Shqipëria ftohet në Bordin e Paqes, Spiropali: Vlerësim i jashtëzakonshëm dhe konfirmim i partneritetit strategjik me SHBA
Shqipëria është ftuar zyrtarisht nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes për administrimin e Rripit të Gazës, një nismë e re ndërkombëtare që synon ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në rajon.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në një konferencë për media, e cilësoi këtë ftesë si një vlerësim të drejtpërdrejtë për rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, si edhe për kryeministrin Edi Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i këtij Bordi.
“Shqipëria ftohet si bashkëndërtuese e një mekanizmi të ri ndërkombëtar, i cili synon të kontribuojë në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme dhe funksionale në botë, duke nisur nga sfida e së ardhmes së Rripit të Gazës,” deklaroi Spiropali.
Sipas ministres, kjo ftesë përbën një mesazh të qartë nga ajo që e quajti “Amerika e re”, duke nënvizuar se në politikën e jashtme nuk ka rëndësi madhësia apo demografia e një vendi, por koherenca, autenticiteti dhe aftësia për të kontribuar realisht në paqe dhe siguri.
Ajo shtoi se kjo ftesë konfirmon forcën e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke shënuar njëkohësisht një moment të rëndësishëm për politikën e jashtme shqiptare dhe rolin e vendit si aleat i besueshëm i SHBA-së.
“Për Shqipërinë e vogël, kjo është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme. Bordi i Paqes përfaqëson një qasje të re dhe të ndryshme në trajtimin e konflikteve dhe menaxhimin e krizave globale,” theksoi Spiropali.