Parku i energjisë së rinovueshme me erë në Tropojë, investim domethënës në rrugën drejt sovranitetit energjetik
U prezantua sot projekti për Parkun e energjisë së rinovueshme me erë në Tropojë, 600 MW një zhvillim tejet domethënës në rrugën drejt sovranitetit energjetik, investim i kompanisë amerikane CWP, lider në energjinë e rinovueshme në Evropën Juglindore.
Projekti, në prezantimin e të cilit mori pjesë edhe Kryeministri Rama, së bashku edhe me projekte të tjera të kësaj natyre, kanë impakt të drejtpërdrejtë në sektorin energjetik shqiptar, duke kontribuar në rritjen e prodhimit vendas të energjisë, uljen e varësisë nga importet, veçanërisht në vitet e thata, përmirësimin e sigurisë energjetike të vendit dhe duke krijuar në të njëjtën kohë vende të reja pune, që rrisin të ardhurat dhe fuqizojnë ekonominë lokale.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se edhe ky investim shkon në rrugën e përmbushjes së atij objektivi të madh strategjik për ta bërë Shqipërinë një vend sovran në prodhimin e energjisë dhe se Shqipëria është vendi i duhur për të gjithë investitorët për të shërbyer si pikënisje e investimeve madhore që i tejkalojnë kufijtë e vendit.
* * *
Përshëndetje të gjithëve! Më vjen shumë mirë që sot këtu ne finalizojmë një përpjekje rreth dy vjeçare, një përpjekje e përbashkët me kompaninë e mirënjohur për të gjithë procesin para përgatitor, që faktikisht është më i shkurtër se procesi i ndërtimit pasi ne shpresojmë që gjithçka të shkojë ashtu si duhet dhe në harkun e 12 muajve pa llogaritur periudhën kur dimri është intensiv, ky park i madh i energjisë së erës në Tropojë të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë së rinovueshme në vendin tonë.
Duke pasur parasysh eksperiencën e kompanisë, duke pasur parasysh rrugëtimin e suksesshëm të kompanisë që siç e patë edhe në hartën e pranisë së saj në Europë ka marshuar në disa vende përpara se të mbërrinte në Shqipëri, unë kam shumë besim që jo vetëm do përfitojmë një burim të ri dhe të fuqishëm energjie të rinovueshme, por do të përfitojmë edhe dije të reja dhe do përfitojmë edhe një vlerë të shtuar në kulturën e punës dhe të veprimit në një sektor kaq strategjik sa sektori energjetik.
Në ndërkohë që edhe ky investim shkon në atë drejtim strategjik dhe në rrugën e përmbushjes së atij objektivi të madh strategjik për ta bërë Shqipërinë një vend sovran në prodhimin e energjisë.
Ne e kemi pasur për një periudhë të gjatë një varësi të plotë nga uji, pra nga shiu dhe në ndërkohë kemi trashëguar një sistem me aq shumë të çara saqë kur na ka munguar shiu, na është dashur të dalin në tregun ndërkombëtar dhe të blejmë sasi të mëdha me çmime të kripura ndërkohë që kur shiu ka ardhur me shumicë kemi parë që shumë nga kjo vlerë potenciale, që është uji, të dredhet dhe jo vetëm të mos kthehet në energji, por të shkaktojë edhe dëme ndonjëherë të jashtëzakonshme.
Koha kur Shqipëria duhet të dalë në treg për të blerë energji po shkon drejt fundit dhe ne do të jemi në kategorinë e atyre jo shumë vendeve që gëzojnë pavarësi të plotë kur vjen puna tek prodhimi i kësaj lënde vitale për organizmin e një shteti. Kjo si rezultat i investimeve të bëra gjatë gjithë këtyre viteve por jo thjeshtë investimeve por i një vizioni, i një programi dhe i një përpjekjeje të përditshme në drejtimin e duhur nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të të gjitha ekipeve.
Sot ato që deri dje ishin plagë në organizmin e shtetit shqiptar, ndërmarrjet e sektorit elektro-energjetik janë pararojë në administrim dhe në mirë funksionimin e tyre.
Sot ne kemi një portofol që ka nisur të diversifikohet, pra të balancohet ku uji sigurisht do të mbetet burimi kryesor i prodhimit, por ku energjia e diellit dhe e erës kanë filluar të zënë vendin e tyre, vend që deri në fund të kësaj dekade, pra në “Shqipërinë 2030’’, do të jetë 30% dhe me këtë 30 përqindësh, ne do të kemi plotësisht të garantuar se sistemi ynë do të jetë i vetëmjaftueshëm dhe çdo gjë që do të prodhojmë përtej nevojave tona, do ta eksportojmë, gjë që do të thotë, jo më para të hedhura jashtë vendit për të blerë energji, por energji e shitur jashtë vendit për të sjellë më shumë të ardhura për ekonominë, për familjet dhe për të nesërmen e vendit tonë.
Ne kemi realizuar ndërkohë dhe një proces besueshmërie të lartë, sektori energjetik është sektori i garave të hapura ndërkombëtare dhe i një pranie masive të kompanive me reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar në pjesëmarrjen në këto gara dhe më vjen jashtëzakonisht mirë ta nënvizoj,meqë jemi në një faze të historisë sonë kur fjala korrupsion është si ato këpucët e modës, që po nuk e nxori njeriu nga goja duket sikur nuk është në modë, që pikërisht në këtë sektor kjo fjalë ka marrë një përgjigje të vazhdueshme sistematike dhe nuk ka një kompani të vetme, serioze që ka marrë pjesë në këto gara, që të ketë shprehur një rezervë sado të vogël, lidhur me integritetin e garave dhe me proceset e stabilizuara dhe të konsoliduara në këtë sektor.
