Nuk ka pezullim të fondeve IPA për digjitalizimin
Bashkimi Europian vijon të mbështesë Shqipërinë në procesin e transformimit digjital, veçanërisht në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve publike në nivel qendror dhe vendor.
Koordinatori Kombëtar i Fondeve IPA, struktura përgjegjëse SASPAC, si dhe Zyrtari Kombëtar i Autorizuar për fondet IPA, Ministria e Financave, sqarojnë se nuk kanë marrë asnjë njoftim apo komunikim zyrtar nga Komisioni Europian lidhur me pezullimin apo ndonjë masë tjetër kufizuese ndaj fondeve IPA për programet digjitale në Shqipëri.
Programi digjital (programi operacional në fushën e digjitalizimit) është një program i ri, i cili po përgatitet për zbatim me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe të Delegacionit të BE-së. Zbatimi i tij nuk ka nisur ende dhe procesi ndodhet në fazë përgatitore.
Paralelisht, institucionet shqiptare po vijojnë punën për forcimin e masave parandaluese, si dhe të mekanizmave të menaxhimit dhe kontrollit financiar, me synim garantimin e përdorimit korrekt të fondeve dhe parandalimin e çdo parregullsie.
Koordinatori Kombëtar i Fondeve IPA dhe Zyrtari Kombëtar i Autorizuar mbeten në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Delegacionin e Bashkimit Europian për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të menaxhimit dhe kontrollit financiar.