheqeras-Devoll dhe Bilisht-Goshticë.

Hidrovoret kanë funksionuar normalisht në të gjithë territorin e vendit dhe aktualisht 29 ekskavatorë janë në gatishmëri në nivel kombëtar, duke operuar në zonat më problematike për largimin e ujërave dhe parandalimin e përmbytjeve të mëtejshme.

Ministri informoi se po vijon procesi i verifikimit të dëmeve në bujqësi dhe blegtori, përmes grupeve të posaçme në terren, në bashkëpunim me bashkitë dhe strukturat e emergjencave civile, me qëllim evidentimin e saktë të dëmeve dhe mbështetjen e fermerëve të prekur.