Besoj që të njëjtën dëshmi mund ta japin fare mirë, amerikanët që kemi këtu nga ana e sektorit privat bashkë me të tjerët sepse jo vetëm që nuk kanë ndeshur në Tiranë asnjë pengesë të kësaj natyre, por përkundrazi, e kanë pasur qeverinë në krah, në çdo hap edhe për të kapërcyer edhe pengesa burokratike absurde në nivelin vendor, ku është e mirëkuptueshme besoj unë, për një bashki të vogël dhe tërësisht të pamësuar me futjen në territorin e projekteve të një “ariu” kaq të madh sa CËP, që të kishte edhe ndrojtje, ngurrim , rezerva e të tjera, por sot jemi këtu, i kemi kapërcyer pengesat dhe ajo që është më e rëndësishme ndërkohë, kompania ka pasur garancinë e plotë nga ana jonë që ky proces do të shkonte deri në fund dhe nuk ka humbur kohë por është përgatitur me të gjithë projektet e zbatimi.
Dua të theksoj dhe një gjë tjetër që është e rëndësishme, që kompania na ka bërë një përshtypje të veçantë në ndjeshmërinë për mjedisin; na ka bërë një përshtypje të veçantë në sensin e përgjegjësisë sociale, pra qoftë në aspektin e kujdesit për ekuilibrat mjedisorë, qoftë në aspektin e vëmendjes për të mbështetur komunitetin, për të mbështetur zhvillimin atje, duke u bërë pjesë në investime për rrugët rurale e kështu me radhë, kjo kompani vërtetë ka zënë një vend të merituar në territorin e respektit tonë dhe unë jam shumë falënderues dhe duke parë shqipon që është atje, që nuk e ka marrë vesh akoma ça është, a është shqiptar, a është bullgar, a është amerikan, a është “spiun”, nuk e di, po gjithsesi dua t’i them që është përgjegjësia jote, që ta çosh deri në fund atë që juve keni prezantuar si ndjeshmëri për aspektin social të projektit.
Në fund fare dua të them që sot Shqipëria është në një nivel krejt tjetër dhe është një Shqipëri krejt tjetër.
Unë nuk besoj që një dekadë më parë do ta imagjinonte dot ndokush që Shqipëria do të bëhej palë me Emiratet e Bashkuara dhe me Italinë për të ndërtuar një bashkëpunim trelateral në funksion të energjisë në Europë, jo në Shqipëri.
Përsa i përket energjisë në Shqipëri ne jemi, me kaq sa kemi në proces dhe me rreth 1500 megavat të tjera që janë në ndërtim, në proces licencimi nevojat tona të brendshme për sovranitetin tonë ne i kemi të garantuara, por ne jemi më ambicioz se kaq dhe kur them për energjinë në Europë kam parasysh rritjen e kapacitetit këtu në Shqipëri në mënyrë që ne nga një anë të kontribuojmë në sigurinë energjetike të Europës, por nga ana tjetër të bëjmë edhe ne para për fondin e Republikës së Shqipërisë njësoj si të tjerët. Dhe jo thjeshtë mbledhje më e mirë e taksave dhe shpenzim i taksave për të blerë energji jashtë, siç u bë për shumë e shumë vite me radhë.
Falë këtij trelaterali ne do të kemi edhe një avantazh tjetër shumë të madh. E tha parafolësi im i nderuar, kur foli për krahasimin dhe për avantazhin e Shqipërisë për shembull në raport me Serbinë, që është një ekonomi më e madhe dhe është një treg ku ka investime domethënëse dhe serioze. Kur tha se pikërisht sepse ne jemi 100% të gjelbër në prodhimin e energjisë, ne nuk kemi barrën që t’i paguajmë të shkuarës taksën e karbonit, e cila në Serbi është shumë e rëndë dhe për këtë arsye kompania dhe kompanitë e shikojnë me shumë interes Shqipërinë.
Duke u kthyer tek partneriteti trepalësh me Emiratet dhe me Italinë, arsyeja pse Italia dhe Emiratet janë të fokusuar tek ky partneritet me ne, nuk është se unë vesh atlete të bardha, por është se Shqipëria ka këtë avantazh, – që prodhon dhe shet energji të pastër, vlera e së cilës në portofolin energjetik të Europës është shumë e lartë, krahasimisht me energjinë që vjen nga burimet fosile.
Ju falënderoj shumë për punën që keni bërë edhe pa diskutim që ne do të jemi në mbështetjen tuaj deri në fund dhe shpresoj shumë që të mbani fjalën për afatet edhe për interesin tuaj edhe për tonin. Dhe ndërkohë një korrigjim të vogël do t’i bëja shefit të madh – kur tha që Shqipëria është treg i vogël. Shqipëria është treg i vogël, por Shqipëria është një pikë me një kapacitet të madh strategjik, sepse dihet ju do prodhoni këtu nga era dhe do eksportoni. Kështu që tregu juaj është Europa apo jo? Se po mos të ishte Shqipëria kaq e rëndësishme potencialisht, kinezët që janë civilizimi më i vjetër edhe tregtarët më të padiskutueshëm nuk do i kishin vënë syrin dhe nuk do e konsideroni Shqipërinë si “pikën e mjaltit” në gjithë Europën apo jo?
Kështu që duke u bazuar tek mençuria mijëravjeçare e Kinës edhe duke u bazuar tek eksperienca dhe uria për fitim e Amerikës, ne jemi fiks vendi i duhur, në kohën e duhur për ju edhe për të gjithë të tjerët që duhet të vijnë këtu në këtë treg të vogël, për të kapur tregun e madh që është jashtë kufijve të këtij vendi të vogël.
Shumë faleminderit!