Kryeministri Rama në Abu Dhabi për Javën e Qëndrueshmërisë 2026
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe për të marrë pjesë në Javën e Qëndrueshmërisë “Abu Dhabi Sustainability Week 2026” (ADSW), që ka nisur më 11 janar deri më 15 janar në Abu Dhabi. Ky forum ndërkombëtar sjell së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.
Nën temën “The Nexus of Next: All Systems Go”, ADSW 2026 synon të ndërthurë ambicien me veprimin konkret, duke krijuar ura mes inovacionit, financave dhe kapitalit njerëzor, si faktorë kyç për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme.
Kryeministri Rama mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Zayed Sustainability Prize”, një iniciativë globale e Emirateve të Bashkuara Arabe që vlerëson dhe shpërblen projekte dhe organizata që kanë punuar lidhur me përmirësimin e arsimit dhe shkollimit, sigurimin e ujit të pijshëm, mbështetjen e ushqimit për komunitetet në nevojë, duke njohur zgjidhjet e tyre të qëndrueshme ndikuese, inovative e frymëzuese dhe duke përforcuar ndikimin e tyre transformues.
Po ashtu, Kryeministri do t’i drejtohet takimit “Youth for Sustainability”, një nismë globale Masdar që fuqizon gjeneratën e ardhshme të liderëve të qëndrueshmërisë, organizuar nën patronazhin e Lartësisë së Tij Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Princi i Kurorës së Abu Dhabit dhe Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Abu Dhabit.
Në kuadër të agjendës së ADSW 2026, Kryeministri Rama do të marrë pjesë edhe në Panelin e Dialogut të Liderëve të Shteteve me temë “Korridoret e Energjisë për një të Ardhme të Qëndrueshme”.
Gjithashtu, gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kryeministri do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me personalitete të larta politike të Emirateve, si dhe me liderë dhe pjesëmarrës të tjerë të këtij forumi ndërkombëtar.