Demo: Bashkitë në koordinim të plotë për menaxhimin e situatës nga reshjet dhe garantimin e aksesit në zonat e thella

Gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi se të gjitha bashkitë në qarqet e prekura nga reshjet e fundit kanë qenë tërësisht të angazhuara dhe në koordinim të plotë me agjencitë kombëtare për përballimin e situatës së krijuar nga moti i keq.

Sipas ministrit, falë bashkëpunimit mes bashkive, prefekturave, agjencive kombëtare, Emergjencave Civile dhe Forcave të Armatosura, është bërë e mundur reagimi i shpejtë në momentet më kritike, duke pasur si prioritet shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e infrastrukturës. Paralelisht, janë ngritur grupet e punës për evidentimin e dëmeve dhe përgatitjen e hapave të mëtejshëm.

Demo theksoi se bashkitë janë tashmë të angazhuara edhe në një fazë tjetër të përballimit të situatës, atë të garantimit të aksesit në zonat e thella, veçanërisht në kushtet e reshjeve të dëborës. Ai vlerësoi gatishmërinë e kryetarëve të bashkive dhe të stafeve vendore, të cilët, në bashkëpunim me strukturat e Emergjencave Civile dhe Forcat e Armatosura, vijojnë të jenë në terren për menaxhimin e kësaj situate të pazakontë.