Abu Dhabi, Shqipëria e angazhuar për tranzicionin e gjelbër, inovacionin teknologjik dhe forcimin e partneriteteve strategjike ndërkombëtare

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe në kuadër të pjesëmarrjes në Javën e Qëndrueshmërisë 2026, organizuar nën kujdesin e veçantë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, – ishte sot pjesë e panelit “Korridoret e Energjisë për një të Ardhme të Qëndrueshme”.

Gjatë diskutimit, Kryeministri vuri theksin tek investimet e mëdha të dekadës së fundit në energjinë diellore dhe të erës, me synimin që deri në fund të vitit 2028 Shqipëria të arrijë sovranitet të plotë energjetik dhe të mos ketë më nevojë për importe.

Kryeministri Rama nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit strategjik me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë, duke e cilësuar këtë partneritet si një model vizionar që synon, jo vetëm sigurinë energjetike të rajonit, por edhe eksportin e energjisë së gjelbër drejt Bashkimit Europian përmes projekteve të mëdha ndërlidhëse. Ai vlerësoi rolin dhe vizionin e lidershipit të Emirateve, si dhe kontributin e Dr. Sultan Al Jaber në nxitjen e projekteve ambicioze të tranzicionit energjetik. “Ambicia jonë është që së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë të kemi një bashkëpunim trepalësh, të krijojmë një bazë të ngarkesës në Shqipëri. Doktor Sulltani, Zoti e bekoftë, po synon që të mbërrijmë në tre giga dhe përmes kabullit ndërlidhës me Italinë, t’i shërbejmë Evropës me energji të gjelbër.” – u shpreh Kryeministri Rama.

Ndër të tjera, Kryeministri foli edhe për përdorimin e teknologjisë digjitale dhe inteligjencës artificiale në Shqipëri, duke theksuar se 95% e shërbimeve publike ofrohen tashmë online. “Teknologjia digjitale na lejoi të ndryshonim tërësisht mënyrën sesi funksionon administrata përkundrejt qytetarëve. E prej disa viteve tashmë 95 % e shërbimeve tona ofrohen në internet, elektronikisht, pra i kemi mbyllur të gjitha zyrat e kontaktit të shërbimeve në vend, pra nuk ka më zyrë fizike, nuk ka radhë, nuk ka kohë të humbur, e merr shërbimin online, qoftë në Shqipëri, qoftë jashtë Shqipërie.” – u shpreh ai, ndërsa bëri të ditur se inteligjenca artificiale po përdoret për përshpejtimin dhe saktësinë e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, si dhe për projekte inovative në fushën e prokurimit publik, me synimin për rritjen e transparencës dhe efikasitetit.

Kryeministri konfirmoi angazhimin e Shqipërisë për tranzicionin e gjelbër, inovacionin teknologjik dhe forcimin e partneriteteve strategjike ndërkombëtare, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit europian.