Balluku: Situata nga moti i keq në përmirësim, energjia dhe akset kombëtare funksionale

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se situata nga moti i keq paraqitet më e përmirësuar në rang vendi, gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile.

Sipas Ballukut, mbi 1600 punonjës të sektorit energjetik janë angazhuar në terren që nga 2 janari në zonat më të prekura, përfshirë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Gjirokastrën dhe Elbasanin. Operatori i Sistemit të Transmetimit raporton se të gjitha linjat e transmetimit janë funksionale, ndërsa numri i abonentëve pa energji ka rënë ndjeshëm krahasuar me ditën e mëparshme dhe po punohet për rikuperimin e plotë në orët në vijim.

Nënstacionet janë funksionale në të gjithë vendin, me përjashtim të dy stacioneve në Kafaraj dhe Poçem, ku prania e ujit vijon, por pritet rikthimi i tyre në funksion pas rënies së nivelit të Vjosës. Sa i përket kaskadës energjetike, prurjet janë menaxhuar në mënyrë të kontrolluar dhe nuk paraqitet rrezik për shkarkime të pakontrolluara.

Ministrja informoi se të gjitha akset kombëtare janë funksionale, ndërsa problematika janë evidentuar kryesisht në rrugët rurale për shkak të përmbytjeve dhe rënies së inerteve. Autoritetet po bashkëpunojnë me bashkitë për pastrimin dhe rikthimin e qarkullimit normal.

Aeroporti i Rinasit dhe Porti i Durrësit vijojnë të funksionojnë normalisht, me vonesa minimale të shkaktuara nga kushtet atmosferike. Ndërkohë, për ditën e sotme parashikohet rritje e shpejtësisë së erës në Ultësirën Perëndimore, çka mund të sjellë vështirësi në lundrim.

Në përfundim, ministrja u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të përdorin pajisjet dimërore në zonat me ngrica dhe dëborë.